SHARE

Ndërgjegjia

Shpesh vetja të bëhet si ferrë
Nga ferra ndërgjegjia s’del dot,
Sa ndodh ta vështrosh ndonjëherë
Dhe veten tënde me ndot.

Të flasësh me miq s’ke dëshirë,
T’i shash dhe armiqtë përton,
Nga vetja të vjen aq pështirë,
Sa s’dihet a rron,a nuk rron.

 

Ne Njihemi Bashkë

Shkova të flija mbështjellë me shallin e vjetër,
ti the : Mos ik se po vdes,
u ktheva nga ti të pashë: Gënjeshtër,
dhe fjeta pa u zgjuar gjer në mëngjes.

E shtrenjta ime ne bashkë njihemi ,
dhe s’jemi aq trima sa t’a marrim vdekjen në sy,
dhe qesharakë bëhemi kur shtiremi,
kur shtiremi shpesh se po vdesim të dy…

 

Nuk ka çudira

Vërtet nuk çuditem këtu nga kjo jetë,
Ku s’mburren aspak Muhameti me Krishtin,
S’habitem sikur dhe me sy t’a shoh vetë
Të shoqen e hoxhës të puthet me priftin.

Një gjë e zakonshme kjo puthje më duket
Tani kur çudirat po ndodhin të gjitha,
Kur shiten dhe bëhen kurva dhe nuset
Pa hequr kurorën nga kisha.

 

Veçse një ëndërr

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike
Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë
S’erdhe si e dashur, por si mike
Thjesht si vizitore tek një burrë.

Për takimin, tjetër ëndërr kisha,
Tjetër doli,siç ndodh në botë
Endërrova në kulm të trëndafilta
Si një verë a trendafil në gotë.

Dhe megjithatë them faleminderit
Ti më dhe një fluturim mbi një ëndërr
Nëpër portën hapur prej ylberit
Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr.

| Dritëro Agolli |