SHARE

KU SHTROHET VALA”

Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar,
Të pashë, motër, plot me mall,
Më pe më shpirt të llaftaruar.

Q´ahere silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë…
Dh´i shtinja sytë gjith përdhe —
Gjithë përdhe m´i shtinje sytë…

Po me t´u ndarë vet e vet,
Më s´kishim turp që s´kishte fjalë…
Na rritej malli posi det,
Posi një det që vjen me valë:

E prapë silleshim më nge
Gjith vet-i dytë, vet-e dytë;
E prapë sytë gjith përdhe,
Gjithë përdhe pikonin sytë.

Q´ahere qamë plot me mall
Atë vështrimin e kaluar,
Ku shtrohet vala përmi zall
E fryn një këng´ e pakuptuar.

Se kish kuptim, që s´kish kuptim,
Kuptim´ i fellë-i mallit t´onë;
Se malli jon´ ish zotërim,
Që robëron përgjithëmonë;

Se s´dashuronja-as un´ as ti,
Po dashuronte dashurija:
Një dashuri — një fshehtësi
M´e fshehur sesa fshehtësija.

 

“Zemërimi jonë”

Si të t’a them të shkretën vojtje që ndjej në zemër ças-përças,
Atë durim të padurura të zemërimeve pa gas.
Tashi zë çel një vrer në buzë, tashi zë ndrin një vaj në sy,
Edhe të dhemb më keq se mua, edhe më dhemb më keq se ty.

Kjo këng’ e fellë e heshtjes s’ate, vështrim’i derdhur gjithë përdhe,
Stolitë e hireve të tua ndaj shkon me turp si nuse e re,
Dhe kaqë mijë dashurira, kaq dhëmbshuri që s’thuhet dot,
M’a mbushin plot të mjerën zemër, vetëm me gas, vetëm me lot.

E pata pyetur vetëveten, me t’j-u përgjigjur vetvetiu-
Pse kaqë zi ti motra ime, pse kaqë vrerë unë i ziu:
Nuk paske qënë vrer e zi, po qënke vetëm dashuri,
Qënke një dritë fshehtësije plot bukuri! plot bukuri!

Dhe më pëlqen ah zemërimi ndaj vjen e shkon e qesh e qaj’
Ndaj ri mendohem duke pyetur: a mos ke faj? a mos kam faj?
Dhe ja! m’a fal çfardo mërije! dhe ja! t’a fal çfardo mëri!
Dhe më mbush prapë plot me dritë, plot me të ëmblën dashuri.

 

“Dimër”

Shpirti im që sot u mbyll
Dhe gëzimin më përzuri.
Nëpër mal e nëpër pyll
Zu dëbora prej qekuri.

Bjen flokët një-nga-një
Mbi katundin e shkretuar.
Dyke marrur nënë të
Dheri fjet e ri mbuluar

Flet nga-dal e shpirti im,
Dhe në zi pikoj si fleta,
Pa më qit as pipelim
Tërë fili, tërë jeta.

Në kaq heshtje-e qetësi
Ndjej vajtimthin e një shpesi:
Psherëtin me zë te ti
Jet’ e trembur se mos vdesi …

 Lasgush Poradeci