SHARE

– Pa Dashje

Pa dashje kam plagosur një grua!
(S’e dija që më desh aq marrëzisht!)
Ajo ishte një yll, nga qielli larguar,
E zbritur në tokë rastësisht!

Pa dashje, kam fyer një grua!
E putha në faqe në një natë pa drita!
Pastaj dhe në ballë një puthje të dytë,
Ia shtypa pak hundën me gisht, edhe ika!

Pa dashje, kam vrarë një grua!
(Eh, gratë u vrakërkan kaq shpejt!)
Ajo iku në qiell, prej nga ish larguar,
Të vuante zhgënjimin e vet!

– UNË TË KRIJOJ TY

Edhe kur më mungon unë të krijoj
Të çoj atje ku ti kurrë s’ humb,,
Rrugët i mbaj në krahë
Që të mos i lodh,
Zjarre unë ndez ku të mund!

Ti gjurmë lë ngado që shkon,
Unë eci nëpër to
E ty të marr me vete,
Njërin sup e kam për kokën tënde
Dhe supin tjetër për ty ku të mbështetesh!

Sa pak njrëz që kanë mbetur,
U shpërndanë të gjithë nëpër kontinente,
Shqipëria është më parë këtu
E pastaj ku ka oqeanë edhe dete!

Sa pak dashuri që na ka mbetur,
S’kemi se ç’t’i japim asnjë tjetre,
JU që ikni larg keni për ta gjetur,
Pas një viti apo një mijë vjetëve!

Skënder Rusi