SHARE

Kalimtar i Panjohur!

Ti nuk e merr me mend me sa mall të kam vështruar,

Duhet të jesh ai që kam qenë duke kërkuar, ose ajo që duke kërkuar kam qenë (tek unë kjo ndjesi vjen si prej një ëndërre)

Padyshim që me ty, dikund, dikur kam jetuar një jetë hareje,
Të gjithën e kujtoj si një vibrim që kalon sa tek njëri tek tjetri, fluid, i ëmbël, i dlirë, i pjekur,

Ti u rrite bashkë me mua, ishe një djalë apo vajzë që u rrit me mua,
Unë kam ngrënë dhe kam fjetur me ty, trupi yt nuk ishte vetëm yti as trupi im nuk ishte i imi vetëm,

Ti më jep kënaqësinë e syve të tu, fytyrës, mishit, si shkon e vjen, ti më merr mjekrën, kraharorin, duart, të gjithin, në kthim,
Unë nuk jam duke folur me ty, unë jam duke menduar për ty kur ulem i vetëm ose zgjohem vetëm në mesin e natës,

Jam duke të pritur, nuk kam asnjë dyshim se do të takoj rishtas,
Dhe do të bëj gjithçka të të mos humbas më.

Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ

Fije Bari

Ti që cilido qofsh në këtë orë po më mban në dorën tënde,
Mungesa e vetme e një gjëje pa dobi gjithçka do ta bëjë,
Lermë të të paralajmëroj përpara se të shkosh më tutje:
Jam krejt ndryshe nga ç’kujton ti.

Kush pra po nxiton të bëhet pjesë e sektit tim?
Cili për dashurinë time kandidat po shpallet?

Udhë e dyshimtë,
rezultat i pasigurt, pra, shkatërruese!
Detyrimi për të braktisur gjithçka,
unë, kriteri yt i vetëm dhe përjashtues,
E gjatë dhe rraskapitëse perspektiva e fillestarit,
Pas, teoritë e jetëve të moçme do të duhet t’i lësh
dhe përshtatjen me rrethin tënd,
Shko, mos e vrit mendjen, lermë,
duart nga supet m’i hiq,
Nga mendimet e tua nxirrmë,
ec, shko në udhën tënde.

ZËRI I SHIUT

Po ti cili je? pyeta shiun që zbriste ëmbël,
Dhe, çudi të thuhet, m’u përgjigj, e përkthej si vijon:
jam Poema e Tokës, tha zëri i shiut,
përjetë ngrihem e pakuptueshme nga vendi e deti i
padepërtueshëm,
lart drejt qiellit, nga ku, në formë fluturake
ndryshuar tërësisht, por ende e njëjta,
zbres për të lag toka të thara skeletike,
shpërfaqjet e pafundme të pluhurit të botës,
dhe atë në to, që pa mua do të ish vetëm farë, latente,e palindur;
dhe përherë, ditë e natë, i kthej jetë, vetë origjinës sime,
e bëj të pastër, e qendis;
(Sepse kënga, e dalë nga vendi i saj i lindjes,
pas plotësimit, bredharake,
i intereson asaj ose jo,
kthehet në kohë me dashuri.)

Përktheu: Faslli Haliti

O KAPITEN! KAPITENI IM!

O kapiten! Kapiteni im! Udhëtimi ynë plot ankth u krye,
Anija ka përballur çdo vorbull, çmimi që kërkuam u fitua,
Limani është afër, i dëgjoj kambanat, populli i tërë brohoret,
Teksa vështron lundrimin e sigurtë, anijen e zymtë dhe të guximshme;
Por o Zemër! Zemër! Zemër!
O pika të kuqe gjaku,
Në kuvertë Kapiteni im shtrihet,
Akull i ftohtë dhe i vdekur!

O kapiten! Kapiteni im! çohu dhe dëgjoi kambanat;
Çohu – për ty flamuri po valvitet- për ty boria ushton,
Për ty janë buqetat dhe kurorat palë-palë – për ty bregdetet me turma,
Për ty ata thërrasin, në turmë valvitëse, me fytyrat e tyre të etura drejt teje;
Nga udhëtimi plot ankth anija fitimtare vjen me qëllimin e arritur;
Këtu Kapiten! baba i dashur!
Kjo dora ime ku ti të mbështetësh kokën!
Në ëndërrën tënde mbi kuvertë,
Je shtrirë akull i ftohtë dhe i vdekur.

Kapiteni im nuk përgjigjet, buzët e tij janë të zbehta dhe pa fjalë,
Babai im nuk e ndjen dorën time, ai s’ka as puls dhe as frymë,
Anija është ankoruar shëndosh e mirë, udhëtimi ia doli mrekullisht mbanë
Nga udhëtimi plot ankth anija fitimtare vjen me qëllimin e arritur;
Brohoritni o brigje, dhe bini ju kambana!
Por unë me hap të përzishëm,
Eci në kuvertën ku Kapiteni im shtrihet,
Akull i ftohtë dhe i vdekur.

Përktheu: Skënder Buçpapaj