SHARE

Nuk ngjan me asnjë kalimtar të rastësishëm, as me ndonjë mik, nuk ke asnjë të përbashkët me askënd, ti je tmerrësisht ti, në gjithckanë tënde, e vetmja e përbashkët me botën është rruga që ti shkel. Edhe ata që të kalojnë përbri ti i bën të duken të gjithë njësoj, ti je ndryshe sepse të tillë të bëj unë! Me veset e mia që nuk i kam të mësuara por të lindura, të jap ty vijën ndarëse nga bota, të vesh me një tempull madhështie e me atë peshë ti endesh rrugëve duke mbajtur një sfidë të madhe për shpatulla që janë të dobëta për të tilla ditë.

Shpesh herë jam përpjekur të krijoj një harmoni duke e shtyrë veten me dhunë ti jap një trajtë të qartë asaj që do të dilte në sipërfaqe e në fund të zbusja edhe veten, por në gjithë këtë gjëndje jam përkushtuar të të jap ty pushtetin e të qënurit qendra e botës time. Një nevojë e padobishme për të zbrazur veten e mbushur shpirtin tënd, të cilit i rëndojnë peshat e mia, në këtë orkestër që shpesh herë ka zhurmuar veshin tim, ti endeshe në tempullin e madhështisë të cilin e bëja unë të prekshëm për ty!

Ti nuk je si asnjë!

Sepse ende nuk i kam dhënë kohën e duhur vetes që me një formulë të të zhbëj atë model të cilin unë vetë e bëra të të rrijë ty mirë. Nuk u mjaftova të isha vetja por në përpjekjen time për të dhënë ty më shumë se cfarë ti ishe mësuar rëndom të merrje, shkartisej paaftësia e një zemre bosh me një zemër që është mësuar të jetë shtëpi për njerëz me shpirt!

Të pashë përballë  meje sot, pa guxuar të flisje asnjë fjalë për të më thënë njëherë më fal! Të më thoje “më fal sepse unë jam një si gjithë të tjerët.”

Ti sot nuk ngjan më as me veten tënde, nuk ngjan me asnjë kalimtar të rastësishëm, as me ndonjë mik, nuk ke asnjë të përbashkët me askënd, ti je tmerrësisht ti, në gjithckanë tënde, e vetmja e përbashkët me botën është rruga që ti shkel,  ti je tmerrësisht ti i idealizuar nga unë!

Është bukur kur i del vetes në pasqyrë e sheh sesi ndryshon ti më atë që ke përballë, ti e njeh veten të zhveshur nga sforcimet për të qënë ndryshe, ti e njeh veten edhe pa gjithë ornamentet e fituara si një shans i dëshiruar fort.

Ti nuk je si asnjë por…

…se si dukesh sot që nuk je më qendra e botës time!

– Des’aintila