SHARE

Kur isha në moshën tënde
të mëdhenjtë dhe të dashurat mësuese te moshuara e miope
më thoshin se Liri a Vdekje diç e tepruar qenë,
e kush mund ta çonte nëpër mend në një vend
ku politikanët bridhnin pa shoqërues!
Se “Atdheu apo Varri” qenë një tjetër pleonazëm
meqë Atdheun e kishim për detyrë
në stadium po aq sa nëpër fusha futbolli.
Në të vërtetë një pesë me hiç kuptonin të ngratët
besonin se Liria veç një fjalë e mprehtë qe.
Vdekja asgjëmangut veç një fjale hijerëndë a pa kuptim
e fatmirësisht Burg një fjalë bishtnuese.
Harronin ta vinin theksin tek njeriu.
Jo se ish krejt faji tyre
por i të tjerëve më të fortë e më të majtë
dhe ata na mashtruan që çke me të
në republikën e kulluar verbale
q’e idealizuan
atë galdim bishash e padronësh
e na plasën një ushtri
që çaj rrëkëllente në kazerma.
Njeriu s’bën gjithmonë atë që do
jo gjithmonë mundet.

Ndaj jam këtu
tek shoh e vuaj
mungesën tënde.
Ndaj s’ti shpupuris dot flokët
as të jap dot një dorë me matematikën
as të t’bëj shoshë me shqelmime topi.
Ti e di se tjera lojëra m’është dashur të luaj
dhe kam luajtur, jo shaka.
Luajta fjala vjen polici-hajduti
dhe hajdutët policë ishin.
Luajta fjala vjen kukafshehti
dhe nëse gjallë të zinin të vrisnin
luajta me ngjyra
dhe ngjyra gjaku ish.
I vogli im, ndonëse i njomë je
mendoj se duhet të t’them të vërtetën
që ta mbash vëth në vesh.
Ndaj s’po ta fsheh se më kanë torturuar
gjersa veshkat më plasën
tërë këto plagë, ënjtje e vraja
që syçkat tua të rrumbullakëta
shohin të magjepsura
janë goditje barbare
janë çizme në fytyrë
shumë dhimbje për të ta fshehur
shumë vuajtje që t’më asgjesojë
Por është gjithashtu e drejtë të dish
që plaku yt s’ka pipëtirë
apo që nëmi si i lajthitur
çka është një mënyrë e mirë heshtjeje.
Se plaku yt tërë numrat i harroi
(ndaj s’të ndihmoj dot me tabelat)
kësisoj edhe gjithë numrat e telefonit.

Dhe rrugët
dhe ngjyrën e syve
dhe flokët dhe vragat
dhe në ç’qoshe
në ç’kafene
në cilin stacion
në cilën shtëpi.
Kujtimi yt
fytyrëza jote
e ndihmonte të rrinte sus.
Një gjë është të vdesësh nga dhimbja
dhe një tjetër të vdesësh nga turpi.
Ndaj tani
mund të më pyesësh
e mbi të gjitha
mund të të përgjigjem,
Njerëzit nuk bëjnë gjithmonë ç’duan
por kanë gjithmonë të drejtë
të mos e bëjnë
atë që s’duan.
Vazhdo qaj, vogëlushi im
pallavra kur thonë
se burrat s’qajnë.
Këtu qajmë të gjithë.
Çirremi, gërthasim, jargavitemi, ulërijmë, mallkojmë.
Sepse është më mirë të qash se të tradhtosh
Sepse është më mirë të qash se sa vetveten të tradhtosh
Qaj
por mos harro.

 

TA MBROSH GËZIMIN

Ta mbrosh gëzimin si një llogore
ta mbrosh nga skandali dhe rutina
nga mjerimi e të mjerët
nga mungesat e përkohshme
dhe të përhershmet
ta mbrosh gëzimin si një parim
ta mbrosh nga çmeritja dhe makthet
nga neutralët dhe neutronet
nga fëlliqësitë e ëmbla
dhe diagnozat e rënda
ta mbrosh gëzimin si flamur
ta mbrosh nga rrufetë dhe trishtimi
nga të padjallëzuarit dhe maskarenjtë
nga retorika dhe infarkti
nga endemitë dhe akademitë

ta mbrosh gëzimin si fat
ta mbrosh nga zjarri dhe zjarrfikësit
nga vrasjet dhe vetëvrasjet
nga pushimet dhe mundimet
nga detyrimi për të qenë të gëzuar
ta mbrosh gëzimin si një siguri
ta mbrosh nga oksidi dhe fëlliqësitë
nga cipa zulmëmadhe e kohës
nga lagështia dhe oportunizmi
nga sekserët e gajasjes
ta mbrosh gëzimin si një e drejtë
ta mbrosh nga Perëndia dhe dimri
nga gjërat e stërmëdha dhe vdekja
nga mbiemrat dhe dhimbjet e rastit
por edhe nga gëzimi.