SHARE

“DASHURI SIBERIANE”

Po bie shi…dhe ti je kaq larg
Po ndoshta dhe s’dua te jem me ty
Ky qiell gri… Në shpirt- kaq akull
Kaq ftohte në shpirt. Si në Siberi.

E megjithatë, unë të dua
Dhe të dua shumë , çuditërisht
Po që se të urresh është njësoj si të duash
Të urrej dhe të dua njëkohësisht

Te urrej për atë , që më prishe qetësinë
Te urrej, pse erdhe tek unë
Për çdo gjë të vërtetë dhe çdo gjë të dyshimtë
Të urrej dhe të dua kaq shumë

Dhe në shpirt kam dimër, gjithnjë dimër
Një ftohtësi pa fund dhe pa anë
Në sa grade nën zero paske lindur
Dashuria ime siberiane

Në të terë qenien time bie shi
Dhe ti nuk je. Dhe ti je kaq larg
Kam dëshirë për ty, kam nevojë për ty
Dhe prape s’dua të jemi bashkë.

 

 “SHI”

“Shiu përplasi mbi xhama trishtimin
Shiu përplasi mbi xhama mërzinë
Shiu i lagu të gjitha mendimet
Për ditët që ikën dhe ato që do vijnë
Mendime të lagura… si të jetosh
Në këtë qullje të përgjithshme idesh
Kur nuk gjen asgjë te askush që ta çmosh
Kur nga brenda qan dhe gjithkujt i qesh
Ç’mund të bësh tjetër veç të qeshësh me zor
Në këtë trup të dhimbshëm dhe pa fund
Të gjithë fjalë të bukura të thonë
Po askush nuk ngurron të bëjë ç’të mundë
Fjalë të bukura… Sa hipokritë,
Njerëzit dhe vetes i flasin bukur
Njësoj në dashuri, në politikë
Të gjitha i mbështjellim me llustër.”

 

“Do Të Vij”

Do të jetë mëngjes dhe unë do të vij patjetër,
Pas avullit të xhamave ti më prit.
Do më ketë rënë pluhur mimozash në flokë,
Dhe pluhur dashurie në shpirt.

Do dalë dielli dhe do të jetë ngrohtë,
Avujt e ëndrrave do shkrijnë ngadalë.
Ne do të presim pranë tyre pa folur,
Gjersa të behen të qarta, të qarta si kristal.

Pastaj s’do ketë më as mëngjes, as botë,
Do jemi vetëm unë dhe ti.
Ti do më prekësh me gishta në flokë,
Në pluhur mimozash dhe dashurish.

Drita Çomo