SHARE

E nëse ndodh që një ditë të më
kujtosh,
Kujto takimin tonë të parë,
Ose të dytin!
Mos e ço mendjen tek grindjet apo tekat
e mia të xhelozisë.

Më mbaj mend si diçka të bukur, të lutem.
Si një kujtim të vyshkur, që merr jetë në
mendjen tënde sa herë që bie shi,
Për të mos përmendur borën.
E nëse ndodh që vërtet të më kujtosh ndonjë ditë,
Kujto përqafimin e parë,
Tik-takun e shpeshtë të zemrës time në
atë çast ëndrrash. Kujto puthjen e parë,
Të dytën,
Të tretën…
Kujtoi të gjitha puthjet, deri në momentin
që nuk doje të të puthja më.

Aty ndalo, të lutem.
Mos fillo të më kujtosh më, sepse nuk
jam më unë pas atij momenti.
Më mbaj mend si një kujtim të bukur,
të lutem.
Si diçka që ta mbushi dhjetorin plot me kujtime,
Diçka që s’doje ta merrje me vete në janar,
Por e mbajte edhe në shkurt dhe mars.
Gjysmë-mars më saktë.
E di çfarë?
Mos e kujto marsin fare.
As prillin!
Sa herë që më ndodh të të kujtoj ty,
Kujtoj bisedat tona të para,
Takimin e parë,
Vendin e takimit,
Përshëndetjen e parë,
Udhën në të cilën nisëm të ecnim…

Kujtoj çdo emocion dhe ndjenjë që më dhurove.
Do ta kujtoj për një kohë të gjatë.
Nuk të premtoj përjetësi në kujtimet e mia,
Por të premtoj që, sa herë që do t’kujtoj,
do të ndjej mall për ato ditë,
Për atë kohë,
Për atë dashuri, që nga burrë më ktheu në fëmijë.
Do të mbetësh gjithmonë nota ime e tetë,
I teti planet,
E teta mrekulli…
Poezia më e bukur,
Vargu më i dashur,
Rima më e mirë…
Do të mbetësh gjithmonë fëmija im i lumtur,
me fytyrën e shndritur prej buzëqeshjes tënde plot jetë.
Premtoj!
E nëse ndodh…
Nëse ndodh vërtet që ndonjë ditë do të më kujtosh,
Më kujto si diçka të bukur,
Si një kujtim të bukur,
të lutem.

©- Izmir Todaj