SHARE

“…Kur bie borë e fryen erë e bardhë…”
I mbyll sytë. E ftohtë, ec e vallëzon bashkë me zymtësinë. Përderisa hedh hapat, si e paprekshme nga toka, e lirë në ajër, sikur mundohet të fluturojë, të gjejë një vend në zemër, për diellin. Tashmë ka mësuar vallen e saj, i rri mirë besoj, ka mësuar çdo ritëm e hap të saj.

Flokë të gjatë e të shprishur, fustan i bardhe që lehtas mbulon trupin shtathollë gjer në tokë, nga sytë e mbyllur, që mbyll më fuqishëm për të qartësuar vendin e zemres, për ta ndjerë në krahëror, sikur për inat nuk duket asnjë lot. I ngrirë brenda saj, diku në thellësi të retinës a irisit të shkruar. Ashtu, përplaset në murin e akullt që përtej ka dashurinë. Veri i ftohtë vrapon pas saj, për ta goditur rrëshqitshem lëkurën, për t’i ftohur zemrën e brenda saj të ndertojë njeri prej bore.

Ka harruar ta kujtojë bardhësinë. Bardhësia është e ndritshme, s’mund ta shikojë. Prandaj i mbyll sytë. Për ta shëruar shikimin. Për të mos depërtuar diku në atë dritë të bardhë. Errësira s’e lë! Verbëri. Natë. Terr, diku thellë në brendinë e saj, sado bora është e bardhë. Re që s’duken në qiellin e natës. Edhe hana mungon sonte! Ftohtë, shumë ftohtë brenda kraharorit. Ftohtësa mërdhin. A thua, mbretëreshë dëbore është apo në pallatin e akullnajave musafire për një kohë…?
Mbyll prap sytë duke ëndërruar dashurinë, një përqafim, dy duar të ndershme rreth trupit, një buzëqeshje, një ëndërr që mbante në gji qysh  fëmijë, lodrën që luante si e vogël, një rreze dielli që ngroh, një mëngjes pa lodhje, një natë me gjumë, një prehër nëne për mërzitë, një krah për pushim të qetë, një erë foshnjeje brenda krahëve të saj.

Akulli si morg i ftohtë që ruan trupin e vdekur, do shkrijë nga akt i dashurisë së një zemre të vërtetë…

E, borë, bie flokë-flokë në zemër, për t’i mbuluar errësirën me të bardhë.

Lirie Berisha