SHARE

Termi emocion, që ka zënë një vend të rëndësishëm së hershmi në shkrimet filozofike e  më pas në ato psikologjike e jo vetëm, sot gjithnjë e më shumë dëgjohet edhe në biseda të ndryshme mes njerëzve të thjeshtë apo mes atyre që përfshihen në pjesën më të madhe të kohës në rutinën marramendëse të së përditshmes si edhe në angazhime të ndryshme në jetën sociale, politiko-kulturore.

E kjo jo me kotë, por nga që emocionet janë pjesë përbërëse të  jetës e gjithashtu janë një pjesë e rëndësishme e njohjes, pranimit dhe veçanërisht menaxhimit. Para se të flitet për njohjen dhe rëndësinë e emocioneve, është më se e nevojshme të dimë domethënien apo kuptimin e termit EMOCION për të pasur më të qartë sa do thuhet më poshtë.

Çfarë janë emocionet?

Termi EMOCION vjen nga latinishtja emotionem nga emotus, emovere, që ka kuptimin të lëvizë, tund, të nxjerrë jashtë, ngritje shpirtërore, entuziazëm,  pra që do të thotë i jep forcë aksionit të shprehur nga fjala me të cilën është e lidhur. Nga kjo kuptohet që emocionet e bëjnë njeriun të lëvizë, të reagoj e të mos qëndroj në vend numëro.

Psikologët për një kohë të gjatë janë përpjekur që të përkufizojnë emocionin. Më në fund me shumë përpjekje, shkenca e psikologjisë ka arritur të japë një  përkufizim: Emocioni si reagim,  përgjigje ose si një kompleks i ndjenjave që rezultojnë në ndryshimin fizik, psikologjik e që ndikojnë në të menduarit dhe sjelljen.

Emocionet, edhe pse janë ngjarje komplekse personale, të cilat janë të vështira për t’u kuptuar si tek vetja ashtu dhe tek të tjerët,  në shkencën e psikologjis zënë një vend të veçantë.  Ato janë të lidhura me një sërë fenomenesh psikologjike që përfshijnë temperamentin, personalitetin, humorin dhe motivimin.

Emocionet janë një proces dinamik, që kanë një fillim dhe një fund dhe që zgjat për një kohë të shkurtër. Ato janë një sistem sinjalizimi për komunikimin njerëzor, pasi janë të pranishme në jetën e përditshme, e kanë një lidhje të  ngushtë me gjendjen shpirtërore, e ndikojnë në mënyrën vendimtare në sjelljen tonë dhe në mënyrën se si ne i krijojmë marrëdhëniet me të tjerët.

Shfaqja e emocioneve tregon, jo vetëm reagimin e subjektit ndaj një ngjarje ose veprimi të caktuar, por sinjalizon një tendencë të rëndësishme veprimi e cila përcakton procesin e ndërveprimit social.

Askush nuk di se sa emocione përjeton njeriu, por studiuesi  Robert Plutchik (1980), arriti t’i klasifikonte në një rreth,  në tetë emocione bazë si: gëzimi, frika, pranimi, habia, trishtimi, neveria, zemërimi, dhe kundërveprimi.  Këto emocione që quhen  parësore, kombinohen për të formuar emocionet e tjera që janë: dashuria, përulja, tmerri, zhgënjimi, keqardhja, përbuzja, agresiviteti, optimizmi etj.

Si shprehen këto emocione?

Emocionet shprehen me anë të reagimeve fiziologjike si: luhatje e dukshme në frekuencat e zemrës, të frymëmarrjes, të presionit të gjakut etj. Të gjitha këto janë nxitje të brendshme por që shfaqen jashtë dhe janë të dukshme edhe nga vëzhguesit, pasi shfaqen me disa dukuri si: me britma, dridhje të zërit, skuqje, zverdhje në fytyrë, ndjesi të të ftohtit, nxehje e brendshme etj.

Gjithashtu, emocionet shprehen edhe nëpërmjet modifikimeve të fytyrës si: zmadhimi i bebes së syrit, rrudhosja e ballit, shtrëngimi i dhëmbëve, dhe sidomos sytë, janë një pjesë aktive në shprehjen e emocioneve pasi me anë të tyre marrim e japim informacione të ndryshme. Ato  shprehen edhe me reagime të tjera sjellore e motorike e që kanë një karakter më personal si: me anë të të qeshurit, të qarit, të kafshuarit, të gëlltiturit, të qëlluarit, të ikurit me vrap etj.

Kështu që, reagimet emocionale e ndihmojnë njeriun të dallojë gjatë procesit të marrjes së informacionit, të rëndësishmen nga e parëndësishmja, të nevojshmen nga e panevojshmja, të përshtatshmen nga e papërshtatshmja.

Gjendja jonë emocionale reflekton dhe integron gjithë komponentët e episodit emocional, siç është vlerësimi i situatës, ndryshimet trupore, që ndodhin në sistemin nervor të njeriut, tendencën për të vepruar për sjellje të caktuar, dhe duke i zotëruar dhe integruar këto aspekte të strukturës sonë  emocionale, ne jemi në gjendje që të rregullojmë dhe të kontrollojmë procesin e emocioneve.

Njohja  dhe menaxhimi i emocioneve

Shpesh herë, ndoshta emocionet janë parë dhe shihen  si diçka jo pozitive, ose më saktë ato shihen me  tendencë për t’i ndarë në emocione pozitive e emocione negative. Mirëpo, emocionet janë thjesht dhe vetëm emocione, ndaj nuk mund t’i ndajmë në pozitive e negative sepse secila prej tyre ka funksionin e vet e shumë të rëndësishëm.

Ato kanë një funksion të rëndësishëm për ruajtjen e jetës dhe vazhdimësinë e normalitetit në aktivitetin e qenies njerëzore. Ne edhe pse hezitojmë, e neglizhojmë  për t’i njohur, pranuar e për t’i shprehur haptazi,  ato janë pjesë e pandarë dhe e domosdoshme e funksionit të botës shpirtërore. Emocionet gjithashtu,  shërbejnë edhe si motive apo si shtysa për veprim, dhe kanë një funksion sinjalizues dhe paralajmërues, arsye pse na shfaqin dy aspekte: aspektin stimulues dhe aspektin frenues apo rregullues. Janë ato që zbulojnë brishtësinë dhe vlerën tonë.

Emocionet ushtrojnë një pushtet të ndjeshëm në jetën tonë, e ne mund të jemi skllevër të  emocioneve tona  por mund të jemi edhe zotërues të tyre e kjo ndodhë,  kur njeriu është në gjendje të njohë se cilat emocione janë të pranishme, e t’i emërtojë ( t’iu vërë emrin) e pastaj t’i menaxhojë  në mënyrë të përshtatshme. Kështu që, nuk mjafton vetëm t’i njohim ato por kërkohet që të angazhohemi edhe si t’i jetojmë e si t’i menaxhojmë, që të mos bëhen pengesë por energji pozitive, reflektim paqeje, dhe ekuilibër i brendshëm.

Emocionet, janë si pjesët e  trupit, asnjëra pjesë nuk është më pak e rëndësishme ose e parëndësishme  dhe e panevojshme se tjetra, por secila ka rëndësinë, funksionin e vet, ndaj nga njeriu  kërkohet t’i njohë, e t’i pranojë si një pjesë e rëndësishme e jetës së tij.  Pasi, në një mënyrë apo në një tjetër, ato kanë peshën e duhur si në sukseset ashtu edhe në dështimet e tij në jetë. Gjë që përforcon faktin se, është me rëndësi t’i njohim, t’i pranojmë, dhe jo t’i shtypim sikurse jemi edukuar, psh: burri nuk duhet të tregohet i dobët, nuk duhet të qajë, nuk duhet të ketë frikë etj. Apo gruaja, nuk duhet të tregojë zemërim, nuk duhet të tregojë trishtim, duhet të ketë frikë, të qajë, etj.

Kjo e fundit, a nuk është shtypje e emocioneve?! Pse burri nuk duhet të qajë?! Pse nuk duhet të ketë frikë?!.. Pse gruaja nuk duhet të tregojë trishtimin ose pse gruaja nuk duhet të tregojë sesa e fortë është?! Sa e çuditshme është kjo pjesë e edukimit të emocioneve! Ne arrijmë  t’i ndajmë emocionet për burra e emocionet për gra, ndërkohë që emocionet janë një, nuk ndahen në emocione grash e në emocione burrash!.

Këto ndarje janë vetëm në kokën e njeriut. Nëse një burri i vjen për të qarë, ai duhet ta mohojë këtë?! Nëse ka frikë nuk duhet ta pranojë?! Nëse emocionet  lihen anash apo shtypen,  ato rrezikojnë t’i fusin personat në një rreth vicioz ndjenjash që krijojnë lodhje për vet personin si edhe për ata që jetojnë me të. Të vazhduarit kështu, bën që gjithmonë të mbetemi ashtu si duan të tjerët që unë të jem e jo si jam në realitet. Mbetemi individë të pa formuar e të pa pjekur.

Emocionet e shprehura, mendohet që ndikojnë shumë në mirëqenien e personit, kurse, emocionet e pashprehura e të shtypura  në mënyrë të drejtëpërdrejtë ndikojnë shumë në aspektin psikik e shpesh edhe në sëmundjet fizike tek individët.

Sipas një grupi psikologësh, shprehja ose menaxhimi  i emocioneve nuk është një luks por është një nevojë e jetës, sepse një individ që shpreh hapur emocionet, do të thotë se i njeh, i pranon dhe arrin t’i menaxhojë ato. Gjithashtu do të thotë se, është një person që e njeh veten, që ka punuar e vazhdon të punoj me veten edhe pse nuk është e lehtë të menaxhosh emocionet, por nuk është e paarritshme.

Menaxhimi i emocioneve është shumë i rëndësishme, por kjo mund të vijë pasi i kemi pranuar, njohur e emërtuar  ato. Personi i cili i pranon, i njeh dhe arrin  t’u vërë  emër është në gjendje t’i menaxhojë. Kjo gjë, reflekton rezultate pozitive jo vetëm për personin por edhe për ata që bashkëpunojnë me të, dhe se ka të bëjë me atë pjesën që: njeriu është ai që drejton emocionet e jo emocionet që e drejtojnë apo udhëheqin njeriun.

Rregullimi i emocioneve është shumë i rëndësishëm, si për personin ashtu dhe për të tjerët.. Rregullim nuk do të thotë shtypje apo pengim, por do të thotë  njohe, pranim dhe menaxhim. Dimë tashmë, se çdo emocion ka vendin dhe kontributin e vet  tek ne,  dhe se të gjithë së bashku na bëjnë të njihemi më mirë, ku secili prej tyre jep kontributin e vet në sukses apo në dështim e  kjo gjë varet nga ne.

Gjithashtu,  mund të thuhet se emocionet, janë si notat muzikore, ku asnjëra notë nuk është e pa vlerë dhe e parëndësishme, çka do të thotë se për të krijuar një melodi, ne përdorim notat bazë në kombinim me notat e tjera për të nxjerrë diçka  të bukur, e  kështu ndodhë edhe me emocionet tona në ne. Të mos harrojmë se, për t’i shfaqur emocionet në mënyrë të përshtatshme kërkohet të nisemi nga tri aspekte:  aspekti racional, moral e shpirtëror.

Bazuar në këto tri aspekte, ne  nuk mund të dështojmë as edhe njëherë në shfaqjen e tyre, por përkundrazi kështu tregojmë pjekurinë tonë, formimin tonë të personalitetit.

Kjo pjekuri e personit reflektohet atëherë në rastin kur: personi është i aftë të presë, është i aftë të përshtatet, është i aftë të gjykojë, të vlerësojë, të zgjedhë dhe gjithashtu  është i aftë të heqë dorë nga diçka që e pengon për ta jetuar jetën në plotësinë e saj, kjo e fundit është pika më e fortë mund të themi, që e paraqet një figurë të personit të pjekur, duke qenë se të heqësh dorë nga diçka, nuk është e lehtë por jo e pamundur pasi kërkon motivim, vullnet dhe qëndrueshmëri. Emocionet pra, janë ato që e ngjyrosin jetën tonë e mos të kemi frikë t’i shprehim, por të jemi persona që i drejtojmë emocionet dhe jo ato të na drejtojnë neve./drita.info

Autore: M.Franciska (Suzana) Lekaj