SHARE

Dashuria lind nga fjalet… Sot nuk po e kujtoja tamam kohën kur ti nuk ishe. Ti vepron si magjistricë mbi mua, prandaj bëj ç’të të dojë zemra. Sapo u krijua mundësia, falë Parisit, pres me padurim të të shoh. Tani nuk di ç’të bëj. Me pritjen. Dhe me merakun. E mbi të gjitha, me krizën e ëmbëlsisë që më ka pushtuar. Ndodh të ketë kriza të tilla? Me siguri, duke e quajtur kështu, unë ia hoqa të gjithë bukurinë kësaj ndjenje, gjithçkaje që po ndodh me mua. Do të doja të isha paksa më poetik. Por atëherë nuk do të isha i vërtetë. Këto janë vërtet kriza, si astma ose aritmia. Kur kalon kriza, unë zakonisht dëgjoj muzikë, pi ose lexoj letrat e tua. Ka vajtur puna deri aty, sa të gjitha këto i bëj njëkohësisht: dëgjoj Morrisonin, që ti e do aq shumë, pi birrë meksikane “Desperado” me limon dhe pak tekila dhe lexoj “mega-mail” nga ti. I kam sistemuar të gjitha letrat e tua elektronike të gjashtë muajve të fundit dhe i lexoj si një mesazh të tejzgjatur. E di ti që gjatë këtyre 180 ditëve më ke shkruar më tepër se 200 herë?

Për statistikë, kjo do të thotë më shumë se një e-mail në ditë. Në to ke përdorur 116 herë fjalën “të puth”, megjithëse unë nuk e di ç’pamje kanë buzët e tua. Dhe ndihem shumë i kënaqur që s’është nevoja të të kërkoj të më tregosh për to. Së shpejti do t’i shoh me sytë e mi. 32 herë ke përdorur fjalën “prek” dhe 81 herë “dua”, por vetëm 8 herë fjalën “kam frikë”. I kontrollova të gjitha këto, duke përdorur programin “Word”, kështu që as që bëhet fjalë për ndonjë gabim. Numërova pikërisht këto fjalë, sepse kohët e fundit mendoj më shpesh për to. Dhe mësova që ti “do” dhjetë herë më shumë nga sa ke frikë.

E, megjithëse kjo është vetëm statistikë, unë jam qetësuar. Statistika nuk gënjen. Gënjejnë vetëm ata që merren me statistikë mbase, ti e di ç’do të bëhet më tej me ne? Me siguri, për shkak të Parisit i kam këto mendime dhe bëj pyetje kaq dramatike. Kam nevojë të jashtëzakonshme t’i njësoj mardhëniet tona. T’u jap një emër, kufij dhe korniza të caktuara. Papritur provova dëshirë të di nga cili kufi trishtimi im ka kuptim, kurse gëzimi, arsye. Dua të di gjithashtu deri në ç’pikë mund të arrij në shpresat e mia. Në përfytyrimet e mia i kam arritur të gjitha, deri tek ato medha.

Kurse tani dua të fle. Kam kënaqësi që, pas disa ëndrrave, ti sërish do të jesh edhe më pranë. Por ti edhe në zhgjëndërr je më pranë. Të përshëndes në Paris! Ah, sa do të doja të fluturoja që tani për tek ti!

Ruaje veten. Veçanërisht tani.