SHARE

Të doja më shumë se çdo gjë në këtë botë. E adhuroja buzëqeshjen, aromën, çdo gjë tënden, por mbi të gjitha mënyrën si më doje, më dëshiroje, pasionin që ndanim bashkë…!

Derisa një ditë vijmë në realitetin tënd, edhe timin, për fat të keq.

Ende nuk kishte lindur djali ynë i parë kur njoha njeriun e dhunshëm që fshihej pas atij që doja më shumë në këtë botë! Në fakt kjo nuk ishte gjë e re për mua. Me dhunën isha rritur, me dhunën isha stërvitur. Por ajo që më hidhëroi më tepër ishte fakti që kjo dhunë u kthye në stil jetese. Nuk bënim dot pa të përgjatë viteve në vazhdim.

E megjithatë u mësova ta shoh si një realitet që do më shoqërojë, ndoshta, për gjithë jetën. Sa më shumë shtohej, aq më shumë të urreja! Ndërsa ti prisje që unë të të doja sikur asgjë të mos kish ndodhur…

Por edhe pse erdhi në jetë fëmija ynë i dytë, asgjë nuk ndryshoi.

Përkundrazi, ti u ktheve edhe në një baba të dhunshëm.

Këtë nuk mund ta toleroja dot më, e megjithatë, isha e pafuqishme për të ndryshuar realitetin tim të hidhur dhe të dy fëmijëve të mi që skenat e dhunës iu kthyen në makth.

Pa kërkuar kurrë falje, sikur për qoftë edhe një episod të vetëm, pa shpjeguar kurrë, sikur qoftë edhe një arsye të vetme, të qenësishme të motivit të kësaj dhune, pa më kërkuar qoftë dhe njëherë të vetme që të të fal për qenien në të cilën ti u tjetërsove, ndonëse sot pretendon se për hir të familjes përpiqesh të ndryshosh, guxon të më kërkosh të harroj, të sillemi si dikur, të të dua po njëlloj.

E pamundur!

Jam shumë e lënduar për të hedhur pas krahëve gjithë atë ligësi që kam parë në sytë e tu, që kam dëgjuar nga goja jote dhe që kam provuar mbi kurrizin tim.

E kam të pamundur të të shoh si më parë, kur ti ende bëje sikur më doje.

E kam të pamundur të harroj fjalët e tua në kulmin e zemërimit me gruan që s’bënte gjë tjetër, veçse përpiqej të ishte nëna ideale e fëmijëve të tu.

E kam të pamundur të harroj sa herë jam nisur të largohem nga streha jonë e dashurisë që u kthye për një kohë të gjatë në ferrin e përbashkët të familjes tonë.

E megjithatë qëndroj!

Për një arsye, apo një tjetër nuk marr dot më guximin të braktis gjithçka që lidhet me ty dhe të jetoj e qetë dhe e vetme me fëmijët e mi.

Nuk e di nëse kjo është një mundësi për ty, apo një hezitim i madh për mua, por kjo nuk më ndihmon që unë të të dua. Unë vazhdoj të kem para syve çdo skenë, çdo episod, çdo fjalë që më ka lënduar kur kam përballë fytyrën tënde.

Ndonjëherë vazhdon të më trembë prania jote.

Nuk e di nëse ky është një vendim i drejtë, nëse mund të quhet vendim, por uroj që një ditë fëmijët e mi të më falin për pasojat e mosveprimit tim. /Copyright TiranaPost.al

*Shënim: Kjo është një histori personale e dërguar nga një lexuese e TiranaPost.al, që preferon të mbetet anonime