SHARE

E kam të pamundur me ty.
Këtë ma ke thënë
Këtë ma kanë thënë
Këtë edhe vetë e di
Se kështu thonë
Arsyeja
Logjika
Matematika

E ke të pamundur me mua

Këtë ta kam thënë
Këtë ta kanë thënë
Këtë edhe ti e di
Se kështu thonë
Arsyeja
Logjika
Matematika

Po unë do të bëj të pamundurën
Pikërisht me ty
Pikërisht ngaqë të kam thënë
Pikërisht ngaqë më ke thënë
Pikërisht ngaqë ma kanë thënë
Pikërisht ngaqë edhe vetë e dimë
Pikërisht ngaqë thonë
Arsyeja
Logjika
Matematika…

Pikërisht ngaqë të dua deri në atë pikë
Ku llogaria humbet ekuilibrin.

– SONET

Kupën e kujtimit tënd ku ta fsheh e ku ta hedh?
Bëj ta fla e bëj ta thyej, bëj ta lë e më rrënqeth.
Kupa e kujtimit tënd valon shkumë dashurie
M’u ka ngri si një servis mbushur pije cmendurie.

M’u ka ngri në dorën time ky bardhak I fildisht,
I hedh zjarrit,zjarri digjet si në ethe kaltërsisht.
Nuk e pi kujtimin tënd. Kupa le ta pasqyrojë
Sonte qiellin lakuriq dhe hënën e pagojë.

Le të rëndet e përlotur përmbi kupën e mallkuar
F’ytyra ime ndër reflekse zbehtësisht e vizatuar.
Kupa e kujtimit tënd më s’do mbushet kurrë me ty.
Bëj ta flak e bëj ta thyej, bëj ta pi e dot s’e pi.
Do të rend pra krejt i marrë me servisin e hënuar
Gjersa shkuma nëpër kohë do jetë tretur, avulluar…

(Nje poezi nga vellimi “Fragmentet e Gjësë)

Incognito

1

Të rralla fort janë takimet me veten.
Edhe më të rralla njohjet, rinjohjet
(nëse bëjnë vaki), por
gati të pamundura – mbamendjet.

Gjithë jeta tjetër (ajo e shumta)
rrjedh e qetë dhe e trazuar, herë
si lumi përmes pemëve, që ditën e kthjellë
pasqyron fasha pyjesh e bokërrima,
ndërsa natën trupa qiellorë dhe objekte
të paidentifikuara fluturuese; herë
i turbullt, i padepërtueshëm, ku zien
kaligrafia e errët e amebave të gjakut.

Ndodh që tërë jeta të të rrjedhë përskej,
e nxitur, e prirë, e ndjekur në distancë,
me ngadhnjime dehëse ose disfata fatale,
si në një ruletë ruse, prej njëfarë kipci,
me të cilin s’di qysh je njëjtësuar, e prapë
një shpresë e vagullt të thotë, se ndoshta,
herëdokur, ka me ardhë ai çast, kur koha
s’do të vonojë që këtij identiteti t’i bjerë
njëkohësisht kallaji dhe maska…

2.

Atëbotë, nëse kjo ndodh, nëse
muzeu ku pasqyruar janë pamjet
e lulimit, gjetherënies, shirave dhe dëborës,
kuvendimeve plot pasion kafeneve,
në zyra, auditore, në shtëpi pasdarke
ose thjesht, llomotitje mërzimadhe,
debate politike, përgjërime dashurore
apo ligjërata demagogjike – atëherë po:
nën blicin e sprovës shkrepëtin drita
e përvojës së re – ajo që nuk është
përzier kurrë me ujërat e atij lumi,
që rrodhi teje, pa të fshikur ty, me gjithë
këtë muze pa vlerë, ku të pasqyruara
përsëdyten pamjet e diktuara
të një vullneti incognito – një kilometrazh
i llahtartë i një jete të shkuar në koma.

3.

…Dhe veç dy-tri raste, veç dy-tri pasqyra
do të dëshmojnë frymën tënde,
siç bëjnë me të sëmurin e pashpresë,
pa shenja gjalljeje midis jetës dhe hjekës;
…fytyra mitare me lot, e kthyer kah
qielli i një nate fshatare, ku midis
qerpikëve të lagur dyzohej, zmadhohej
e shtrihej petë brumi i dritës yjore;
kthjelltësi zalie në lëngatën ku jep shpirt
në një dhomë të mugët, të ngime
n’erë ilaçesh, diku, në një spital
të humbun periferik; refuzimi
që more nga e dashura në kohën
e trishtë të djalërisë – atje, në rrugë,
poshtë neonit që gërvinte mes heshtjes
mu si një llampë laboratori me alkool,
që nën flakë të ngadaltë zien prajtë
poçen e trurit tënd – ndërsa më tutje –
diku në cep të godinës së konviktit,
nga kazanët e plehrave, fshehur në terr,
instalohej tingulli i brerjes konsekuente
të kockave nga nofullat e uritura të qenve.

4

Si çdo gjë e pandreqshme, keqardhja
do të mbetet keqardhje: e pakthim,
tunduese, torturuese – ajo di të ngrejë
pyetje dhe i urren përgjigjet: “O ti
i lindur prej dere të naltë,
çfarë bëre kështu me jetën tënde?!”

Agron Tufa