SHARE

Në të marrtë malli për mua, dil shëtit më këmbë njëherë, nëse era nis të fryjë dorën time do kesh ndjerë.Tek të prek pakëz mbi ballë, e kërkon t´i japësh dorë, kur dy vetë vazhdojnë e duhen mos kërko të gjesh fajtor.

Në të marrtë malli për mua e dritares sheh veç shi, mos më thuaj kurrë s´ke qarë se prej vjeshte je dhe ti.

Ndaj dhe xhamin mos e mbyll lëre shiun të të lagë, e çdo zënkë sido të jetë, ta vulosim mbi një varg!

 

“Aromë gruaje”

Ti mrekullohesh pa t’u afruar,
E tëra bindesh dhe pa të prekur.
Hënë e pa duar qënka çdo grua,
Dhe kur pa zë, shtratit e etur.

Për krahë ke ujra që të rrëmbejnë,
Për sy imazhe që ëndrra zhveshin.
Në dhimbjen tënde, nuk gjen veç lot,
Por dhe dëshira, që s’dinë të heshtin.

Ndaj lumturohem të jem si ti,
E puthur ditëve, netësh uritur.
E trëndafiltë, aromës tënde,
Pafund dëshirës për t’u vaditur.

 

“Nënë”

Çdo të thotë nënë vallë?
Të duash me zemër jo me fjalë.

Çdo të thotë nënë të jesh?
Në mbrëmje e fundit të biesh të flesh.

Çdo të thotë nënë të quhesh?
Asnjë lodhjeje mos i druhesh.

Çdo të thotë nënë të thërrasin?
Lumturinë e botës ndër duar të zgjasin.

 

“Mosha”

Rastësia i takoi diku,
Bashkë, një vajzë e djalë.
Të panjohur mbetën ashtu,
Se vajza s’i foli më fjalë.

Mbeti e vetmja herë,
Kur ajo i pyeti moshën.
E më pas i qëndroi prerë,
Larg, si dielli me tokën.

I dha ca viteve rëndësi,
Që asaj i mungonin vetë.
Harroi tek i “pjekuri-njeri”,
S’vendoste mosha në jetë.

Alma Papamihali