SHARE

Hidh një sy në pasqyrë dhe shiko fytyrën tënde: në fillim do të shikosh një fytyrë të bukur, e … atëhere mënt fluturon nga gëzimi e nga kënaqësia e vetëvehtes. Por pastaj pakngapak do t’i zbulosh të metat e fytyrës e do të thuash me vetvehte: ja, në fytyrë paskam ca pika të vogla, hundën e paskam pak të gjatë: sytë i paskam si shumë të futur a si shumë të dalur nga gropkat e ballit; veshët duken si lopata, goja u dukërka e madhe, buzët qenkan të trasha: balli paska disa rrudha, vetullat u zgjatkan parregull etj etj.

Fytyrën s’e paskam aq të bukur sa kujtoja në fillim; edhe një përfundim tjetër, u dëshpërova! Unë jam anëtar i asaj ane, që mendon se pasqyra është një shpikje njerzore jo për të ndrequr, por për të prishur; jo për të kënaqur njerzinë, por për ta dëshpëruar atë; jo ëmbëlsirë, por vrer!

Pasqyra tallet me njerinë; tallet pikësëpari, pse na zbulon të metat e fytyrës: kjo është njësoj si të të nxjerrë në shesh ndonjë njeri të palarat e tua; e dyta dhe më e madhja është se ajo na çfaq pamjet tona të ndryshme në moshë të ndryshme: kur jemi të rinj, pa u thelluar, na tregon si pëllumba, kurse kur mplakemi na tregon si lugetër. A nuk është gjë e tmerrshme, kur shikon këtë ndryshim të madh në vetvehte!! Prandaj unë ngul këmbë që të zhduket pasqyra: Nuk pranoj kursesi të më tallë një gjë pa shpirt!