SHARE

Një betejë e brendshme mes njeriut dhe ujkut, ku simbolikisht i pari përfaqëson humanen, çdo gjë të bukur në jetën tonë, ndërsa i dyti përfaqëson ftohtësinë, vrazhdësinë, pikëpyetjet mbi ekzistencën dhe alternativën për të hequr dorë mbi atë se çfarë jemi.

Pikërisht ky dyzim personaliteti është tema qendrore e romanit “Ujku i Stepës” i nobelistit Hermann Hesse. Është një libër që konsiderohet si një lloj autobiografie e vetë atij sepse e ka shkruar në një moment shumë delikat të jetës, në një gjendje të rënduar psikologjike duke vendosur që këtë ngjarje ta publikojë nëpërmjet dualizmit të personalitetit që përjeton një intelektual i quajtur Heri Haller (ku vihet re se inicialet e Heri Haller janë të njëjtat me të Hermann Hesse).

Vetë romani është një kombinim i përsosur mes elementëve autobiografikë e fantastikë, të gërshetuar me psikanalizën, ku personazhi kryesor Heri Haller ka pak a shumë moshën e autorit kur shkroi librin dhe vuan nga konflikti i brendshëm në lidhje me identitetin. Rruga e zgjidhjes së këtij problemi kalon në paqëtimin që duhet t’u bëjë këtyre pjesëve të kundërta në raport edhe me mjedisin shoqëror nga i cili ndihet thellësisht i zhgënjyer.

“Vetmia është pavarësi: e kisha kërkuar dhe e arrita. Po, ishte e ftohtë, por ishte edhe e heshtur, mrekullisht e heshtur…”

Heri është një artist që ka pësuar mbi shpinë shumë lojëra të fatit, duke nisur nga dështimi i tij si njeri i artit e kulturës e deri te çmendja e bashkëshortes dhe qenia vetëm në këtë botë. Pra, përballë kësaj drame familjare dhe profesionale ai ka krijuar pa vetëdijen e tij dy personalitete: ndahet mes njeriut të shkolluar dhe ujkut të vetmuar e skeptik, që ka humbur çdo kënaqësi të jetës e që mendon vazhdimisht se zgjidhja e problemeve është vetëvrasja.

Por a është realisht kështu? A mjafton që duke u rruar në tualetin e shtëpisë, Heri ta kalojë briskun mbi fytin e lagur për t’i dhënë fund çdo gjëje? E mendon shpesh, por nuk e bën. Nuk e bën sepse këtu nis rrugëtimi i tij për të gjetur “Njeriun” brenda vetes, ku nuk është e nevojshme që të kryhet vetëvrasje për t’i dhënë fund problemeve, por çdo problem duhet vrarë ditë pas dite për t’i dhënë kuptim jetës.

“Si trup gjithkush është vetëm. Si shpirt, kurrë.”

Mospërshtatja e njeriut në një botë që ndryshon vazhdimisht është një tjetër temë e këtij romani. Ai është shkruar në vitin 1927 ku mbi Europë vërtitej hija e nazizmit dhe nacionalizmave.

Po të shohim me kujdes historografinë, gjithnjë pas asaj periudhe, apo edhe para, bota ka qenë në lëvizje të vazhdueshme, ndërsa Hesse përveç vështirësisë së përshtatjes, jep mesazhin human të paqes në zgjidhjen e konflikteve, pasi ai mendonte se kjo shoqëri nuk vlerëson paqen, dashurinë dhe kulturën por i kthen njerëzit në makineri për të arritur suksese dhe suksesi barazohet me vetë qenien apo mosqenien në këtë botë.

Përgatiti: Erjon Uka/Tiranapost.al