SHARE

Kjo është ngjarje e përditshme dhe përfundimi i saj është rrëmuja e përditshme. A-ja duhet të kryejë një punë të rëndësishme me B-në, që banon në H. Niset për bisedimin e parë në H, për të përshkruar rrugën i duhen dhjetë minuta, po aq për t’u kthyer dhe në shtëpi mburret për këtë shpejtësi të jashtëzakonshme. Të nesërmen kthehet në H. për t’i dhënë fund punës. Duke e marrë me mend se kjo gjë do t’i hajë disa orë, A-ja niset në mëngjes pa zbardhur. Por pavarësisht se rrethanat, të paktën sipas tij, janë të njëjta me ato të një dite më parë, kësaj here për të mbërritur në H, i duhen dhjetë orë. Pasi mbërrin në darkë, i lodhur e i këputur, merr vesh se B-ja ishte mërzitur duke e pritur dhe ishte nisur para një gjysmë ore për në fshatin e A-së, madje duhet të ishin takuar rrugës. E këshillojnë të presë, po A-në e ha meraku për punën e tij, niset për rrugë dhe rend për në shtëpi.

Kësaj here, pa e vënë re, e përshkon largësinë sa hap e mbyll sytë. Në shtëpi merr vesh se B-ja kishte mbërritur në mëngjes menjëherë pas nisjes së A-së; madje i thonë se ai u kishte thënë se te pragu i shtëpisë e ishte takuar A-në, i kishte kujtuar çështjen e asaj pune, po A-ja nuk i kishte dhënë përgjigje, duke i thënë se nuk kishte kohë për të humbur dhe ishte nisur me të katra.
B-ja megjithë sjelljen e pa shpjegueshme të A-së, kishte ndenjur për ta pritur. I thonë se ai shumë herë kishte pyetur a ishte kthyer A-ja dhe se ndodhej atje lart, në dhomën e A-së.
A-ja i gëzuar se tani mund të flasë me B-në e t’i thotë gjithçka, ngjit me vrap shkallët. Pa mbërritur mirë, i pengohet këmba, pëson një këputje mishi dhe gati i bie të fikët nga dhimbja; nuk mund as të thërrasë, po vetëm bërbëlit në errësirë dhe ndjen se B-ja (nuk e merr vesh se larg apo afër) – zbret shkallët me tërbim e potere të madhe dhe zhduket një herë e mirë. (Përktheu Gjergj Vlashi)