SHARE

Enzo Ferrari lindi në Modena, një të premte të acartë më 18 shkurt 1898. Vetë ai, në një libër autobiografik e përshkruan atë ditë kur bora ishte aq e lartë sa që vetëm gjashtë ditë më pas u bë e mundur për të shkuar në gjendjen civile. Lindja u regjistrua dy ditë me vonesë, më 20 shkurt. Kështu që ndërsa të gjithë miqtë ia festonin ditëlindjen më 20 shkurt, mamaja e tij i dërgonte gjithmonë një telegram urimi më 18.

Por historianët duke kontrolluar të gjitha të dhënat metereologjike dhe artikujt e asaj dite, nuk lexuan asnjë fakt të jashtëzakonshëm dhe sipas dëshmive të shtypit të kohës ka qenë një ditë normale. Në këtë prizëm, dyshohet se vonesa në regjistrim erdhi si pasojë e frikës së prindërve se mos Enzo nuk mbijetonte. Në Italinë e asaj kohe, një fëmijë në katër nuk arrinte pesë vjeç.

Enzo ishte biri i Adalgisës dhe Alfredos, i cili ishte mekanik në një ofiçinë. Më 6 shtator të 10 viteve më pas, babai Alfredo shkoi së bashku me Enzon për të parë garën e makinave në Bologna. Kur u kthye në shtëpi, Enzo e kishte vendosur se çfarë do të bëhej kur të rritej: pilot.

Performanca arsimore e Enzos është modeste dhe e çrregullt. Këtë ia tregon me shumë pendesë edhe Indro Montanellit, gazetarit të famshëm italian. Në moshën 16-vjeçare filloi të punonte në ofiçinë, në Modena. Gjatë vitit 1915 shërbeu në ushtri dhe vitin pasardhës u nda nga jeta babai i tij, Alfredo. Me mbarimin e luftës, Enzo filloi punë si kolaudues i  C.M.N në Milano. Debutimi i madh erdhi në 5 tetor 1919 pikërisht me C.M.N në garën Parma-Poggio di Berceto. Renditet i katërti dhe konfirmon talentin. Vitin pasardhës ishte piloti zyrtar i Alfa Romeos.

Më 16 nëntor 1929 lind skuderia Ferrari e cila merr pjesë në garat automobilistike me makina Alfa Romeo. Enzo tashmë është i martuar me Laurën dhe është dekoruar nga Mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III. Makinat e tij dallojnë nga të tjerat dhe përbëjnë krenari kombëtare. Krenari e cila u mishërua në garën e Gjermanisë naziste, ku Enzo triumfoi përpara Auto Union të gjermanëve.

Ferrari i parë është i vitit 1946. Ka një motor 12 cilindërsh dhe fuqi 118 kuaj. U desh të vinte viti 1952 që Ferrari të fitonte titullin e parë botëror të Formula 1 me Alberto Ascarin. Presidenti i Italisë, Luigi Einaudi dekoroi më pas Enzo Ferrarin me urdhrin Kavalier i Punës.

Kur në 14 korrik të vitit 1951 makina Ferrari doli përpara dy makinave Alfa Romeo, Ferrari tha se “Atë ditë mendova se vrava nënën time”. Në vitin 1960 Universiteti i Bolonjës e nderon me titullin Honoris Causa në inxhinieri mekanike. Dy vite më vonë botohet libri autobiografik nën titullin “Gëzimet e mia të tmerrshme”, një vepër kulti për të gjithë të apasionuarit.

Viti 1973 ishte vit i vështirë: Ferrari garon vetëm me një makinë për të ulur kostot. Luca di Montezemolo, asistenti i tij i ri që më pas mori drejtimin e Ferrarit thotë se: “Te Ferrari, për shkak të kurajos dhe aftësisë së tij për të parë gjithmonë përpara, edhe në momentet më të vështira, i detyrohem shumë si në aspektin personal ashtu edhe në atë profesional.”

Nderimi i dytë me Honoris Causa, këtë herë në fushën e fizikës, i akordohet nga Universiteti i Modenës më 1988. Është dalja e tij e fundit publike ndërsa i afrohej 90-vjetorit. Enzo gjithmonë fliste me fjalë dhe me ritmin e një epoke tjetër. Është ndër italianët më të njohur dhe të respektuar në botë. Njerëzit e quajnë patriarku i motorrëve. Vdes më 14 gusht të 1988 në shtëpinë e tij në rrugën Garibaldi në Modena, atë shtëpi që e bleu më 1939 me kredinë e marrë ndërsa garonte me Alfa Romeon./Tiranapost.al