SHARE

TRISHTIM HËNOR

Të mirat gra, që kur doni një burrë,
Fisnikërisht, e ktheni atë në baba.
Ndodhë që dhe u godasin me gurë,
Ju godasin, burrat që keni në krah.

Të mirat gra që zbrisni yjet poshtë,
T’i ndizni në shtrat kur jepni veten.
Ndodhë t’ju tundin në dorë si gotë,
E pastaj ju flakin, sa shuajnë etjen.

Të mirat gra, që vraponi me ngutë,
Kur pritja ju drithërohet në mjekër.
Ndodhë që u përdhosin:-Prostitutë,
Prisje mua në portë, apo një tjetër!?

Të mirat gra që lini pas dhe mëritë,
E prapë jepeni duke mbytur inatin.
Ndodhë që dhe në shtrat zënë pritë,
Pasi zgërlaqen, me plumb u vrasin.

Të mira nëna, mos harroni, së pari,
Kur të shihni djalin që u burrërua.
T’i thoni se do ngriheni nga varri,
Që ta pështyni, nëse vret një grua.

 

“Ti Po Më Humbet”

Ti po më humbet, por jo menjëherë,
Pak e nga pak, a ndoshta me grimca.
E duke më kthyer në një lis të mjerë,
Që rrëzon mbi baltë gjethet e trishta.

Ti po më humbet, po më humb pa zë
Ndërsa ndezim sherre, çast pas çasti.
Ti po më humbet dhe s’kupton asgjë,
As të më qash mua,s’do të jepet rasti.

Ti po më humbet si humbje pa lidhje,
Por vdekja, nuk di të ndahet në pjesë.
E kur të kujtohesh për fytyrën time,
Do gjesh një kufomë, shqyer në mes.

Ti po më humbet, pse më humb kështu,
Unë e dua vdekjen të më ketë dhe nur?
Pse më kthen nga lis, në një copëz dru,
Pse po ma heq shansin, të iki si burrë!?

Ti po më humbet, si një cung mbi tokë,
Gjej humbje tjetër, mos ndihesh me faj.
Si lisit sëpatën, futma thellë në kockë,
Të shembem përdhe, po deshe më qaj!

 

“MOS MË KTHE PAS!”

Ti ishe mish e gjak e m’u bëre mall,
Malli brenda m’u bë lot, vit pas viti.
Në pllajën ku rrjedhë hapi një vragë,
Si gjithë gjërat që dalin nga shpirti.

Po mos mendo të më kthesh në vite,
Kur shikon fytyrën time me rrëpira.
S’ke asnjë lidhje, jam unë ndryshe,
Ndërsa ti je, ajo që ishe. Ti, e mira…!

Dikur të kam lënduar, pa asnjë faj,
E kurrë se kuptova si rashë në pusi.
Ti prapë ajo që ishe je, deri në detaj,
Unë shpirt gërvishtur. Unë isha ti!

Dikur s’dija shumë e s’heshtja dot,
E tani që dhe di, flas pak e më pak.
Dikur dhe në brenga, qeshja si idiot,
Tani i lumtur, trishtohem pa shkak.

Dikur veç teje, s’kisha mall të dytë,
Tani më krijove dy malle nga vetja.
Të dua kaq shumë sa loti më mbytë,
Pse t’u kthehem kohërave të vjetra!?

Sokrat Habilaj