SHARE

Mëngjeset e mia ishin të shkreta,
Ngushëllim ishte kafja në vetmi!
Në cep të lokalit, poezi të vjetra,
Lexoja me orë të tëra në qetësi.

Bota e poetëve sa e trishtë ishte,
E mbushur me ndarje në çdo varg!
Për botën e tij, poeti sa pak fliste,
Për muzën e tij, shkruante me gjak!

Sa mëngjese, kështu kam kaluar,
Tek perpiqesha të kuptoja poetët;
Sa shume vajza kishin dashuruar,
Shumë kishin vuajtur të shkretët!

Kurrë s’i mendova mëngjeset ndryshe,
S’e dija kuptimin e fjalës dashuri!
Kur u shfaqe ti, gjithçka e prishe;
Mëngjesin e shkretë, kafen në vetmi!

S’e di nga erdhe, as si m’u shfaqe,
Por ndihem i lumtur që më gjete.
Nëse deri dje nuk prisja mesazhe,
Tani një mesazh është burim jete.

Ti i dhè kuptim mëngjeseve të mia,
U bëre motiv për t’u zgjuar me dëshirë.
Më bëre poet, e vet u bëre poezia,
Që e lexoj çdo ditë në tëndën fytyrë.

Tani çdo mëngjes, dashni premton,
Dhe fal teje shpirti më buzeqesh.
Nëse dikush Hënën e xhelozon,
Nuk t’ka parë ty, e imja princeshe!

©- Izmir Todaj