SHARE

Fjala dashuri, është një ndër fjalët më të përdorura nga të gjitha moshat dhe nga të gjitha kategoritë e njerëzve: i vogël apo i madh, i ri apo i moshuar, i pasur apo i varfër, intelektual apo i pashkolluar. Kjo  do të thotë se është një forcë dhe një virtyt pa të cilin nuk mund të jetohet e  nuk i mohohet askujt. Dashuria, është gjithashtu një ndër fjalët më të përdorura edhe në shkrime të ndryshme, si fetare ashtu edhe shoqërore.

Për dashurinë janë shkruar shumë libra, poezi, ese, janë thurur shumë vargje, por ajo nuk kërkohet të mbetet vetëm në të shkruar apo në fjalë, por të dhurohet e të praktikohet. Dashuria, është një nga ato virtyte për të cilat çdo njeri do të dijë, të flasë e të shkruaj. Një ndjenjë që çdo njeri e përjeton në mënyra të ndryshme.

Por, a janë  të gjithë të  aftë të dhurojnë dashuri? Kjo është një pyetje që secili prej nesh duhet t’ia drejtojë vetes dhe t’i përgjigjet. Këtu  nuk flitet për një dashuri të shkruar ose të shprehur me fjalë, por për një dashuri të vërtet dhe  që dhurohet për tjetrin. Sepse, ajo është pjesë e eksperiencës njerëzore, është ajo që jetohet. Është virtyti që i jep jetës kuptim. E nga kjo arrihet  të kuptohet  se dashuria është një nevojë për secilin njeri, pa dallim moshe.

Ta përkufizosh dashurinë është e vështirë, sepse dashuria është një eksperiencë njerëzore e nuk ka fjalë që e përkufizon atë.

Por ajo që mund të thuhet mbi dashurinë e që përmbledh gjithçka, është fjala JETË.

Mahatma Gandhi thotë: Aty ku është dashuria, aty është jeta. Kurse Tolstoi thotë: Ku është dashuria, aty është edhe Zoti. Kështu që nuk mund të kuptohet një jetë pa dashuri dhe një dashuri pa jetë, e nuk mund të kuptohet një Zot pa dashuri dhe një dashuri pa Zot. Këto janë të lidhura ngushtë njëra me tjetrën dhe nuk mund të shihen e nuk mund të ndjehen të ndara, Zoti, Dashuria dhe Jeta. Pra, dashuria është jetë, e jeta është dhuratë e Zotit.  Është ajo që kërkohet të jetohet, dhurohet, e përjetohet çdo ditë sot e tani, e jo të presim  nesër. Sepse, ajo i përket të tashmes vetëm në të tashmen është e vërtetë.

Dashuria, më shumë se një zgjedhje, është një nevojë të cilën secili njeri e ndjen në jetë. Qysh në fëmijëri shfaqet kjo nevojë e vazhdon deri sa njeriu të jetojë.  Dashuria, është vullneti që nxit zhvillimin tonë shpirtëror për të arritur pjekurinë ose plotësimin e vetvetes dhe të tjerëve. Ajo është një proces rrethor ciklik, shumë evolutiv, proces i ngritjes apo i zgjerimit të së vërtetës.

Dashuria nevojë

Sipas psikologut Abraham Maslow, dashuria është një nevojë që kërkohet plotësuar ashtu si gjitha nevojat tjera. Është një zbrazësi  në të cilën dashuria duhet derdhur. Nevoja për dashuri, është ashtu sikur nevoja për uri, etje për kripëra apo vitamina.

Ashtu sikurse njeriu nuk mund të jetojë e nuk mund të zhvillohet pa ushqim, ashtu ndodh edhe në aspektin e brendshëm që njeriu nuk mund të jetojë e të zhvillohet shpirtërisht pa dashuri. Pa dashuri, njeriu nuk mund të jetë i pasur, i shëndetshëm, i shquar, sepse ai nuk di asgjë për vlerat e brendshme.

Dashuria është një nevojë shëruese. Është ajo që shëron shumë plagë, e nëse nevoja shëruese nuk është në dispozicion mund të shfaqen disa patologji, por nëse ajo është në dispozicion në kohën e duhur e në formën e duhur atëherë patologjia mënjanohet.

Dashuria, është fuqia më e madhe shëruese në jetë. Ata që e lënë t’u ikë mbeten të zbrazët, sepse ajo nuk është një fenomen, mbi të cilin duhet të reflektojmë, por një nevojë e një realitet  që kërkohet të jetohet. Mos të harrojmë çdo moshë ka nevojë për dashuri. Nuk u takon vetëm dy të rinjve apo dy të dashuruarve por secilit individ. Dashuria nuk  i mohohet askujt,  sepse secili njeri e ndjen nevojën për të qenë i dashur dhe që të dojë.

Ai, nuk është gjithmonë në gjendje vetëm të dhurojë dashuri por kërkon edhe të marrë dashuri. E njeriu që do, është ai njeri që di ta dojë vetveten dhe është në gjendje të dojë edhe të tjerët. Dashuria, është jetë e nëse njeriu nuk e do jetën e tij, si mund ta dojë jetën e tjetrit?! Ky është një mashtrim, që njeriu  ia bënë vetes kur u thotë  të tjerëve se ju dua më shumë se veten.

Dashuria, është motori i formimit dhe i edukimit. Është ai motor që mban gjallë çdo marrëdhënie.

Nënë Tëreza thotë: Në këtë botë ka më shumë nevojë për dashuri sesa për bukë. Është një fakt  sepse mungesa e dashurisë të shpie në forma të rënda  psikotike e neurotike është shkaktari kryesor i sëmundjeve mendore që kërkojnë vëmendje të menjëhershme edhe për moshën e rritur.

Gjithashtu, prania e dashurisë është thelbësore për efekt shërimi psikoterapeutik. Dashuria është një funksion i natyrshëm, ashtu si frymëmarrja. Shprehja e dashurisë është e nevojshme për shëndetin në çdo fazë të zhvillimit. Njeriu, pa dashuri, është pa krahë. Bota ka nevojë të pushtohet nga dashuria, e kjo varet nga çdo njeri e kërkohet nga secili prej nesh. Kur themi nga secili, kuptohet se fillon nga UNË.

Dashuria thesar  i çmuar

Dashuria është e çmuar në vetvete, sepse nuk  ka synime. Ajo ka vlerë të madhe, është gëzimi i madh është hareja në vetvete. Pa dashuri nuk ka gëzim, pa dashuri nuk ka jetë, pa dashuri njeriu lakmon diçka të panjohur, diçka të paplotësuar, diçka të zbrazët.

Dashuria, është besimi, është feja e lumturisë, është një trekëndësh i ndriçuar e i vendosur në kupën e atij tempulli që quhet shoqëri. Ajo, nuk dëshmohet me numrin e dhuratave e me fjalë të bukura, por me gjeste të mira e dhurimi  të cilat flasin shumë më tepër.

Dashuria, është e çmuar sepse është një element që ndryshon sjelljen. Është ajo që e bën një transformim në mënyrë të menjëhershme.  Ajo, nuk është pronë që të grumbullohet, por është rrezatim aromë që ndahet.  Është ajo që jep krahë për të fluturuar  si shqiponjë drejt diellit.

Dashuria, është vetëm e një lloji, ajo është dashuri, e cila formohet mbi besimin e respektin reciprok. Është ajo që di të presë, është e durueshme, është vepruese. Ajo, jeton në të tashmen sot dhe tani.

Ta jetojmë dashurinë do të thotë të matemi me njërën prej detyrave më të larta e të ndritura të jetës: të dhurosh veten për të mirën e tjetrit. Dashuria kërkon që të heqësh dorë nga vetja. Të lirohesh nga egoja. Ajo, është e çmuar sepse të çliron nga gjërat dhe nga vetvetja dhe të bën të lirë.

Feja, filozofia, psikologjia, janë të një mendimi se dashuria mbështetet mbi besnikërinë, respektin dhe ndershmërinë e ndërsjellët. Dashuria reciproke, rrjedh nga ata individë që janë të çliruar nga vetvetja, por nëse njeriu, është i mbushur nga Ego-ja dashuria nuk qëndron, ajo zhduket, sepse dashuria dhe ego-ja nuk mund të bashkëjetojnë.

Dashuria, është ajo që kërkon për t’u bërë një me tjetrin dhe me të mirën e tij. Dashuria  nuk pret kthim të dashurisë. Është përvojë e përhershme e ngritjes së personalitetit të njeriut. Ajo është plotësim dhe e zmadhon qenien  e njeriut sepse e mbush atë,  e pasuron, nuk e zbrazë dhe nuk e varfëron.

Dashuria, është shumë e shtrenjtë dhe ata që janë të aftë ta ofrojnë atë, e dinë shumë mirë se ajo duhet orientuar drejt produktivitetit me anë të vetëdisiplinimit. Dashuri do të thotë, tani.

Dashuria nuk është biznes

Mjerisht, sot  nuk mungojnë njerëz që në emër të dashurisë veprojnë si tregtarë të trupit dhe mendjes. Kështu që,  rëndësia e dashurisë apo vlera e saj të mos shihet si e çmueshme, por të  konceptohet si produkt, mall konsumues ose si objekt, si diçka që unë e përdor vetëm për të kryer punë.

Mos t’i ngatërrojmë gjërat sepse kjo nuk e ka emrin dashuri por shfrytëzim. Dashuria, nuk është një send në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse ajo nuk shitet apo blihet nuk peshohet apo matet, nuk mund të kapet, të lidhet, nuk është një objekt që mund ta shtrëngosh në grushtin e dorës. Ajo, është një virtyt që na pasuron duke e marrë dhe dhuruar falas.

Dashuria nuk është biznes, prandaj mos u sillni ndaj saj si tregtarë, sepse po u sollët si të tillë do të lini t’iu ikë jeta edhe dashuria, edhe gjithçka që është e mrekullueshme në të. Dashuria nuk blihet as nuk shitet. Ajo nuk njeh pagesë as kusur, mund të blihen shumë gjëra që ndodhen mbi tokë, por dashurinë kurrë nuk mund ta blesh.

Dashuria nuk blihet, ajo dhurohet. Mund të blesh trupin e një personi tjetër, seksin, truallin e tokës  por të blesh dashurinë është e pamundur. Kush mendon ta shesë apo të blejë  dashurinë, është viktimë e një mashtrimi të vërtet ndaj vetes. Dashuria ka nevojë për klimë dashurie, për atmosferë dashurie, e jo për biseda pazaresh. Ajo paguhet vetëm me dashuri.

William Shekspeare thotë: Dashuria është ajo kur jemi të gatshëm të japim gjithçka pa kërkuar asgjë. Kjo është dashuria për të cilën ka nevojë secili prej nesh./filozofia.al

Autore:M. Franciska (Suzana) Lekaj/drita.info