SHARE

Nëse më pyet:
Si qe ky vit që shkoi?
Të përgjigjem:
I zi.
Ky vit që vjen
O Zot se s’të besoj
Në mos i bardhë
Të paktën qoftë gri

– VJESHTË E TRETË

Dëbora pa rënë po shkrihet.
Në vend të natës
Në vend të çative
është zemra
zemra ime që po thinjet.

Lutje

Përpara tymit
harroj zjarrin
përpara puthjes
harroj dashurinë
përpara lules
harroj aromën
përpara hingëllimës
harroj kalin
përpara emrit
harroj njeriun
më vini përpara orën
të harroj kohën

 

– JETË

Jam ai që s’kam qenë,
do të jem ai që nuk jam.
Pemë po të isha, të mbija ndanë lumit,
të gjelbëronin shpresat, të binin fletët e trishtimit,
mbi degët e përkulura të thinjej bora, të ulërinte era,
netëve një ëndërr:
të vinte pranvera …
Do t’i grishja zogjtë
të vinin tek unë të ngrinin folè,
të cicëronin, lodronin një çast pas shtegtimit;
mbi mua papritur të vërshonin ujrat,
trungun dallgët të ma rrihnin.
Zogjtë të ikin, në liri –
të ikin …
Fëmijët të kacavireshin,
gjethet t’i këpusnin për herbariume,
mbas punës punëtorët të pinin cigare
me duar të trasha si copra trungjesh.
Mbi gjoksin tim ku mbështetet Arusha,
djema, mbështesni shpatullat e vajzave të bukura.

XHEVAHIR SPAHIU