SHARE

Nëse do të vish, eja sot, mungon vetëm ti që fotoja e përvitshme të marrë formën e dashurisë, nëse do të vish, eja sot, jo në kohë tjetër. Që të të përqafoj fort e në atë shtrëngim të kuptosh se të kam falur, se nuk harroj por në thelb nuk jam më vogëlushja naive që mendon se gënjeshtrat vishen me të kuqe dhe stolisin ditët gri!

Unë jam prap këtu, me dëshirat e njëjta, të jem po prap në vendin e zakonshëm, në zemrën tënde, të jesh edhe ti në dëshirat e mia si cdo vit, në vendin e zakonshëm, brenda shpirtit tim. Sepse ende të shoh me po aq adhurim, dhe ti e di, kur unë dua, dua me gjithë shpirt! Sot nuk dua të më mungosh, kam nevojë për ndjesi tjetër nga ty, jam tkurrur mjaftueshëm me mungesën tënde, duke e hidhëruar veten, ndaj nëse do të vish eja sot, që të të përqafoj fort e të kuptosh se të duash është më e fortë se aq.

Nuk dua të mbetesh një mesazh i padërguar në telefonin tim, dua të ngroh zemrën me ty pranë sepse më ka marrë malli për kohën kur dashuria ishte e thjeshtë e zhveshur nga të gjitha këto të voglat e panevojshme që e zhbëjnë të bukurën e ndjesisë. Të kam dhënë gjithmonë një formë për të besuar se cdo gjë ndodh për një arsye dhe me dritën që reflekton në sytë e tu të kam thënë se kam mësuar të jap dashuri edhe kur nuk kthehet mbrapsht, ndaj fjalët që thoja më shpesh ishin Të dua, jo për ti dëgjuar përgjigjen por thjesht që kur të largohesh nga unë, të dije se je në zemrën e dikujt. Kam mësuar se duhet të të vesh me besim, se kjo e mbron zemrën, kam mësuar se me ty ëndrrat kanë ngjyra e në të gjitha këto ndjesi të strehuara sot, di që më merr malli!

Do të të mungoj, ashtu si ti, kur në mëngjes të mos e dëgjosh më thirrjen time, e do të rikthehesh me pyetje të vogla që do të të mundojnë më tepër. Unë e di që ti do të më kujtosh e në atë cast të thuash se ndoshta duhet të kthehesh.  Ndaj eja sot, të harrojmë me dëshirë e të mos i veshim gënjeshtrat me fjongo të kuqe, të dy e dimë sa i mungojmë njëri tjetrit, më kot përpiqemi ta fshehim, më kot lodhemi duke gjetur forma për të bërë konfuze edhe zemrën! Ne jemi po prap ata që në fund të ditës mendojmë se si do të ishte një feste bashkë, ku do të shtrëngoheshim në përqafim me premtime të njëjta.

Mungon vetëm ti, që të ndez edhe qiriun e fundit mbi tavolinë…

– Des’aintila