SHARE

Lutje

Vajz’ e bukur
Më je dukur
Dritë jete plot shkëlqim
Pa lëvdatë
Ke dhuratë
Që prur gaz e dëshpërim
Me plot mall e ngushëllim!

Syverore
Zëhyjnore
Që  me çel me hirin tënd,
Faqedardhë
Gushëbardhë
Që shpall rreze kënd-e-kënd
Rreze tretur gjith n’ergjënd.

Buzëkuqe
Si burbuqe
Erë lulesh kundërmon;
Pikë vese
Ngjallje shprese
Cdo të dhembur q’e shëron
Kur plot andej dashuron.

Syrin çile
Si kandile
Që shenjëtorët i ndriçon;
Ledhatare
Fisbujare
Eja zemra të kërkon
Dritë teje dëshëron.

Hapi krahtë
Pa zembratë
Porsi nj’engjëll shpëtimtar,
Falmi gjinjtë
Meskërdhinjtë,
E më prit më prit me zjarrë:
Pa le t’jet’ aty një varr !

“Fytyrën tënde”

Shum her’e kam mallkuar jetën time
Shpeshherë thom që s’dua më të rroj,
Por kur “fytyrën” ty gjith ta vështroj
Harronj çdo vojtje jete-e hidhërime!

Por prap atë fytyrë’un’ e mallkoj
Sado ma mbush zemrën me gëzime,
Kur shoh se sa më tepër e adhuroj:
Cdo prehje shpirti ndrohet në mundime!