SHARE

Era është si një kalë:
dëgjoje si vrapon
nëpër det, nëpër qiell.

Kërkon të më marrë: dëgjoje
si bredh nëpër botë
e larg kërkon të më çojë.

Më fshih në gjirin tënd,
vetëm këtë natë,
kur shiu dërrmon
mbi det dhe mbi tokë
gojët e veta të panumërta.

A e dëgjon se si era
më thërret duke harbuar
dhe larg do të më çojë?

Me ballin tënd te balli im,
me buzët e tua te buzët e mia
të lidhur trupat tanë
në dashuri që na djeg,
lëre erën që të iki
e mua të mos më marrë.

Lëre erën të rendë mbi dallgë
e kurorëzuar me shkumë,
që më thërret e më kërkon
duke gjëmuar nëpër hije,
ndërsa unë, e dashur,
në sytë e tu të bukur do kridhem,
vetëm këtë natë,
aty më lër të prehem.

Pablo Neruda

Shqipëroi Bajram Karabolli