SHARE

Shoqëria moderne duket se çdo ditë e më shumë po përshkohet nga fryma apo sëmundja  e egoizmit. Fjala egoizëm, vjen nga latinishtja EGO, që do të thotë mënyra e të reaguarit, duke kufizuar dhe shkatërruar interesat e tjetrit për hir të vetvetes.

Edhe pse njeriu e di, dhe e ka shumë të qartë se egoizmi nuk është diçka e mirë, e efektshme, e ndershme dhe se nuk është diçka që e ndihmon për t’u rritur, ai përsëri bëhet pre i egoizmit.

Harron që është i krijuar nga dashuria e për dashuri, do të thotë është krijuar për të dashur, e për t’u dashur dhe gjithashtu për t’u rritur në marrëdhënie me tjetrin, e jo për t’u  mbyllur në një guaskë apo në egon e vet. Siç e dimë,  njeriu që nga zanafilla nuk është krijuar të qëndrojë vetëm, por me të tjerët e për të tjerët.

Pra, njeriu është krijuar të jetojë në botën e marrëdhënieve me njerëzit e tjerë, sepse jashtë marrëdhënieve me të tjerët ai e ka të vështirë të jetojë, kështu që humaniteti i tij është pasojë e të jetuarit mes njerëzve. Njeriu nuk është krijuar të jetojë vetëm.

Pavarësisht se ndonjëherë mund ta ndjejë të nevojshme të rrijë edhe vetëm, për të reflektuar mbi vetveten që të arrijë deri tek një ndryshim i efektshëm, por kjo vetmi është e ndryshme nga egoizmi e nga  dashuria ndaj vetes. E dimë se bota e marrëdhënieve me të tjerët është kusht për ekzistencën e individit. Sepse njeriu rritet, zhvillohet, edukohet e formon personalitetin  në marrëdhënie me tjetrin.

Psikologu i famshëm Alfred Adler thotë: Individi që nuk interesohet për të tjerët, has në  jetë vështirësi të mëdha dhe është ai që dështon më shpesh në qëllimet e tij. Njeriu është i formuar i tillë, që të kërkojë interesin e të tjerëve e gjithashtu të tregojë interes për të tjerët.

Lind pyetja: A është egoizmi një kujdes real për vetveten? A është egoizmi dashuri ndaj vetes?

Për shumë vite me radhë, ka  ndodhur që të ngatërrohet dashuria që njeriu ka për veten me egoizmin. Por është mirë dhe kërkohet ta kemi të qartë që të duash veten (kur them të duash veten kam parasysh pranimin dhe vlerësimin e vetes me pozitiven dhe negativen) nuk do të thotë të jesh egoist, por do të thotë të jesh një njeri i formuar, i pjekur dhe i edukuar, të jesh një njeri i matur.

Gjithashtu këtë e gjejmë edhe në  aspektin psikologjik, i cili nuk pranon se dashuria ndaj vetes dhe dashuria ndaj të tjerëve e përjashtojnë njëra-tjetrën, por përkundrazi  ato e forcojnë  njëra- tjetrën. Sepse dashuria ndaj vetes dhe tjetrit nuk mund të shihen te ndara.

Kështu që njeriu e ka të nevojshme e të domosdoshme që të jetë i bashkuar me të tjerët. E kjo nevojë fshihet prapa të gjitha dukurive që përbëjnë një gamë të tërë të pasioneve njerëzore.

Egoizmi është e keqja më e madhe e njeriut. Një proverb thotë: Mos u bëj egoist! Do të thotë mos u sill rreth vetes, mos krijo një rreth vicioz që të pengon për të jetuar mirë e të pengon për të jetuar në paqe me veten tënde e me të tjerët.

Sipas psikologut S. Freud, egoizmi mund të lidhet më shumë me narcizmin se sa me dashurinë ndaj vetes. Sepse narcisti është ai që dashurinë e tij ndaj të tjerëve e ka të drejtuar nga personaliteti i vet. Kurse njeriu që do veten në mënyrë të drejtë dhe reale, nuk mund të mos e do, respektojë dhe vlerësojë edhe tjetrin. Kurse egoisti, bën të kundërtën, do të thotë, ai e “do veten”, por nuk e do dhe nuk e respekton tjetrin.

Egoizmi dhe dashuria ndaj vetes janë larg nga të qenurit identik, në të vërtetë janë të kundërta.

Njeriu egoist

Njeriu egoist shfaq një sens të ekzagjeruar të rëndësisë së vetes – e një preokupim për të qenë i admiruar, si dhe mungesë ndjeshmërie për të tjerët. Është i interesuar vetëm për veten, çdo gjë e kërkon vetëm për vete, nuk ndjen asnjë lloj kënaqësie në dhënie, por vetëm në marrje. Botën rreth vetes e shikon vetëm nga  këndvështrimi çka mund të përfitojë prej saj e jo çka mund të ofrojë apo të dhurojë.

Gjithashtu, ai nuk shfaq interesim për nevojat e të tjerëve, dhe nuk ka respekt për dinjitetin dhe integritetin e tyre. Ai nuk sheh asnjë gjë përpos vetes. Çdo person dhe çdo gjë e vlerëson në aspektin e dobisë së tyre për të. Ai, në thelb është i paaftë  për  dashuri. Është ai, i cili nuk di të dojë veten e aq më pak tjetrin. E kjo na bën të kuptojmë se kujdesi për të tjerët dhe kujdesi për veten janë mundësi të pandashme.

Njeriu egoist nuk e do veten aspak. E kjo mungesë e dashurisë për veten, që është vetëm një shprehje jo produktive, e lë atë të zbrazët dhe të frustruar. Ai, nuk është i lumtur, por i shqetësuar, i ankthshëm dhe pengon veten e vet për të jetuar jetën e për ta realizuar atë. Kërkon vëmendje e admirim të vazhdueshëm nga çdo njeri, sepse mendon se është i “veçantë”. I jep gjithmonë vetes të drejtë. Ai e quan ekzistencën e të tjerëve si iluzion ose si të dyshimtë.

Pra, njeriu egoist, ka tendencën që ta mbivlerësojë rëndësinë e rolit të vet në situata e ngjarje të ndryshme. Mendon se është autori i vetes së vet, i jetës së vet dhe i shoqërisë. Ndjehet i vetë-mjaftueshëm, e synon ta zëvendësojë edhe Zotin, por edhe të bëjë krejt pa të.

Mendon se nuk i detyrohet askujt me përjashtim të vetvetes dhe pretendon të ketë vetëm të drejtë. Është ai që dështimin e ka shumë afër vetes, edhe pse ai nuk e lë veten që ta kuptojë këtë. Gjithashtu, ka rrezikun më të madh të vuajë nga stresi, ankthi e depresioni.

Pra, egoizmi dhe dashuria nuk mund të qëndrojnë bashkë. Sepse, egoizmi është një papjekuri e ndjenjave të individit. Kurse dashuria nuk mund të mbyllet ndaj nevojave të tjetrit.  Rreziku është që nëse personi nuk bën përpjekje për ta luftuar egoizmin, ai kthehet në një individualizëm e në një indiferentizëm të theksuar.

Fjala indiferencë, do të thotë të mos jetosh dhe të mos lejosh ndryshimin mes gjërave, të mos lësh hapësirë apo të mos i japësh jetë një ndryshimi të aftë që të krijojë një ndryshueshmëri, që do të thotë, mbyll zemrën për të mos marrë parasysh nevojat e tjetrit, mbyll sytë për të mos parë atë që e rrethon, largohet për të mos e lënë veten të preket prej shqetësimeve e problemeve të të tjerëve.

Gjithashtu, shfaqet një mungesë vëmendjeje ndaj realitetit që e rrethon. Ka një ftohje shumë të fortë ndaj tjetrit, aq sa arrihet deri tek eliminimi i pranimit të tjetrit, si dhe identitetit të tij.

Pra, duket se është një urgjencë, që njeriu të fillojë dhe të reflektojë mbi këtë sëmundje të egoizmit që çon deri në  indiferentizëm. Egoizmi dhe indiferentizmi, janë e kundërta e dashurisë. E këtë e gjejmë edhe në këtë thënie: “E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por është indiferentizmi”.

Dhe e kundërta e jetës, nuk është vdekja, por indiferenca. Indiferentizmi është paaftësia  ose mosdëshira e njeriut për të ndryshuar botën e brendshme dhe atë të jashtme. Është mosdëshirë për ta lënë derën hapur për tjetrin. Është ajo ndjenjë që njeriu humb entuziazmin dhe kontaktin me botën dhe tjetrin.

Indiferenca ka të bëjë me atë që quhet “fikje e zemrës.” Kështu, njeriu nuk mund të ketë mbarësi, sukses, paqe, duke u mbyllur në vetvete e duke parë vetëm interesin vetjak.  Nëse nuk bashkëpunon- apo nuk lejon të bëhet pjesë e bashkëpunimit, si me Zotin ashtu dhe me tjetrin, ai mbetet bosh brenda vetes.

Sepse egoizmi, indiferentizmi janë mënyra të rrezikshme, dhe ka afat të shkurtër për të ndihmuar veten. Njeriu nuk mund t’i ndajë interesat e veta të vërteta nga interesat e shoqërisë, pra nga interesat e tjetrit. Ai, mund ta ndihmojë veten, vetëm duke e ndihmuar tjetrin. E kërkohet që të jetë i vetëdijshëm që prirjet e veta e nxisin ta kërkojë gëzimin e ta gjejë atë gëzim vetëm në kontakt me të tjerët. Gëzimi i vërtetë gjendet në marrëdhëniet e ngrohta, atje ku ndihemi së bashku, larg nga unë dhe mua, aty ku ndodhet NE.

Kërkohet të jemi solidarë e altruistë, sepse solidariteti nuk është vetëm detyrë, por është realizimi dhe garancia më e mirë e sigurisë.

Albert Einstein, thotë: “Vetëm një jetë e jetuar për të tjerët, është një jetë e vlefshme. Vlera e një njeriu duhet parë në faktin çfarë jep dhe jo në atë çfarë është në gjendje të marrë.”/filozofia.al

Autore: M. Franciska (Suzana) Lekaj/dituria.info