SHARE
Të kisha thënë për lotin
Të kisha thënë se loti që rrjedh në faqe,
Është shpirt i vrarë që humbet për pak çaste…

Të kisha thënë, loti është një funeral,
Kur kalon ai, veç trishtimi s’bindet të ndalë…
Të kisha thënë, edhe kur sheh diku një lot,
Ndalu, përule kokën, hesht, nëse s’loton dot.
Të kisha thënë…Kot të kam thënë gjithsesi,
Se s’bëre asgjë për të ndalur lotët e mi…

Vite më pas…

S’është çudi që do plakem një ditë,
Po ca kohë do mundohem ta fsheh.
Kjo botë, prapë do të mbetet e hirtë,
As më e vjetër, por as dhe më e re.

Nën qiellin që do jetë, po ai i vjetri,
Gratë e bukura do harbojnë më keq.
E kam për të besuar, se jam i vetmi.
Që kthyer në gri, do dukem në qelq.

Më pas, edhe do trishtohem ndoshta,
Se vetëm unë, jam i kapur në një lak.
Po shfaqesh ti, që ndryshe nga bota,
Me thinjosjen time do bëhesh ortak.

E do të shoh se e ke lënë ti një thinjë,
Që si imazhi përball, të rri mbi supe.
Kur gjithë thinjat e tua, di si i fshinë,
Ç’mall të ka kapur që e vë në dukje!?

Me ty s’do flas për gjëra të thjeshta,
Si m’i fale ti sytë, a si m’i fale linjat.
Gjen pa fund gra, që japin nga vetja,
Zor se gjen dikë, që të merë thinjat.

I LIGU

Ai iku nga ty, kur ndjeu mërzitje,
Dhe pse ish i ligë, sa nuk thuhet dot.
Ndoshta s’qe e liga që i tha të ikte,
Po e mira jote që i ngjau e kotë.

Ai iku, sapo iu mbushë mendja,
Ti s’bëre asgjë që ta zboje vetë.
Ndoshta i ligu, s’do të hyjë brenda,
Ndoshta në portë, prapë rri e pretë.

Ndoshta atë, s’e lodhë shiu e era,
Po e mira jote, për të është bajate.
Ndoshta nuk do, të të shoh tek dera,
Se bezdi i duket, loti yt mbi faqe.

Ndoshta ti thua:-Hall ka dhe i ligu,
Që endet kështu, në të tjera vende.
Ndoshta mallkon veten që e le e iku,
Dhe do ta pështysh, mirësinë tënde.

Ndoshta kur të jetë, diku në një shesh,
Do ta ftosh sërish, duke qarë në heshtje.
Po ai lotët, ndoshta do t’i përqeshë,
Dhe thotë:-Nuk të vi se ti, je me vese!

 [ Sokrat Habilaj ]