SHARE

Ku ta gjej unë erën tënde

Ehu!… Pyetje ishte kjo për të bërë.
apo të gjithë kërkojnë nga dashuria?
Ahere thashë: “Do bëj një pyetje jo si të tërë!
Një pyetje “bombë”, nga ato që bën mençuria.

“Ku ta gjej unë erën tënde!?…”
dhe si shuplakë, pyetja në vesh më flakëroi.
Këto janë intervista! – mendova, – që dalin prej zëmre…
Tani forca, përgjigju!… se koha kaloi!

E vura gishtin tek plaga e sapohapur
Arrnuar me fasho psherëtime dhe malli.
E prekja pa mëshirë plagën e përgjakur
Që përgjigja të dilte e sinqertë…e jo nga halli.

Kërkoja të nuhasja erën time vetiake
dhe aty brenda shpirtit përgjigjen të merrja…
çudi…përpjekjet e mija dështake
nga thellësitë e shpirtit erën tënde nxirrja!

Përse më bën pyetje ti zogu i pranverës
Që strukesh pranë meje e lumtur!?
S’e ndjen erën time që rri prapa derës
dhe pret e rrënqethur një fjalë, për t’u futur?!

Rrëmo plagët e tua që kullojnë dashuri
Pastaj vur melhemin e mallit të përzhitur!…
Dhe pyetmë e dashur, pyetmë përsëri:
– Ku ta gjej erën tënde, nga largësia…grisur!?

Tani prit përgjigjen, se më duket e gjeta!
Kërko erën time, tek endrrat e tua!
Të fal të gjitha netët që askurrë nuk i fjeta!
Se erën e përbashkët e ke tek fjalët TË DUA!

 

Nuk kam kohë të merrem me ty!

Mjaft më bezdise me xhelozinë tënde!
Gjeta pak kohë të ta them ndër sy:
Bota ime është më e madhe se çdo dhëmbje
Lermë të lutem, nuk merrem dot me ty!

Unë vij të përkëdhel e ti kurrë nuk ngopesh
Ankohesh, psherëtin e pastaj thua: – më ke xhan?
Vërtitesh brenda vehtes e prej saj friksohesh
Nuk kam kohë të merrem me ty tamam!

E di se do trishtohesh dhe do kërkosh pardon
Por unë e ndjej nga larg, do mbetesh po ajo!
Sa më shumë të të dua, ti përsëri dyshon
Më ndjek nga pas si hije, pastaj pyet: – a më do!?

Tani fli dhe pafsh endrrat më të bukura
Unë do vij fshehurazi e të të puth në sy.
Se lulet mezi presin, mbi to, të ndalet flutura…
Ika…sepse nuk kam kohë të merrem me ty!

 

Lajthitje poetike

Nëse një femër mrekullohet
Vetëm nga vargu im i thjeshtë
Unë jam Romeo që dashurohem
Sapo të bëhet ajo Xhulietë!….

Sepse e di se çfarë është ëndrra
Dhe dashurinë unë e kuptoj!
sa fantastike që ësht’ femra
E di veç ZOTI që e krijoi!

Unë mirë e di çfarë do një grua!
Një fjalë të ngrohtë dhe çiltërsi.
Brenda në shishe më futi mua!
Se isha Djalli në Dashuri!…..

 

Unë dhe “Poetët”

Ama “poetë” ishin ahere,
kur thurnin hymne për Partinë!
Tani liria është prapa dere,
Ata më shajnë veç Shqipërinë!

Ndaj dhashë e dhashë e më s’durova!
Duke e lënë at’ vend të lik!
“Poetëve” vendin ua lëshova
Përplasa derën, e thashë: – Po ik!

Kalova udhë, kalova dete
Më ngjante vendi si një greminë!
E morra vargun, dhe vrava vehten,
rrëzuar jam sot mbi vetminë!

Kur të kujtohen që unë kam ikur
Do jetë shumë vonë, por s’ka rëndsi!
Më mirë larg tyre, Qiri Pa-fikur
Se bajgë e shkelur, pa Poezi!

| Agim Doçi |