SHARE

Lumturia, një term që dëgjohet tepër pak në shoqërinë tonë, në bisedat tona me njëri- tjetrin, në këngë e në shkrime. Shtrohet pyetja: Pse kaq varfëri mbi këtë temë?!

A nuk jetojmë ne?! A nuk përjetojmë emocione ne?! A nuk është lumturia pjesë e jetës sonë?! A nuk kemi personalitet ne?! A nuk e dimë se çfarë është lumturia? Pse presim që lumturia të vijë nga jashtë? Mos presim që të na e dhurojnë tjerët?! Apo varemi shumë nga opinioni i tjetrit që nuk na lë të përjetojmë, e të jetojmë lumturinë.

Kush vallë na pengon ne që të jemi të lumtur?! Shumë e shumë pyetje më sillen në kokë. Mendoj se edhe ju do të keni menduar ndonjëherë se pse kaq pak rëndësi ka lumturia tek ne?! Ndoshta lumturinë  e mendojmë të rezervuar vetëm për disa njerëz si: të pasurit, ata që janë gjeni, ata që kanë një pozitë në shoqëri, etj… A thua: ndikojnë këto në të qenit i lumtur?

Lumturia nuk ka të bëjë fare me këto që sapo përmendëm. Ajo, ka të bëjë me brendësinë tonë. Nuk duhet të  harrojmë se ajo është e drejtë e të gjithëve, pa përjashtim. Njësoj si jeta. Siç kemi të drejtë ta jetojmë jetën, ashtu kërkohet të ndodhë edhe me lumturinë. Sepse ajo është një angazhim i përditshëm, do të thotë se i takon të tashmes, sot, e nuk i lihet në dorë të nesërmes. Dhe çka është më e rëndësishmja, lumturia nuk i mohohet askujt.

E për këtë lumturi, tani dhe sot, jam përgjegjës unë e jo tjetri. Nuk janë përgjegjës objektet, as pozitat dhe as pasuria. Lumturia është në duart tona dhe secili është i lirë dhe ka të drejtë të zgjedhë atë. Por, kërkohet që qysh tani të fillojmë të përcaktohemi për lumturinë, sepse lumturia është vetë rruga e jetës. E kërkohet t’i themi vetes: Sot është dita për të qenë i lumtur.

Çfarë është lumturia?

Lumturia bën pjesë në grupin e emocioneve pozitive. Është  emocioni dhe ka një lidhje të ngushtë me gjendjen shpirtërore të njeriut. Është një gjendje kënaqësie, gëzim i madh që përjetohet nga njeriu. Ajo është një zgjedhje e përditshme, është një virtyt, është një e drejtë e të gjithëve. Por, jo vetëm një e drejtë, por një arritje. Lumturia është përgjegjësi.

Lumturia është një fakt me karakter personal e të brendshëm. Është e varur nga vullneti ynë, nga mënyra jonë individuale e nga qëndrimet e sjelljes në jetë. Si element psikik, lumturia është e varur plotësisht nga vullneti ynë. Psikologu Tal Ben-Shahar jep një përkufizim mbi lumturinë ku thotë:Lumturia është përvojë e përgjithshme e kënaqësisë dhe e domethënies dhe treguese me anë të së cilës ne matim jetën tonë.

Kurse Mahatma Gandhi thotë: Lumturia është atëherë, kur ajo që ju mendoni, ajo që ju thoni dhe ajo që ju bëni, janë në harmoni.

Pra, lumturia është një arritje e shkaktuar nga produktiviteti i brendshëm i njeriut. Është një mënyrë arsyetimi, që tregon se njeriu ka gjetur përgjigjen për çështjen e ekzistencës njerëzore, e t’i realizojë në mënyrë produktive mundësitë e veta dhe të ruajë integritetin e unit të tij. Gjithashtu ajo është arritja më e madhe e njeriut, është përgjigjja e personalitetit të tij të plotë, në orientimin produktiv ndaj vetes dhe ndaj botës që e rrethon.

Lumturia është një impuls jetësor që na bën mirë dhe na motivon. Është një paqe e brendshme dhe qetësi shpirtërore që vjen nga integrimi i mirë i aspektit fizik, psikik e shpirtëror. Lumturia është e vështirë të përkufizohet për shkak të thellësisë dhe rrethit të ndjenjave që ajo prek.

Por ajo që mund të thuhet për të është se lumturia është vetë jeta, që nuk i mohohet akujt, por i takon secilit, sot. Sepse sot është e vetmja ditë që ke në dorë. E djeshmja ka kaluar, e nesërmja ende nuk ka ardhur, atëherë ajo që ke në dorë është SOT.

Kush është i lumtur?

I lumtur është ai njeri që vazhdimisht mendon për vetitë e veta të mira dhe që përpiqet t’i aktivizojë ato për t’i nxjerrë në dritë e jo për t’i mbajtur të mbyllura në guackën e vet. Një filozof grek thotë: vetëm një rrugë çon kah lumturia dhe kah qetësia shpirtërore. E kjo rrugë është aktivizimi i vlerave dhe vetive brenda vetes.

Aftësia për të qenë të lumtur është brenda secilit njeri pa përjashtim. Të gjithë e kemi këtë kapacitet dhe kjo është falas, pa kosto. Por, ne e harrojmë këtë. Sepse, sot, shumica mundohen ta blejnë lumturinë: duke u furnizuar me mallra të konsumimit të gjerë si: automobila, televizor, telefona, rroba, fermat etj. e nuk e kuptojmë se lumturia nuk blihet e as nuk shitet. Gjithashtu  nuk e kuptojmë se ajo nuk është diku jashtë. Por, mbretëria e lumturisë gjendet në mendimet, ndjenjat e veprimet tona, do të thotë është  brenda nesh. Çelësi i lumturisë fshihet te vetë njeriu.

Veprimtaria në të cilën angazhohemi dhe mënyra se si zgjedhim të mendojmë rreth jetës sonë janë mundësia për lumturinë më të madhe. Psikologët sugjerojnë se lumturia nuk është një destinacion, por një proces. Ajo buron nga të ndjerit mirë me veten tënde. Ndaj për lumturinë është mjaft e nevojshme një vlerësim i drejtë i asaj çka jemi në vetvete duke e dalluar nga ajo si jemi në opinionin e të tjerëve.

Nëse bëhemi të varur që të tjerët të na lumturojnë mund ta lëmë veten të bëhemi të cenueshëm. Çdo person është unik, do të thotë lumturia  për njërin, do të thotë ndryshe për tjetrin. Njeriu që është i pasur me një forcë të madhe shpirtërore, është i lumtur. Ajo e ka fillesën në përpjekjen e vazhdueshme për të zgjeruar faktorin e aspiratave[1].

Për lumturinë ka një ndikim të madh edhe fakti se kërkohet të dimë kohën e duhur që gjithkush jeton në lëkurën e vet dhe jo në opinionin e të tjerëve. E vërteta është, se, nuk ka kohë më të mirë për të qenë të lumtur sesa sot dhe tani.

Prandaj, edhe për mirëqenien tonë, më tepër rëndësi ka shëndeti, gjendja jonë shpirtërore sesa opinioni që të tjerët kanë për ne. Kështu që duhet të jetë e qartë se lumturia varet nga qetësia e shpirtit dhe nga ndjenja e kënaqësisë dhe jo nga opinioni i tjetrit dhe nga gjërat materiale e nga ato që të tjerët na ofrojnë.

Dalai Lama thotë: Lumturia nuk është diçka që ju ofrohet. Ajo vjen nga vetë veprimet tuaja.

Pra, nuk është aspak e nevojshme të jemi të pasur, gjeni, për të gëzuar atë pak lumturi për të cilën çdo njeri ka të drejtë. Të jesh i lumtur nuk  do të thotë të mos kesh probleme. Po të ishte kështu do të ishin pak raste e pak persona që mund të thonë se sa i lumtur jam. Por sekreti i lumturisë është në të mësuarit të luftojmë që të arrijmë pikësynimet vetjake që janë vlerat. Lumturia është realizim progresiv i synimeve tona.

Mos të harrojmë: se masa e artë për të arritur lumturinë është ajo që nuk kalon shumë pikën e mesit, nëpërmjet mungesës dhe teprimit; ajo që di të pranojë realitetin siç është. Që të jesh i lumtur kërkohet që të dish të duash veten dhe tjetrin, të dish të dëgjosh më shumë e të flasësh më pak, të jesh pranues e jo gjykues.

Demokriti thotë: Lumturia nuk qëndron as në pronat që zotërojmë, as në flori. Ndjenja e lumturisë banon në shpirt./filozofia.al

Autore: M. Franciska (Suzana) Lekaj/drita.info