SHARE

“I dashur Xhon”

Ka shumë gjëra që do të doja të ti thoja, por nuk di nga t’ia filloj. Ndoshta do të ishte më mirë që ta filloja duke të thënë se të dua?
Apo se ditët që kam kaluar me ty kanë qenë më të lumturat e jetës sime?
Apo se gjatë kësaj kohe të shkurtër që të kam njohur, kam arritur të besoj se jemi bërë për njëri-tjetrin?
Mund të ti them të gjitha dhe mund të të siguroj se të gjitha janë të vërteta, por ndërsa i rijetoj, gjithçka që më vjen ndërmend është se dëshira më e madhe e imja është që të jem me ty tani, të të mbaj dorën dhe të shijoj buzëqeshjen tënde të pakapshme.
Jam e sigurtë se në të ardhmen, do të kem mundësi t’i rijetoj çastet që kaluam bashkë. Do të dëgjoj të qeshurën tënde, do të shoh fytyrën dhe ta ndjej krahun tënd rreth meje. Do të më marrë malli për të gjitha këto, më shumë nga sa mund ta imagjinosh.

Je një zotëri i rrallë, Xhon, dhe e vlerësoj shumë këtë. Me gjithë kohën që kaluam bashkë, asnjëherë nuk më bëre presion që të fle me ty dhe nuk mundem të ta shpreh se sa shumë do të thotë kjo për mua. Kjo bëri që të dukeshim edhe më të veçantë dhe pikërisht kështu dua ta kujtoj gjithmonë kohën që kalova me ty.Si një dritë e pastër dhe e bardhë, e mahnitshme për t’u parë.
Do të mendoj për ty çdo ditë. Një pjese e imja trembet se mund të vijë një çast kur ti nuk do të ndiesh të njejtën gjë për mua, se mund të më harrosh mua dhe ato që kemi kaluar së bashku. Kudo që të jesh dhe çfardo që të ndodhë me jetën tënde, kur të jetë nata e parë me hënë të plotë, siç ishte hera e parë që u takuam, dua ta gjesh në qiellin e natës. Dua të mendosh për mua dhe për natën që kaluam bashkë, sepse, kudo që të jem pavarësisht se çdo të ndodhë me jetën time, të njejtën gjë do të bëj edhe unë.

Nëse nuk mund të jemi bashkë, të paktën mund të ndajmë diçka mes nesh, duke bërë kështu që ajo që ekziston mes nesh të zgjasë përgjithmonë.
Të dua, Xhon dhe do ta konsideroj veten të lidhur pas atij premtimi që më bëre dikur. Nëse kthehesh, unë pres që të martohem me ty. Nëse ndodh që ta shkelësh premtimin, dije se do të më thyesh zemrën.

Me dashuri
Savana