SHARE

Recension mbi librin e Francis Fukuyamas “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”

Shkruan: Dr. Sabri Kiçmari


1. 
Historia vazhdon?

Në verën e vitit 1989 politologu amerikan Francis Fukuyama në revistën prestigjioze amerikane “The National Interest” botoi esenë e tij të njohur „Fundi i historisë?“ Siç mund ta vërejë lexuesi i nderuar prapa titullit të esesë është vënë pikëpyetja. Tri vite më vonë, ai botoi librin e tij “Fundi i historisë dhe njeriu i fundit”. Në libër nuk ka më pikëpyetje. Në mes të verës së vitit 1989 dhe vitit 1992 ndodhin zhvillime të tilla, të cilat dëshmojnë për saktësinë e disa tezave të Fukuyamës të paraqitura në artikullin e tij. Heqja e pikëpyetjes në libër pasqyron reflektimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve tri vite pas botimit të artikullit.

Artikulli i Fukuyamas u botua tepër vonë për t’ia njohur primatin e paralajmëruesit të rënies së komunizmit në BRSS dhe Evropën Lindore. Kurse libri i tij u botua pas rënies së komunizmit. Vetë Fukuyama nuk e sheh veten si paralajmërues. Ai shkruan madje se rënia e komunizmit ishte gati plotësisht e paparashikuar. Por, në librin e Fukuyamas shfaqet një dhunti e jashtëzakonshme e hetimit dhe përshkrimit të zhvillimeve bashkëkohëre shoqërore. Ai arrin përmes këtij libri rikthimin e shkrimit teleologjik të historisë. Dhe me këtë zë vend në historinë e filozofisë politike bashkëkohore. Fukuyama shpall fitoren ideologjike të demokracisë liberale dhe sistemit të tregut të lirë mbi monarkinë, fashizmin dhe komunizmin. Ai e përfundon artikullin e tij, në vitin 1989, duke shkruar:

“Fundi i historisë do të jetë një kohë shumë e trishtuar. Lufta për njohje, gatishmëria për të rrezikuar jetën për një qëllim krejtësisht abstrakt, lufta mbarëbotërore ideologjike që thërret për guxim, kurajo, imagjinatë dhe idealizëm, do të zëvendësohet nga kalkulimi ekonomik, zgjidhja e pafund e problemeve teknike, shqetësimet mjedisore dhe kënaqësia e kërkesave të sofistikuara të konsumit. Në periudhën post-historike nuk do të ketë as art, as filozofi, vetëm ruajtje e përhershme e muzeut të historisë njerëzore.”

Teza e Fukuyamas për “fundin e historisë” është e diskutueshme. Kjo frazë, siç e thotë ai vet, nuk është e tij, por e ka burimin nga Hegeli dhe Marksi. Në fakt edhe në konceptet e Hegelit edhe ato të Marksit fjala është për fundin e historisë si ideologji, si variant më i avansuar i sistemit shtetëror. Prandaj teza e Fukuyamas mund të pranohet në rrafshin ideologjik: Në këto 27 vite të kaluara nga botimi i tezave të tij, as në rrafshin teorik dhe as në praktikën shtetërore nuk ka lindur një model tjetër ideologjik që do të mund t’i konkurronte sistemit të demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut në nivel global.

Megjithatë mund të shtrohet pyetja: A përfundoi vërtetë historia me rënien e sistemeve socialiste në Evropën e Lindjes? Fraza që ka përzgjedhur Fukuyama për librin e tij nuk është adekuate. Historia nuk është ideologji. Historia nuk mund të përfundojë, në qoftë se me histori nënkuptojmë të kaluarën, të cilën njeriu e kujton dhe e interpreton, me qëllim të orientimit në të tashmen dhe të ardhmen. Ai ka të drejtë të shpallë fitoren e demokracisë liberale, por me këtë nuk ka ndodhur shuarja e varianteve tjera ideologjike. Në Republikën Popullore të Kinës është përqafuar sistemi i ekonomisë së tregut, por jo demokracia liberale. Vetë Fukuyama e ka pranuar këtë vit se zhvillimet në Kinë përmes një procesi modernizimi pa demokraci, paraqesin një sfidë serioze për tezat e tij. Në Rusi është rikthyer autoritarizmi në variantin e tij nacionalist e hegjemon, që po tenton të sfidojë vlerat e demokracisë liberale. Ndryshimet demokratike në fillim të këtij shekulli në Veriun e Afrikës dhe Lindjen e Mesme kanë rrëshqitur në drejtim të rritjes së fundamentalizmit islamik në variantin e tij më ekstrem. Dhe, kultura komunitare në shumë nga shtetet e Azisë e sfidon seriozisht sistemin e vlerave shoqërore në botën perëndimore.

Në qoftë se e vështrojmë tezën për “fundin e historisë” nga këndvështrimi shkencor, atëherë mund të konstatojmë se një gjë e tillë është e pamundur. Ose: edhe pas “fundit të historisë”, historia vazhdon. Pra, nuk ka fund real të historisë. Historia nuk ka përfunduar. Ajo po vazhdon edhe një çerek shekulli pas botimit të tezave të Fukyamas.

2. Pesimizmi i shekullit 20-të: fashizmi dhe komunizmi

Në fillim të kapitullit të parë Fukuyama konstaton se optimizmi i shekullit të 19-të është pasuar me pesimizmin e shekullit 20-të. Pesimizmi e ka bazën te dy luftërat botërore. Shekulli 20-të u karakterizua me një rrëshqitje antinjerëzore të sistemeve politike e shtetërore drejt totalitarizmit. Nazifashizmi synonte të shfrytëzoj zhvillimin e hovshëm teknologjik dhe organizimin e centralizuar politik për shuarjen e racave të caktuara (çifutët, romët etj.), kurse komunizmi i shfrytëzoi ato për asgjësimin e klasave të tëra (borgjezinë, feudalët etj.). Të dy këto sisteme u karaketerizuan nga shkalla e lartë e brutalitetit të përdorimit të dhunës për të realizuar qëllimet e tyre politike, për të krijuar një sistem të ri vlerash dhe një mënyrë tjetër jetese.

Pra, si e djathta ekstreme (nazifashizmi), ashtu edhe e majta ekstreme (komunizmi) arritën të krijojnë variantet e tyre jodemokratike dhe agresive. Nazifashizmi u mundua të krijonte një parim koherent, djathtist, jodemokratik dhe jo të ligjshëm, i cili mohonte të drejtat e njeriut dhe barazinë mes njerëzve, duke e konsideruar si burim të ligjshmërisë racën dhe duke i shpallur gjermanët si “racë e zotërinjëve”, e cila duhet të sundojë popujt tjerë. Totalitarizmi sovjetik synonte të shtrijë kontrollin e plotë mbi jetën e qytetarëve, të shkatërrojë shoqërinë civile, partitë politike opozitare, shtypin, sindikatat, ndërmarrjet private dhe institucionet religjioze, duke ndryshuar strukturën e vlerave dhe besimeve përmes kontrollit të shtypit, arsimit dhe propagandës dhe dobësimin e rolit të familjes me qëllim të krijimit të “njeriut të ri sovjetik.”

Por, siç konstatuam më lartë, komunizmi nuk është shpërbërë krejtësisht si nazifashizmi. Ai ruhet ende në Republikën Popullore të Kinës, në Vietnam, Korenë e Veriut, Kubë, Laos. Sipas Fukuyamas shkaqet e mbijetesës së sistemit komunist në Kinë gjenden në faktin se kontrolli qeveritar mbi ekonominë kineze nuk ka qenë aq i plotë sa në Bashkimin Sovjetik dhe se “çereku i ekonomisë kurrë nuk ka hyrë në planin kombëtar.” Studiuesit amerikan Carl Joachim Friedrich dhe Zbigniew Brzezinski në analizën e tyre mbi tiparet themelore të diktaturës totalitare kanë numëruar gjashtë elementet e një shteti totalitar. Një nga ta është kontrolli i plotë i ekonomisë. Ngjajshëm mendon edhe Hannah Arendt në lidhje me tiparet e totalitarizmit si edhe profesori im i nderuar, tashmë i ndjerë, Manfred Funke.

Komunizmi ka mbetur ende i fortë në Republikën Popullore të Kinës, shtetin me popullsinë më të madhe në botë, pavarësisht transformimeve rrënjësore në fushën ekonomike. Ajo që mund të pajtohemi plotësisht me Fukuyamën është fakti se “pushteti komunist nuk paraqet më një ide dinamike tërheqëse.” Me të drejtë ai paralajmëroi me kohë edhe për pasojat e rënies së komunizmit: rrezikun e zëvendësimit të tij “me autoritarizmin nacionalist, apo ndoshta edhe me fashizëm të variantit rus apo serb.” Ky konstatim i Fukuyamas, shkruar në vitin 1992, doli të ishte shumë parashikues: Milosheviçi shkaktoi katër luftëra (kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Kosovës) brenda shtatë viteve (1992-1999) me pasoja tragjike për qindëra-mijëra njerëz, kurse Putini i pushtoi në mënyrë klasike Çeçeninë dhe Krimenë dhe është duke i mbajtur në gjendje faktike lufte edhe rajone të veçanta të Gjeorgjisë (Osetinë Jugore dhe Abhazinë), Ukrainës Lindore, Moldavisë (Transnistrinë) etj.

3. Ndërthurja teorike e Fukuyamas me Kantin, Hegelin dhe Marksin

Në hyrje të librit të tij Fukuyama shpjegon se me tezën e tij për fundin e historisë nuk e nënkupton fundin e zhvillimit të ngjarjeve, por historinë si proces më vete, koherent dhe evolutiv. Tezën e tij ai e ndërthur me konceptet e Kantit, Hegelit dhe Marksit.

Përparimet më të mëdha në shkrimin e historisë universale sipas Fukuyamas ju takojnë përfaqësuesve të traditës idealiste gjermane: Immanuel Kantit dhe Hegelit. Edhe Kanti parashikon se historia do të ketë një fund. Fundi sipas tij arrihet me realizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Hegeli shkruan se “historia botërore është përparimi në vetëdijen e lirisë“ (gjermanisht: „Die Weltgeschichte ist der Fortschritt im Bewußtsein der Freiheit“). Hegeli e kupton historinë si progres të njeriut në drejtim të një shkalle më të lartë racionaliteti dhe lirie. Por, ai nuk besonte në vazhdimin e pafund të procesit historik. Ai ishte i bindur se ka një fund të historisë. Madje ai e shpall fundin e historisë pas Betejës së Jenës në vitin 1806. Historia botërore në konceptimin e saj universal është “ajo histori, në të cilën historia e shtetit është e gërshetuar me artin, religjionin dhe filozofinë.” Dhe në krye të të gjitha veprimeve, pra edhe të atyre historike botërore, qëndrojnë individët si subjekte substanciale realizuese.”

Karl Marksi është njëkohësisht kundërshtari dhe mbështetësi më i madh i Hegelit. Ai e pranon dialektikën e Hegelit, por e kundërshton idealizmin e tij. Ai mendon se shteti i demokracisë liberale është shtet i borgjezisë sunduese kundër proletariatit të sunduar. „Klasa universale“, siç quhet nga Hegeli burokracia sunduese, sipas Marksit i mbron vetëm interesat e borgjezisë sunduese. Marksi besonte në një revolucion përfundimtar, i cili do të zhdukte shtetin dhe luftën klasore “në mes të proletariatit (të shtypurve) dhe borgjezisë (sunduesve) duke krijuar një sistem universal shoqëror ndërkombëtar – komunizmin mbarëbotëror.” Por, tezat e tilla të Marksit u hodhën poshtë nga zhvillimet politike dhe shoqërore në fund të viteve 80-të të shekullit 20-të me shuarjen e Bllokut Socialist në Lindje të Evropës. Këtë zhvillim Fukuyama e sheh si vërtetim të tezave të Hegelit. Ai e proklamon fitoren e demokracisë liberale mbi sistemin socialist dhe me këtë edhe përfundimin e konfliktit politik, ekonomik dhe sistemor në mes të shteteve.

Të gjithë librin e Fukuyamas e ndjek një fill i hollë influence nga Hegeli, konform interpretimit të Aleksandër Kojevit. (Është shumë interesant se si Kojevi, një interpretues i Hegelit me prejardhje ruse, i cili në vitin 1924 kishte mbrojtur disertacionin para Karl Jaspersit, në vitin 1928 kishte emigruar në Francë, kurse në vitin 1937 kishte marrë shtetësinë franceze dhe do të mbante ligjërata mbi filozofinë e Hegelit në Paris, të arrijë të ndikojë konceptet teorike të Francis Fukuyamas, një djali të një refugjati japonez në SHBA.) Kojeve pajtohet me Hegelin se me revolucionet demokratike i vie fundi historisë. Por, Kojeve është tepër radikal në përfundimet e tij teorike. Ai mendon se fundi i historisë nuk do të thotë vetëm fundi i betejave dhe konflikteve të mëdha politike, por edhe fundi i filozofisë.Në qoftë se mund të pranojmë tezën e fundit të historisë në rrafshin ideologjik, në asnjë rast nuk mund ta pranojmë fundin e filozofisë. Fenomenologjia, Realizmi Kritik, Filozofia Egzistencialiste, Hermeneutika, Strukturalizmi etj. janë vetëm disa nga dëshmitë e kohës se filozofia bashkëkohore vazhdon të egzistojë pavarësisht lindjeve dhe rënieve të ideologjive në shekullin 20-të dhe në fillim të shekullit 21. Kjo gjë mund të thuhet edhe për artin, kulturën dhe historinë si shkencë.

4. Lufta për njohje

Pjesa e tretë e librit të Fukuyamas mban titullin “Lufta për njohje.” Ajo fillon me dy citate. Në njërin citohet Hegelit të thotë se „vetëm duke rrezikuar jetën fitohet liria“ dhe në tjetrin citohet Kojevi, i cili shkruan: „çdo dëshirë antropologjike njerëzore është në funksion të dëshirës për ‚njohje‘.” Fukuyama argumenton se historia ka ardhur në fundin e formës së saj aktuale të organizimit social dhe politik. Jeta në shtetin universal dhe homogjen është e pajtueshme plotësisht me dëshirat e qytetarëve të saj.

Në mes të Hobbesit, Lockut dhe Hegelit Fukuyama zgjedh këtë të fundit. Së pari, sipas tij, Hegeli na pajisë me një kuptim më fisnik të liberalizmit se sa Hobbesi dhe Locku dhe së dyti koncepti i Hegelit për historinë si “luftë për njohje është shumë i dobishëm për ta kuptuar botën bashkëkohore. Hegeli, ndryshe nga Hobbesi dhe Locku, interesohet më shumë për kuptimin e shoqërisë liberale të bazuar në pjesën jo-egoiste të personalitetit të njeriut dhe kërkon të mbrojë këtë pjesë si bërthamë të projektit modern politik. Njeriu i parë i Hegelit dallon shumë nga shtazët jo vetëm përmes dëshirës së tij për objekte reale „pozitive“, por edhe për objekte të tilla që janë krejtësisht jomateriale: „Në mesin e shumë dëshirave nga njerëzit e tjerë, është dëshira për t’u njohur nga të tjerët.“ Dhe ajo që e konstituon identitetin e njeriut si njeri, karakteristika më fundamentale dhe unike njerëzore, është aftësia e njeriut të rrezikojë jetën e tij. Pra, ai është në gjendje të rrezikojë jetën për njohje nga njeriu tjetër dhe sidomos për njohjen e qenies së tij si njeri.

Fukuyama shkruan se Hegeli dhe Marksi mbrojnë pikëpamjen se shoqëria primitive ka qenë e ndarë në klasa shoqërore. Ky konstatim nuk është plotësisht i saktë. Marksi dhe Engelsi mbronin pikëpamjen se Komuniteti i Parë Primitiv duhet të ketë qenë një lloj shoqërie pa klasa, një formë fillestare e organizimit social dhe politik, në të cilën sundonte pronësia e përbashkët mbi resurset e domosdoshme. Vetëm me krijimin e pronës private, akumulimin e kapitalit dhe shfrytëzimin e punës së skllavit në Shoqërinë Skllavopronare ka ardhur deri te krijimi i klasave sipas Marksit. Natyra e klasave sipas Hegelit nuk është identike me atë të Marksit: për Hegelin diferencat klasore kanë qenë të natyrës jo ekonomike. Shoqëria ka qenë e ndarë në mes të padronëve, të cilët ishin të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre për njohje dhe prestigj dhe skllavëve, të cilët nuk ishin në gjendje ta bëjnë këtë. Fukuyama mbron pikëpamjen se në këtë pikë Hegeli ka më shumë të drejtë se sa Marksi.

5. Njeriu i parë dhe njeriu i fundit

Përshkrimi i “njeriut të parë“ në pjesën e tretë të librit të Fukuyamas, pasohet nga përshkrimi „i njeriut të fundit“ në pjesën e pestë e librit. Përderisa në pjesën e tretë vetëm kapitulli i 14-të mban titullin “Njeriu i parë”, e gjithë pjesa e pestë të librit mban titullin “njeriu i fundit.”

„Njeriu i parë“ i Hegelit në “Fenomonologjinë e frymës” jetonte në fillim të historisë dhe funksioni filozofik i tij ishte i padallueshëm nga “njeriu në shtetin e natyrës” të Hobbesit, Lockut dhe Rousseauit. Hobbesi e përshkruan njeriun e parë në gjendjen natyrore, në të cilën njerëzit jetojnë pa ligj dhe pa shtet. Ky njeri i parë, sipas Hobbesit, jeton i lirë nga kufizimet, morali, tradita, religjioni dhe shteti. Ai gjendet i rrezikuar nga dhuna, anarkia dhe paligjshmëria që do ta shpjerë te lufta e secilit kundër secilit. Për Hobbesin synim i njeriut është mbrojtja e ekzistencës fizike të individit, duke shmangur anarkinë, luftën e secilit kundër secilit. Këtë gjë mund ta bëjë Leviatani, i krijuar mbi bazën e një kontrate sociale, si instancë e gjithfuqishme, që e imponon respektimin e ligjeve dhe sanksionon dënime për ata që nuk ju përmbahen ligjeve.

Sipas Hegelit potenciali i lirisë së skllavit është historikisht më i rëndësishëm se ai i padronit. Skllavi nuk është i lirë. Ai nuk e njeh lirinë, vetëm mund ta përfytyrojë atë. Liria për të është abstrakte. Prandaj ideja e tij e lirisë është më shumë filozofike. Dhe skllavi e ka në ndërdije dëshirën e tij për liri dhe njohje. Kjo dëshirë e tij është motori që e ka shtyrë historinë përpara dhe jo vetëkënaqësia dhe identiteti statik i padronit.

Përderisa lufta për njohje e ka shkaktuar betejën e parë të përgjakshme në mes të njerëzve, historia ka përfunduar për shkak se shteti universal dhe homogjen ka realizuar njohjen reciproke dhe e ka përmbushur këtë dëshirë të madhe të njeriut. Pra, skllavi e ka realizuar lirinë e tij. Madje Fukuyama, duke u thirrur në Kojevin, konstaton se Amerika e ka arritur “shoqërinë pa klasa” të Marksit: “jo se janë evituar të gjitha pabarazitë, por se barrierat e mbetura janë në njëfarë mënyre “të domosdoshme dhe të paçrrënjosshme” më tepër për shkak të natyrës së gjërave, se në saje të dëshirës së njeriut.”

Por, përderisa duhet nënvizuar me të drejtë se komunizmi dështoi në tentimin për të realizuar një formë ekstreme të barazisë sociale dhe për të eliminuar pabarazinë natyrore, modeli liberal amerikan i mirëqenies sociale ka përballë dy modelet e tjera të mirëqenies sociale: sistemin (socialdemokratik) në Skandinavi dhe atë evropian kontinental (RFGJ, Austri). Sociologu danez Gosta Esping-Andersen ka zhvilluar një tipologji në mes të këtyre tri tipeve të shtetit të mirëqenies sociale bazuar në analiza empirike. Asnjë nga të tri këto modele megjithatë nuk bien ndesh me konceptin e Fukuyamas për fundin e historisë.

Fukuyama shkruan se revolucinarët që luftuan kunder Securitates së Çausheskut në Rumani, studentët trima kinezë që qëndruan para tankeve në Sheshin Tian’anmen, lituanezët që luftuan kundër Moskës për pavarësinë e tyre, ne do të shtonim këtu edhe shqiptarët që luftuan për lirinë e tyre në Kosovë, janë njerëzit më të lirë dhe më human. Ata e ndryshuan gjendjen nga gjendja e skllavit në njerëz të lirë, duke rrezikuar jetën e tyre në betejën e përgjakshme.

Njeriu i fundit sipas Fukuyamas është një kreaturë që do të lind në fund të historisë. Ai e përshkruan njeriun e fundit si individ që e vendos vetë-mbrojtjen para çdo gjëje. Edhe në këtë gjendje të tij post-historike ai i ngjan skllavit të Hegelit në betejën fillestare të historisë. Megjithatë ai e ka tani përvojën historike, e cila është karakterizuar me luftëra, evolucione dhe revolucione, të cilat e kanë lodhur përgjatë historisë. Njeriu i fundit prandaj lëvizë drejt fundit të historisë së tij, drejt demokracisë liberale. Përvoja e tij e ka mësuar që të mos e rrezikojë jetën më në „beteja të kota“ dhe për „paragjykime të kota.“ Prandaj fundi i historisë do të jetë edhe fundi i luftës dhe revolucioneve të përgjakshme. Njerëzit nuk do të kene nevojë të luftojnë më. Ata do t’i përmbushin nevojat e tyre përmes aktivitetit ekonomik.

6. Krishterizmi, islamizmi dhe protestantizmi

Të dhënat empirike e vërtetojnë lehtë konstatimin e Fukuyamas se shumica e demokracive të sotme janë vende të krishtera. Por, religjioni nuk e përcakton per se demokracinë dhe shoqërinë e lirë. Edhe sot ka vende të krishtera, te të cilat sundon një autoritarizëm i tmerrshëm, ashtu siç gjenden mjaft vende të religjioneve jo të krishtera që janë tolerante.

Fukuyama konstaton më se një herë se nuk egziston më një ideologji me shpërndarje universale, e cila mund të sfidojë demokracinë liberale. Në kohën kur u shkrua libri i Fukuyamas islamizmi konsiderohej si ideologji sistematike, që kishte mbetur e fortë përmes kodit të saj moral dhe doktrinës politike dhe shoqërore, i cili i kalonte përmasat e një grupi të caktuar etnik dhe kishte mbështetje në shkallë ndërkontinentale. Revolucionet demokratike, që përfshin vendet islame në vitin 2011, e thyen idenë e shoqërive islame si zona të paprekura nga revolucioni liberal. Procesi i transformimeve shoqërore në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme është ende në rrjedhë. Krahas depërtimit të një fryme të fuqishme të demokracisë liberale në këto vende, u rilind edhe një nga variantet më të ashpra të islamizmit ekstrem – fundamentalizmi islamik. Por, islamizmi nuk ka gjasa të shpërndahet përtej zonave me kulturë islame. Madje në disa prej tyre, si në Ballkan dhe në Azinë Juglindore, po rrjedh një proces i reformimit të islamit në akord me zhvillimet bashkëkohore shoqërore. Mbetet të shihet nëse përfundimi i proceseve demokratike në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme do të sjellë më të fuqishme frymën demokratike liberale apo atë islamiste radikale.

Megjithatë, problem kryesor mbetet aktualisht fundamentalizmi islamik, i cili përmban në vete shumë ngjajshmëri sipërfaqësore me nazifashizmin evropian të shekullit të kaluar. Njësoj si nazifashizmi fundamentalizmi islamik ka rizgjuar më së shumti urrejtjen për shtetet liberale. Burimi i tij duhet parë në dështimin e shoqërive islame për ruajtjen e koherencës së shoqërive të tyre tradicionale duke asimiluar me sukses teknikën dhe vlerat e perëndimit. Islami nuk ka arritur të zhvillojë idenë e sekularizmit, gjë që kristianizmi e ka arritur përmes variantit të tij protestant. Nevoja për një protestantizëm islamik me bazë sekularizmin dhe tolerancën ndërreligjioze është imediate. Një lëvizje e tipit protestant në islam do të arrinte ta bëjë çështje private raportin e besimtarit me zotin, të rekomandojë ndarjen e religjionit nga shteti, të heqë dorë nga pretendimi për të rregulluar çdo aspekt të jetës njerëzore, publike dhe private, përfshirë edhe fushën e politikës, të njohë barazinë njerëzore dhe të drejtat universale, përkatësisht të drejtën e gruas, lirinë e bindjes dhe religjionit.

7. Nacionalizmi dhe patriotizmi

Fukuyama shkruan se nacionalizmi është një manifestim i dëshirës për njohje. Ai synon zëvendësimin e raportit të padronit me robin me një njohje të ndërsjellë barazie. Nacionalisti është më shumë i preokupuar me njohjen dhe dinjitetin se sa me rritjen ekonomike. Historia njerëzore fillon me betejën e përgjakshme të individit për njohje dhe prestigj të pastër. Edhe konflikti ndërkombëtar fillon me luftën për njohje në mes të shteteve. Lufta për njohje e Republikës së Kosovës e argumenton saktësinë e këtij konstatimi të Fukuyamas. Sistemi egzistues i shtetit nuk do të shpërbëhet në shtetin universal homogjen, siç e pretendojnë idealistët. Kombi do të vazhdojë të mbetet poli qendror i identifikimit.

Fukuyama nuk e dallon nacionalizmin nga patriotizmi. Dinjiteti që sygjeron patriotizmi është universal, kombëtar e njerëzor, kurse nacionalizmi e njeh vetëm të drejtën e bashkësisë së tij kombëtare ose etnike. Nacionalizmi sjell deri te konflikti potencial me kombet tjera, të cilat kërkojnë poashtu njohjen e dinjitetit të tyre, kurse patriotizmi synon respektin e ndërsjellë në mes të kombeve. Filozofi kanadez Charles Taylor e profetizon rolin e patriotizmit edhe për të ardhmen si një

“kështjellë të fortë të lirisë… pa mundur të zëvendësohet me diçka tjetër… Patrioti i përkushtohet veçse një mënyre të caktuar të lidhjes së një të kaluare, e cila e ka veshur atë me një identitet të dallueshëm moral dhe politik, me një të ardhme për këtë projekt që është kombi i tij dhe që ai ka përgjegjësinë për ta sjellë në jetë.”

Ideja lëvizëse e shtetit nacional është më e fuqishme se sa ajo e religjionit dhe ideologjisë. Prandaj rënia e komunizmit në Evropën Lindore u pasua nga lëvizjet nacionale dhe nacionaliste. A ishin lëvizje nacionaliste lëvizjet në Estoni, Lituani, Letoni, Kosovë, Slloveni dhe Kroaci? Pas procesit të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë të gjitha këto vende shprehën hapur dëshirën për fillimin e procesit të integrimit të shteteve të tyre, mezi të krijuara, në Bashkimin Evropian. Si mund të shpjegohet që këto shtete, të cilat fillimisht luftuan për pavarësi, përnjëherë pretendojnë të hyjnë në lidhje të reja me krijesa tjera supranacionale? Shpjegimi i vetëm është se këto lëvizjet për pavarësi në Estoni, Letoni, Lituani, Kosovë, Slloveni dhe Kroaci nuk kanë qenë lëvizje nacionaliste, por lëvizje për liri, pra lëvizje patriotike. Synimi i tyre drejt integrimit në kuadrin e kombeve të lira të Bashkimit Evropian është vetëm një përfundim logjik i këtij orientimi patriotik drejt lirisë. Lëvizje nacionaliste janë lëvizjet në Serbi dhe Rusi, të cilat synojnë të pushtojnë dhe sundojnë kombet tjera.

Fukuyama e definon Bashkimin Evropian si një lidhje të shteteve nacionale, si një Evropë të Bashkuara të shteteve kombëtare. Me këtë ai e vë në pah jo vetëm identitetin e fuqishëm kombëtar të vendeve të BE, por edhe e parashikon “fundin e historisë” në Evropën e Bashkuar të shteteve kombëtare. Ai ka plotësisht të drejtë në këtë pikë. BE është strukturë e shteteve kombëtare dhe jo federatë ose konfederatë, që synon zhdukjen e kombeve. Referendumi në Britaninë e Madhe për largim në vitin 2016 dhe referendumet në Holandë dhe Francë ne vitin 2005 e dëshmojnë se kombet duan të ruajnë identitetin e tyre brenda BE. Respektimi i secilës gjuhë kombëtare dhe identitetit të secilit komb në BE është shumë i rëndësishëm. Shtetet e reja të dala nga Federate Sovjetike, Jugosllave dhe Çekosllovake janë futur në BE jo për tu shkrirë kombet e tyre, por për t’u bërë pjesë e Evropës së Bashkuar si kombe të barabarta. Projekti për Kushtetutën e BE dështoi pikërisht në lidhje me çështjen kombëtare. Kritika bazohej në atë se po synohej të krijohej një “super shtet.” Kushtetuta e tillë do të kufizonte sovranitetin e shteteve kombëtare së tepërmi dhe përmes ndërhyrjeve të ndryshme juridike do të shfuqizonte fuqinë vendimmarrëse në nivel kombëtar. Me këtë do të zhdukeshin karakteristikat regjionale, kulturore dhe gjuhësore kombëtare dhe Evropa do të shndrrohej në një mishmash të bashkuar të eurokratëve.

8. Koncepti i Fukuyamas mbi demokracinë

Ndryshe nga shumë studiues të tjerë Fukuyama nuk i sheh si rrezik religjionin dhe nacionalizmin për demokracinë liberale. Madje ai konstaton se nuk ka asgjë jokompatibile, nuk egziston ndonjë konflikt thelbësor në mes të nacionalizmit, religjionit dhe demokracisë liberale. Nuk mund të pajtohemi me këtë konstatim të tij. Nacionalizmi, në variantin e tij ekstrem, ashtu si edhe fundamentalizmi religjioz janë sot sfiduesit kryesor të demokracisë liberale. Nacionalizmi serb shkaktoi katër luftëra në Evropën Juglindore në mes viteve 1992-1999. Nacionalizmi rus sot është duke bërë luftë në Ukrainë, e mban në tension Gjeorgjinë dhe Moldavinë dhe e ka zhbërë Çeçeninë. Në të njëjtën kohë fundamentalizmi islamik në Siri dhe Irak është shndrruar sot në një problem serioz për paqen ndërkombëtare.

Rasti i Gjermanisë naziste është sfidues për secilin studiues që e lidh modernizimin me demokracinë. Gjermania naziste i plotësonte të gjitha parakushtet për një demokraci stabile. Ajo ishte e integruar në rrafshin nacional, ishte zhvilluar ekonomikisht, në të dominonte shumica protestante, kishte një shoqëri të etabluar civile dhe nuk ishte më pak egalitare në rrafshin social se sa vendet e tjera të Evropës Perëndimore. Megjithatë në këtë shoqëri lindi ekstremizmi i djathtë në variantin e tij më të egër dhe më antinjerëzor – atë të nazifashizmit.

Në fakt konceptimi i demokracisë liberale në shoqëritë komunitare të Azisë është i diskutueshëm. Në disa nga këto vende njihet primati i grupit para individit. Liria e individit për t’ju shmangur presionit të bashkësisë është shumë e ngushtë. Në rast se ai synon të mbrojë dinjitetin dhe të drejtat e tij kundër grupit, ai do të jetë subjekt i ostracizmit dhe do t‘i nënshtrohet një tiranie të hapur despotizmi, përkatësisht asaj që Tocqueville e quan “tirani e shumicës.” Edhe pse demokracia në disa vende të Azisë mund të duket si diçka autoritare sipas standardeve evropiane ose amerikane, sistemi mbetet minimalisht demokratik, konform një tradite joevropiane, përmes mbajtjes së zgjedhjeve shumëpartiake dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore.

Edhe brenda vetë vendeve të demokracisë liberale ka dallime të ndjeshme në lidhje me dy principet themelore: lirinë dhe barazinë. Këto dy koncepte në fakt janë të gërshetuara mes vete. Nuk ka barazi maksimale pa liri, ashtu siç nuk mund të ketë liri reale pa barazi. Sistemi skandinavian i mirëqenies socialdemokrate e vë më shumë theksin te barazia, përderisa ai në SHBA dhe Australi te liria. Fukuyama mbetet ithtar i variantit të SHBA.

Rizgjimi i fundamentalizmit islamik në variantin e tij më ekstrem përmes ISIS-it e sfidon vetëm sipërfaqësisht tezën e Fukuyamas për fundin e historisë në rrafshin ideologjik. Lëvizja radikale islame është më shumë lëvizje politike-ideologjike se sa religjioze, kulturore ose civilizuese. Përfaqësuesit e xhihadizmit islam e kanë projektuar një sistem tjetër e të dallueshëm vlerash në lidhje me shtetin, politikën, shoqërinë, kulturën, të drejtat e njeriut dhe kanë qëllim sfidimin e demokracisë liberale, siç synonin ta bënin këtë gjë fashizmi dhe komunizmi në shekullin e kaluar. Por, islamizmi, dhe aq më pak varianti i tij fundamentalist, nuk ka gjasa reale ta sfidojë seriozisht demokracinë liberale në rrafshin universal. Fundamentalizmi islamik më shumë e sfidon vetë islamin. Vendet islame nuk kanë arritur të krijojnë një model vlerasht të pranueshëm gjithanshëm e hierarkik dhe nuk kanë arritur të kenë një shembull suksesi ekonomik ose social në vendet ku është zbatuar sistemi i tyre. Konfliktet më të ashpra sot janë brenda vetë shoqërive islame, ndryshe nga komunzimi, i cili kishte karakter global dhe kishte një superfuqi në pushtet (BRSS). Problem i madh për demokracinë do të jenë vendet si Franca, Holanda dhe nga viti i kaluar edhe Gjermania, të cilat kanë një numër të madh muslimanësh. Ato nuk kanë traditë në integrimin kulturor të të huajve si SHBA dhe Australia. Paralajmërimi i Fukuyamas për një konflikt me gjeneratën e dytë dhe të tretë të muslimanëve në këto vende duket qartë në sfond të zhvillimeve politike.

Se a do të mund të zhvillojnë një model reformist islam shoqëritë e moderuara mbetet të shihet. Shqipëria dhe Kosova në këtë mes dallojnë shumë nga shoqëritë islame në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Turqi ose Azinë Juglindore. Tradita shekullore e vendosjes së epiqendrës identifikuese më shumë te kombi se sa te religjioni, sipas sentencës së Vaso Pashës „Feja e shqiptarit është shqiptaria“, ka krijuar një harmoni tradicionale ndërreligjioze dhe hapësirë për një orientim të qartë proevropian të kombit shqiptar.

9. Kritikë

Titujt e të pesë pjesëve të librit “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit” kanë më shumë natyrë publicistike se sa shkencore. Kjo gjë i karakterizon edhe titujt e kapitujve. Duket që Fukuyama synonte që përmes titujve të bënte librin me popullor. Përkundër titujve, përmbajtja e tekstit ka një natyrë të mirëfilltë shkencore e filozofike.

Fukuyama përdorë metodë marksiste për të dëshmuar përfundimin e komunizmit. Kjo e bënë atë një objekt të jashtëzakonshëm të kritikës nga të gjitha drejtimet ideologjike. Janë lehtë të vërejtshme edhe një numër kontradiktash në tekst. Për shembull ai konstaton se për shoqëritë me polarizime të shkallës së lartë klasore, nacionale ose religjioze demokracia nuk është varianti më i mirë për zgjidhjen e konflikteve në mes të grupeve etnike dhe nacionale. Sipas tij një sistem modern diktature mund të jetë në princip më efektiv se demokracia për krijimin e parakushteve që do të lejonte rritjen ekonomike kapitaliste dhe krijimin me kohë të një demokracie stabile emergjente. Kurse në rastin tjetër ai shkruan se kontradiktat klasore, nacionale, etnike dhe religjioze mund të zbuten më lehtë në një sistem të demokracisë liberale.

Një shembull tjetër kontradiktor është konstatimi i tij se të dhënat empirike dëshmojnë se modernizuesit autoritar të tregut të lirë e zhvillojnë më mirë ekonominë se sa shtetet demokratike. Regjimet autoritare sipas tij e shfrytëzojnë aparatin shtetëror për të imponuar politikën ekonomike dhe për të evituar pengesat. Në të njëjtën kohë ato imponojnë disciplinën sociale në popullsi dhe inkurajojnë një liri inovacioni dhe punësimi në fushën bashkëkohore teknologjike. Por, pak më vonë Fukuyama shkruan se ka një lidhje të qartë në mes zhvillimit ekonomik dhe demokracisë liberale. Demokracia liberale është kompatibël me pjekurinë industriale dhe preferohet nga shumica e qytetarëve të shteteve të zhvilluara.

Kritikën më të ashpër kundër tezave të Fukuyamës e ka formuluar Samuel P. Huntington. Huntington mbron pikëpamjen se burimi kryesor i rendit të ri pas Luftës së Ftohtë nuk do të jetë ideologjik, as ekonomik, por kulturor:

“Shtetet kombëtare do të mbeten aktorët më të fuqishëm në çështjet botërore, por konflikti principiel në politikën globale do të ndodh në mes të kombeve dhe grupeve të civilizimeve të ndryshme. Lufta e civilizimeve do ta dominojë politikën globale. Kufijtë e dobët në mes të civilizimeve do të shndrrohen në kufijë të betejave në të ardhmen.”

Ai mbron pikëpamjen se disa nga vlerat e demokracisë liberale nuk kanë natyrë universale, por vetëm kulturore. Një shtet, federatë, a konfederatë botërore nesër nuk do të duhej të synonte uniformitetin kulturor global ose “njeriun e Davosit” siç e quan Huntingtoni.

Fukuyama e përshkruan Bashkimin Evropian si një projekt të një shtëpie të ndërtuar për njeriun e fundit, i cili do të shfaqet në fund të historisë. Zhvillimet në Bashkimin Evropian që nga koha e botimit të librit të Fukuyamas kanë qenë të dyanshme: në favor dhe në kundërshtim të tezave të Fukuyamas. Numri i vendeve anëtare është rritur nga 12 vende në 28 vende anëtare dhe është hapur perspektiva për 6 vende të Evropës Juglindore për pranim. Është aprovuar monedha e përbashkët dhe janë akorduar një mori ligjesh nacionale me ato të BE. Por, në të njëjtën kohë kanë dështuar referendumet në Holandë dhe Francë për pranimin e Kushtetutës së Bashkimit Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar është në proces largimi nga BE, pas referendumit të 23 Qershorit 2016. E ardhmja e këtij modeli të njeriut të fundit aktualisht është ende e pasigurtë.

Konstatimin e Fukuyamas për një rritje të dominimit të Gjermanisë në BE mund ta pranojmë si të saktë. Gjermania e sotme e dominon në mënyrë të ndjeshme BE si në rrafshin ekonomik, ashtu edhe atë politik, gjë që nuk ishte fakt real në kohën kur është shkruar libri i Fukuyamas. Megjithatë bota historike dhe pas-historike nuk kanë mbetur aq të ndara siç e ka parashikuar ai. Procesi i globalizmit, veprimi i terrorizmit ndërkombëtar edhe në botën pas-historike dhe lëvizja e refugjatëve nga bota historike në atë pas-historike dëshmojnë për interkoneksionin e vazhdueshëm mes shteteve dhe kulturave. Përkundër angazhimeve të shumta të demokracive pashistorike në mbrojtjen e vetes nga kërcënimet e jashtme dhe në promovimin e çështjes së demokracisë në vendet te të cilat ajo nuk egziston, raportet në mes të demokracive dhe jo-demokracive karakterizohen nga mosbesimi dhe frika e ndërsjellë.

Shumë kritikë të Fukuyamas mbrojnë pikëpamjen se demokracia liberale nuk paraqet një gjendje stabile përfundimtare. Vetë shtete që zbatojnë këtë sistem kanë kundërshti të shumta të brendshme dhe mes tyre. Raportet brenda dhe mes shteteve nuk karakterizohen nga një sistem egalitar. Pabarazia në mes të shteteve ka natyrë ekonomike, kulturore dhe zhvillimore. Filozofi francez Jacques Derrida shkruan se,

“në vend të gëzimit për arritjen e idealit të demokracisë liberale dhe të tregut kapitalist në euforinë për fundin e historisë, në vend të festimit për ‘fundin e ideologjisë’ dhe fundin e diskurseve të mëdha emancipuese, le të mos e lëmë pas dore këtë fakt të qartë makroskopik, shfaqur nga faqe të panumërta të vuajtjes: asnjë shkallë e progresit nuk lejon të injorohet fakti se kurrë më parë, në shifra absolute, nuk ka pasur kaq shumë burra, gra dhe fëmijë, që janë nënshtruar, uritur ose shfarosur.”

Ky shkrim fillimisht është publikuar në virtualsophists.org