SHARE

Ne s’dimë asgjë…

Unë s’di asgjë,
Ajsberg ky fat
Pas dite e viti,
Aty ku unë qesh,
dikujt i dhemb shpirti.

Dhe ti asgjë s’di,
Kot thua je më i madh,
Se viteve vuajte në kërkim të vetes,
Si një shtërg i humbur buzëve të harruara,
Peng i dhimbshëm kohëve të shkuara.

Kot e kemi të gjithë,
Asgjë nuk dimë,
Pandorë e stisur sillet rreth nesh,
Dikë e tremb,
dikujt i buzëqesh,
Kur britma çan malin prej frikës
e tmerrit,
Kur humbja afrohet e prek dashuritë,
Kur peri këputet e zemra përvëlohet,
Kuptojmë të gjithë që asgjë nuk dimë.

Asgjë nuk dimë e prapë dimë gjithcka,
nga baltë e bekuar ne erdhëm një ditë,
Kur dielli shkëlqen e tokën e ngroh,
Kur era mëngjeset e mbrëmjet flladit,
Kur stina piqet e frutin lëshon,
Kur dorën e dashur prekin gishtrinjtë,
Kur afsh i natyrës nga vesa zë laget,
Kur bebja lind edhe burri plaket,
Kur rruazoret butë sipas rradhës vijnë,
Ne s’dimë gjithçka
por diçka e dimë!

Kur udhët e jetës ngatërrohen papritur,
Bën mirë të kthehesh aty ku je nisur…

Eva Kacanja