SHARE

Dua t’i them të gjitha, po fjalët s’mjaftojnë
Dhe koha s’mjafton, s’mjafton as guximi.
Endërroj dhe vargjet i gjej me hamendje,
Mundohem dhe vuaj për fjalën e qartë.

Dua të flas për të gjitha: për rrugët e kalldrëmet,
Për udhët e udhëtarët, pllajat e barinjtë,
Për pushin e pranverës dhe ndryshkun e dimrit,
Për të ftohtin dhe vapën mbledhur brenda një fryti.

Kam qejf t’ju tregoj dhe cdo njeri më vete,
Cdo gjë që krah i jep dhe cdo gjë që përdhe e rrëzon,
Cdo moshë njeriu dhe cdo qenie që merr dritë njeriu,
Shpresën e tij dhe gjakun e tij, historinë e tij dhe mundimin.

Kam qejf t’ju tregoj të madhen e të vecuarën turmë
Të ndarë me catma si në varrezë,
Dhe turmën më të fortë se hija e saj e papastër,
Turmën që muret rrëzon dhe ngrihet lart mbi padronët.

Kam qejf t’u tregoj familjen e duarve dhe familjen e fletëve,
Dhe hapin tinëzar të kafshës pa emër,
Dhe vlagën pjellore të lumit dhe vesës,
Drejtësinë në këmbë, lumturinë në lule.

2.
Lumturinë e fëmijës a mund ta shpjegoj
Me kukullën e tij, me topin e tij a ditën me diell?
A kam guxim ta tregoj lumturinë e burrit
Me sytë e gruas së tij dhe të fëmijëve?

A mundet ta shpjegoj dashurinë dhe burimin e saj,
Dramat e saj prej plumbi e farsat prej kashte,
Veprimet dhe shenjat e saj të castit që e bëjnë të zakonshme,
Përkëdhelitë e saj që ia sjellin sërish pavdekësinë?

Vallë a di t’i lidh ndonjëherë të korrat me plehërimin
Dhe pasurinë ta vësh përkrah bukurisë?
Vallë a jam i fuqishëm nevojën ta krahasoj me dëshirën
Dhe skemën e rendit pa shpirt me skemën e ngrohtë e të gjallë?

A kam aq fuqi që nën zjarr zemërimi
Urrejtjes me shpatë urrejtjeje kokën t’ia pres
Dhe të tregoj se viktima pluhur xhelatin e bën
Dhe fjala revolucion e tëra ndizet nga ngjyra?

Floriri i aurorës të lirë praron në sytë e aurorës,
Të djeshmes asgjë nuk i ngjan dhe vlerat rinohen,
Dëgjoj nëpër fjalët e vogla gjëmimin e madh të proverbave,
Dëgjoj mencurinë tek ngjitet mes dhembjesh drejt thjeshtësisë.

3.
A do të di të flas kundër kur jam me shpirt e me zemër
Kundër manive absurde që polli diku vetmia?
Unë u sfilita prej tyre pa ditur të fshihem,
Unë u sfilita ashtu si martiri me lakun në grykë.

Mes tyre sfilitur m’u shkrinë trupi, zemra, mendimi,
M’u shkrinë mes togut pa formë të mbushur me forma lajthitjesh
Mbuluar me plot kalbësira, myk e dështime,
Me lajka dhe luftë, moskokëcarje dhe krime.

Sikur të zgjaste kjo vorbull, vëllezërit e mi do të më flaknin,
Se veten e mburrja dhe luftën e tyre s’e shihja
Se jetës kërkoja t’ia merrja ato që s’i kishte
Dhe fare s’ia dija fytyrën ditës së nesërme.

Dua të jem kundër fundit të gjithë fillimeve të mia,
Se borxh u kam mbetur njerëzve që njohën thelbin e jetës,
Se borxh i kam mbetur kryengritësit që besoi në shënjestrën e pushkës,
Që besoi në zemrën dhe dorën njerëzve u zgjati.
O njerëz, në gji të njerëzimit po ngrihet një këngë e re pa një rrudhë,
Po ngrihet kënga e tyre që krenarë
E hedhin të ardhmen kundër vdekjes,
Kundër bodrumeve plot lagështi ku hijet e pështira ziejnë.

4.
A mund të them më në fund se dyert i kanë të hapura
Qilarët ku butet me myk ngarkohen me mjegull
Dhe janë të lira vreshtat ku veshët e rrushit diellin e zënë në grackë,
A mund t’ju tregoj për këto me gjuhën me lëng të vreshtarit?

Me shëmbëllimin e ujit dhe të gurit janë gatuar gratë:
Janë të brishta a të ashpra, të lehta a të rënda;
Mbi male zogjtë fluturojnë e cajnë hapësira
Dhe qeni i plakur bredh pas një kocke.

Mesnata përcjell jehonën e saj në zërin e plakut
Që mpreh talentin e vet në këngën e grisur si lepitkë,
Po edhe ky cast për mua s’është aspak i humbur,
S’kam për të fjetur gjersa të zgjohen me këngë të tjerët.

A mund të flas se gjë më të bukur s’ka se rinia
Dhe rrudhat e mia në faqe të kem guxim mos t’i fsheh;
S’ka më të bukur se vargu i madh i reflekseve,
Duke filluar nga vrulli i farës e gjer te celja e lules,

Duke filluar nga fjalia e pastër e gjer te sendet e dukshme
Besimi i njeriut prapakthesa nuk njeh.
Unë do të përgjigje pa pritur të pyesnin,
Do të desha përgjigje pa folur në gjuhë të huaj.

Askush të mos ketë dëshirë të shembet një strehë.
Të digjen qytete dhe male me trupa të ngrihen.
T’i hedhim fjalët vec në ndërtim të së resë,
Të kemi besim te koha, burim i jetës.

Gëzimi nuk derdhet me dredhje valësh të lehta,
Gëzimi derdhet me valë më të furishme se deti,
Tani askush s’mund të dyshojë në poemën time,
Që sot po e shkruaj për të fshirë të djeshmen.
Shtator, 1950.
(Përktheu: Dritero Agolli