SHARE

“Ai ishte i lumtur që kishte miq të fuqishëm si kryeveqilharxhi, por kishte net si kjo e sotmja, që njeriu kishte nevojë për miq më të thjeshtë, nga ata me të cilët mund të flisje mbarë e prapë, pa i zgjedhur fjalët dhe pa pasur frikë se fytyra e tjetrit do të bëhej befas e ftohtë dhe e pazbërthyeshme, si mbishkrimet e vjetra.”

“E, megjithatë, ta kam thënë edhe një herë tjetër, Mevla Çelebi, në qoftë se ata nuk i mposhtim dot këtë herë me goditjen tonë të parë, me goditjen e dytë do të na duhet forca dyfishe për t’i mposhtur, me të tretën trefishtë e kështu me radhë. Në qoftë se ata dalin të gjallë nga kjo skëterrë, atëherë është e vështirë të vdesin më. Ata do të mësohen me rrethinat, urinë, etjen, plojat, kushtrimet. Ndërkaq, do të kenë lindur fëmijët e tyre të parë në luftë. Më e keqja nga të gjitha është se ata do të mësohen me vdekjen si me një kafshë të zbutur, së cilës nuk i trembet njeri. Atëherë, edhe në i pushtofshim ne, nuk kemi për t’i nënshtruar dot më. Duke i sulmuar vazhdimisht, duke i prerë, por duke mos u dhënë dot goditjen vdekjeprurëse, në u kemi bërë atyre padashur një të mirë të madhe.

Kryeveqilharxhi fundi kokën nga dëshpërimi.
– Ne kemi kujtuar se u kemi dhënë vdekjen, në kohën që me duart tona u kemi dhënë pavdeksinë.”

” Grave dhe vajzave të tyre do t’u heqim veshjet e bardha e të paturpshme dhe do t’u veshim rrobën e zezë e fisnike, të bekuar nga feja. Ne do t’ua mbulojme me perqe te zezë fytyrat dhe sytë e tyre dinakë, me të cilat ato, gjer tani, shikoheshin lirisht me meshkujt. Ne do të bëjmë që ato të harrojnë tërbimin e dashurisë dhe të martohen me meshkujt sipas ligjeve të shenjta të sheriatit. Ne do të bëjmë që ato të ulin kokët e tyre rebele nën pushtetin e burrit, ashu siq thotë Kurani i shenjtë. Kështu, duke i ndarë nga zakonet e tyre barbare dhe duke u dhënë me bujari moralin dhe zakonet tona madhështore, ne do t’i bëjmë ato të ndershme e të vyrtytshme dhe do ti shpëtojmë shpirtrat e tyre të xhindosura. Ne do të derdhim gjakun tonë që drita e Islamit të deportojë gjer në këto strofka ujqish.

Kjo do të ndodhë me siguri, dalngadal, vit pas viti do të bien veshjet dhe zakonet e tyre, ashtu siq bien lulet e mollës. Ato do të mësohen, me zakonet tona të reja; do të mësohen aq shumë, saqë, edhe sikur të ndodhë që ne të ikim këndej, zoti mos e dhëntë, ata do të ndahen nga zakonet tona me dhembje të madhe.”

“Nuk e kishin menduar kurrë se ajo mund të qeshte, dhe si çdo gjë që përmbys një mendim të përgjithshëm, kjo e qeshur zgjoi tek ata një farë shqetësimi, gati-gati frikë”

”Nuk isha i sigurt nëse doja një zhurmë të qetë, apo një qetësi të zhurmëshme…”

Ismail Kadare – Kështjella