SHARE

 

Çdo gjë është relative dhe vetëm kjo e fundit absolute. Erërat ndyshojnë, njerëzit gjithashtu. Ndoshta koha i tjetërson ata ose ndoshta dhimbja i sjell në vetvete. Nuk e di, dhe nuk kam për ta kuptuar kurrë këtë. Ndonjëherë e pyes veten pse duhet t’i mendojmë gjërat kaq thellë? Pse na e përvëlojnë shpirtin kaq shumë këto mendime?

Nuk kam përgjigje dhe ndoshta nuk kam për të pasur kurrë. Jam njeri bosh, gjithmonë kështu kam qenë. Një njeri që nuk ka ëndrra, dëshira apo vizione për të ardhmen.

Por sot, sot në këtë mëngjes dimëror më shumë se kurrë unë e kam një ëndërr. Dua të jem përsëri një fëmijë. Po, po dua të jem një fëmijë!

Dua që ta prek përsëri ndjenjën e sinqertë dhe të vërtetë e të kapem pas saj, ta përqafojë atë deri sa vdekja të na ndajë. Dua të mos kem më komplekse dhe mendime në kokën time. Dua që shpirti im të buzëqeshë nga lumturia dhe të luaj përsëri.

Dua të luaj me shokët e mi të vegjël, por që janë të vërtetë ama! Shokë të cilët nuk dinë se ç’është intriga, hipokrizia dhe dinakëria. Shokë që nuk i mbajnë mëri njëri-tjetrit edhe atëherë kur pajtesa duket e pamundur.

Dua që të ndiej edhe një herë entuziazmin dhe kënaqësinë që të më burojë nëpër vena. Dua që t’i ndiej edhe njëherë vlerat, virtytet dhe parimet që vetëm një shprit i paprekur nga kjo vorbull degjenerimi moral i posedon. Dua që të mos jem shok me këtë realitet të hidhur.

Dua te jem brenda asaj botës fëmijënore ku drejtësia, barazia dhe shpresa gjenden me shumicë. Dua që optimizmi të më pushtojë çdo qelizë dhe që pozitiviteti të më ndjekë në çdo hap.

Por ajo që dua më shumë është që të kthehem në kohë dhe t’i jap një shuplakë atij fëmijës tekanjoz dhe t’i them mos u rrit! Të lutem mos u rrit! Mos u rrit, sepse ata do ta vrasin shpirtin tënd të mrekullueshëm. Ata do të të përbuzin, nënshtrojnë, paragjykojnë, ironizojnë, përbaltin, godasin dhe shumë e shumë gjëra të tjera si këto, e ndoshta dhe më keq. Ata…. ata do ta shkatërrojnë atë djalin e vockël që ishte aq “naiv” saqë shihte gjatë gjithë natës hënën dhe priste që një ditë ajo të ishte e tija…!Vetëm e tija!/filozofia.al

Autor: Dëfrim Çaka