SHARE

PSE S’MUND T’I HEDH DOT GJËRAT E VJETRA…?

Shumë gjëra të vjetra më bëhen në shtëpi
Dhe s’gjej një kënd bashkë t’i mbledh
Shpeshherë bëj t’i fus në një kuti
T’i dhuroj ose tutje diku t’i hedh

Por shpej pastaj mendje ndërroj
Dhe i lë ashtu të rrinë në qetësi
Me kohën, edhe shoqe tjera iu shtoj
Që bashkë të flasin pa ndjerë vetmi

Nuk është gabim, i them vetes ndonjëherë
Që me gjëra të vjetra më mbushet shtëpia
Sepse secila antikë brenda vetes thellë
Ruan një prej dhembjeve të mia

Nga dhembjet s’mund të ikim, as unë-as shtëpia…


NGA ËNDRRAT TË MOS MË IKËSH

Nga ëndrrat dua të mos më ikësh
E shkujdesur aty mund të rrish
Nuk ka nevojë dritat e botës t’i fikësh
Që fshehurazi aty të më vish

Në ëndrrat e mija nuk ka vend për shumë
Perveç meje, mund të jesh aty vetëm ti
Gjithçka mund të bëjmë, përveç vdekjes gjumë
Dhe s’kemi pse të bëjmë asgjë në fshehtësi

Në ëndrra dua gjithnjë të më vish
Pa frikë, ato s’janë ajo bota përtej nesh
Të kam thënë dhe dua të ta them sërish
Vetëm në ëndrra e imja mund të jesh…

Ta thashë: s’ke pse të vish në fshehtësi
Sepse aty do të jemi vetëm unë e ti…


DY BOTËT DHE TI

Thellë syve tu kaherë jam shtrirë
Pa zënë vend shumë, vetëm një thërrime
Ndoshta ty s’të njoha kurrë aq mirë
Por, në ty njoha veten time

Një dridhje zemre brenda meje thellë
Një trazim tundues e mban në fshehtësi
Si s’u bë krismë së paku një herë…
Ta ndjeje si zjarrin edhe ti

Të hapur nuk e di a e mban atë portë
Apo një lloz kokëfortë i ke vënë
Ç’trokitje të duhet më e fortë
Nga ajo që së fundi ta bëra mbrëmë…

Dhe jo vetëm mbrëmë, por mu në çdo çast
Sa dikush do ta mendonte si lojë
Apo, sillesh si të kishim vënë një bast
Që ti e fiton veç si e pa-gojë

Nuk eshtë e fshehtë ajo që unë ndjej
Ndonëse ti ende s’e ke marrë vesh
Apo do që të të pres në një botë përtej
Diku nën hënën e ngrirë dhe sipër resh’…

S’ka gjë, edhe gënjeshtër të jetë
U bëfte të më buzëqeshësh së paku aty
Ashtu qoftë, kur kjo botë e vërtetë
Aq trishtueshëm më gënjeu për ty…

…Sikur të mund të ta thoja në sy…


SOKAKU I KUJTIMIT (…)

Sot binte shi i imët pandërprerë
Binte mbi mua pa çarë kokë
Si nënë pellgjesh qielli skëterrë
Më villte tërbim në të rrallat flokë

Aq pakëndshëm më vinte ky shi
Sikur t’mos e dinte pse isha aty…
Apo bashkë me mua shfrynte qielli i zi
Për dy vezullima nga vetëm dy sy…

Nuk di qielli ç’pat me sokakun sot…
Që aq bezdisshëm e bëri të qajë
Në një pellg të tij, plot shi e lot
Më bëri ta shoh portretin e Saj…

Portretin që me aq mall do të doja
Me penel e ngjyra në një copë pëlhurë
Të gjallë nga kujtimi ta pikturoja
Unë, antitalenti i frikshëm në pikturë

Sot, binte shi i imët pandërprerë
Dhe Ajo, si pikat e tij, nuk shfaqej aty kot
Në sokak si kujtim kthen përherë
Mu si shiu i imët që binte edhe sot…

Autor: Besim Zymberi