SHARE

Shkruan: Qëndrim Badalli 

Skena politike e Kosovës në gjithë periudhën e pasluftës, në njërin nga krahët, ka qenë dominuar nga ligjërimi proto-nacionalist i bazuar mbi narracionet e luftës çlirimtare për të kaluarën apo mbi projektet hegjemonike të Serbisë për të ardhmen në raport me vendin tonë. Në zemër të këtij ligjërimi ka qenë dhe vazhdon të mbetet Serbia, jo vetëm si emër i një shteti me të cilin kemi pasur dhe kemi problem të hapur, por mbi të gjitha si një koncept politk i cili ka qenë dhe vazhdon të shfrytëzohet për konsum të brendshëm politik; nga parti që ndërtojnë ideologji politike duke e shfrytëzuar atë si palë antagoniste, apo nga pushtetet që e përdorin atë për ta mbuluar keqeverisjen e tyre.

Konteksti politik e veçmas ai shoqëror i pasluftës, rëndom krijon rrethana të përshtatshme për manovrim me populizëm përmes kartave të mëdha. Në një shoqëri fshatare me rreth 50% të popullësisë, e traumatizuar nga lufta me rreth 15 mijë civil të vrarë, 20 mijë gra të dhunuara,70%e infrastrukturës e shkatrruar, dhe akoma viktima të pagjetur, ideologjikisht e udhëhequr akoma nga kode tradicionale dhe fetare, dhe e cila përjeton procesin e vështirë të tranzicionit që në natyrën e tij e ka krizën e të gjitha dimensioneve, në vecanti atë identitare, vështirë të ketë vend për çasje institucionaliste, e domosdoshme për shtetndërtim të shpejt e cilësor.

Nëse politika do të konceptohej njëkohësisht si mjet menaxhimi dhe emancipimi, lojtarët politik do të synonin që krahas strategjive të tyre për ardhje në pushtet t’i transformonin edhe rrethanat në favor të mirëqenies social- synimit final të shoqërisë. Por, konceptimi i tyre për politikën nuk e ka emancipimin si pjesë përbërse por vetëm njohjen objektive të rrethanave dhe instrumentalizimin e tyre në favor të qëllimit partiak. Ndryshe, si të shpjegohet mbajtja e fushatave politike në oda, pavarësisht se të veshur me kollare dhe mbushur me ligjerimin e tyre liberal të ulur  këmbëkryq në shilte dhe rreth sofrave. Një përplasje simbolike që reflekton dyzim ideologjik.

Mbajtja e grevave në disa sektor të shtetit muajin e fundit dëshmon për një kthesë radikale në mendësinë e qytetarëve tonë, dëshmon një pjekuri politike të tyre. As mësuesi dhe as kirurgi në grevë nuk do të kthehej në punë nëse në vend të ngritjes së pagës do të ju tregohej një ‘rrëfim për luftën’ apo një profetizim rreth pretendimeve serbe për Kosovën.  <Grevat kanë paralajmruar një momentum të ri politik në vend: Ndryshimin e kryefjalës politike>

Në përpjekje që qytetarët dhe qeveria e vendit të ju rikthehet problemeve reale që kemi; ngritjen e cilësisë së arsimit, shëndetësisë, mirëqenies sociale, forcimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndaljes së migrimit, hapjes së vendeve të punës etj, një lëvizje serioze në këtë drejtim, do të ishte arritja e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi. Një marrëveshje potenciale, me kusht që do të zgjidhte përfundimisht konfliktin shekullor mes shqiptarëve dhe serbëve, do ta largonte përfundimisht nga diskursi publik e politik Serbinë dhe gjithcka është instrumentalizuar nga ajo.

Bashkë me një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë, Liberalizimi i Vizave do të ishte shumë i rëndësishëm për ta goditur ‘fantazmën nacionaliste’ dhe për t’i dhënë rrugë përballjes me problemet reale në përpjekje për ta ndërtuar një shtet më të mirë. Një shëtitje në rrugët e Parisit, për ta parë një ambient të pastërt, vizituar një objekt kulturor, ndjerë multikulturalizmin, apo bërë një fotografi rreth arktitekturës moderne do të ishte shumë efikase për tu vetëdijësuar se ‘Serbia’, ‘gjaku shqiptar’ , “Prejardhja iliro-pellazge’, etj pavarësisht ndikimit të tyre, nuk përbëjnë alfën dhe omegën e jetës sonë.

Kështu, ata që kundërshtojnë dhe vonojnë arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, për sa kohë, nga kjo marrëveshje varet edhe prespektiva europiane e Kosovës, po pengojnë kthimin e plotë të vëmendjes nga problemet që lidhen me mirëqenien e shoqërisë. Dëshira e dikujt që Kosova të mbetet vend në konflikt të ngrirë dhe vend i izoluar ështe lëvizje e menqur politike e një kaste politike pushteti i të cilëve është legjitimuar mbi ‘ narracionet e nacionalizmit’, por Kosova po shkon drejt një rruge të pashmangshme të  hapjes së vendit e fuqizimit të paqes e stabilitetit, ata që duan ta ndalin këtë rrugëtim vetëm mund ta vonojnë por kurrë ta ndalin këtë proces.

Kosova duhet të vazhdojë rrugën e saj drejtë një shoqërie multietnike, të hapur e të lirë. Kjo, jo vetëm për shkak të një rreshtimi me perëndimin në rrafshin politik, por sepse idetë e liberalizmit në të gjitha dimensionet e tij, të gërshetuara me norma juridike të shtetit, paraqesin nivelin më të lartë të emancipimit që ka njohur bota ndonjëherë. Lufta jonë kundër nacionalizmit ekstremist, izolimit, dhe pro hapjes e mirëqenies sociale, është luftë në nivelin njerëzor dhe jo vetëm në atë politik./filozofia.al