SHARE

Mos shih formën tënde të bukur a të shëmtuar,
Shiko Dashurinë dhe Atë që je duke kërkuar!
Mos shiko ultësinë dhe dobësinë tënde,
por, o njeri fisnik, shih aspiratën tënde!

Në çfarëdo gjendje të jesh, kërko!
Ujin pareshtur, o buzëtharë gjurmo!
Sepse buzët e tua të thara dëshmojnë
që etja, në fund, në krua do të të çojë.

Thatësia e buzëve është haber nga uji:
“Vazhdo lëvizjen, do më gjesh patjetër!”
Kërkimi është lëvizje e forbekuar,
vret pengesat në rrugët drejt Perëndisë.
Ai është çelësi për te caku i dëshiruar,
ushtria jote dhe fitorja e bajrakëve të tu.

 

Kush synon lumturi është një gjë,
Dashuruesi është diçka tjetër.
Kush dashuron kaptinën e tij
Nuk ka këllqe për Dashurinë.

Si ta kërkojnë afshin e zemrës
dhe mbiqëndrimin e shpirtit
dy sytë  e perflakur të Dashurisë
të fundosur në gjakun e mëlqisë?

Dashuruesi nuk qahet për dertin,
as nuk fërkon sytë nga bremga:
çdo çast më keq dëshiron të jetë.
Ai nuk e don një ditë me mbarësi
as nuk begenis një natë me rehati,
mes ditës e natës, si agu, rri fshehur zemra e tij.

Bota ka dy fole: fatmbarësinë e fatkeqësinë;
pasha Thelbin e Shenjtë të Perendisë,
ashiku jashtë të dyjave rri!
Oqeani nuk e bënë të vlojë dot,
se ai është margaritar  pa shok.
Fytyra e tij s’ka ardhur nga miniera,
ndonëse është verdhë si ari, e tëra.

E dashururar me Mbretin e shpirtit,
si të kërkojë zemra mbretëri?
I ngazëllyer nga beli i hollë i Tij,
si të kërkojë shpirti petk nderi?

Sikur një grif në botë të hynte,
ashiku hijen nuk do t’ia lypte,
sepse ai është i dehur me ashk
për atë Grif të lartë me nam,
Sikur bota të bëhej e tëra sheqer,
zemra prap do t’i rënkonte si nej;
e sikur i Dashuri të thoshte “Jo”,
ai prap do të shkrinte si sheqer.
E pyeta Zotin tim për Shemsin e Tebrizit
i cili ka banesë të përhershme Dashurinë:
“Pse një mbret i tillë të niset për udhëtim ?”

 

Dashuruesit , që vdesin me vetëdije,
vdesin si sheqeri përpara të Dashurit.
Ditën e Alastit, ata pinë Ujin e Jetës,
ndaj nuk mund të vdesin si të tjerët.
Ngase janë ringjallur në Dashuri,
ata nuk vdesin si njerëzit e turmës.
Me hirin e Zotit i kaluan engjëjt,
larg qoftë që të vdesin si njerëzit!
Pandeh se luanët vdesin si qenër,
larg nga Prania e Tij?

Kur dashuruesit vdesin në udhëtim
Mbreti i shpirtit rend për t’i takuar.
Kur vdesin në këmbët e asaj Hëne,
shndrisin të gjithë si diell i praruar.
Ashikët, që janë shpirti i njëri tjetrit,
vdesin në ashkun e tyre të ndërsjellë.
Uji i Ashkut ua zbut mëlçitë lënguese
bëhen tok dhe vdesin në atë brengë.
Secili është margaritar i pashok,
nuk vdes pranë nënës  e babait.
Dashuruesit fluturojnë te sferat,
femohuesit vdesin te Skëterrat.

Ashikët hapin syrin që sheh të Padukshmen,
e të tjerët vdesin të gjithë pa frikë apo rrezik.
Ata që adhuruan tagji në këtë terë
ishin bagëti dhe vdesin si gomerë.
Por ata që e synuan atë vizion sot,
në mes të tij vdesin shend e verë.
Mbreti i vendos pranë Butësisë së tij
ata nuk vdesin në këtë ultësi e vogëlsi…

 

Nuk i flas unë këto fjalë, pyet Dashurinë,
në këtë temë jam ndër ata që hiç nuk dinë;
sepse këtë rrëfenjë mund ta tregojnë
vetëm ata që me mijëra vite rrojnë

E çfarë di unë? Fëmijë i çastit kam qëlluar.
Fëmija im është parazit i të Vetmit të Amshuar,
nyjëzimi me të ciliin shumë shekuj m’ka dhuruar.
Unë flas fjalë të përmbysura, sepse
bota e përmbysur më kthen përmbys.
Dëgjoma fjalën kur shpirti im i trazuar
jashtë këtyre vorbullave të ketë vallëzuar!

Fjalët e ujit dhe baltës si lëmsh janë degëzuar,
si mund t’i bëj një ngjyrë, mbi degë i vënduar?
Jo, gabova, se, ashtu si dielli, një ngjyrë kam,
por i fshehur pas reve të kësaj bote të ulët jam.

 

Milingona kënaqet me një kokërr gruri të tharë,
pse kallirin tonë jeshil të freskët ajo s’e ka parë.
Thuaji asaj: “Erdh’ pranvera, ti ke këmbë e duar,
përse nuk e lë varrin, e drejt fushës për të shkuar?”

C’vend është ky për një milingonë?
Hirkën e mallit e grisi ai Solomon!
Zot, mos më ndëshko për këso të kalbura analogji,
por hirkat qepen sipas shtatit të secilit myshteri.

Ndonëse copa është e gjatë, ai është i shtatëshkurtër.
Sill një shtat të lartë, se do të presim një copë,
gjatësinë e anës së të cilës as hëna s’e mat dot.