SHARE

Në Vendin Tim

Në vendin tim ka dymijë vjet
Që vazhdojmë Luftën,
Për të pushuar Luftën
Me Luftë,
Kur na e vonojnë të tjerët e shpikim vetë
E gatuajmë si bukë. 

Në tokën time teatër tragjedish,
Të gjithë janë njëkohësisht
Dramaturgë dhe aktorë.
Shikues nuk ka, nuk ka suflerë,
Nuk ka regjisorë.

Në dheun tim ka dymijë vjet
Që edhe korbat po bëhen të bardhë,
U thinjën, u zbardhën dhe korbat e gjorë
Prej tmerrit
Prej çfarë?!

Në dheun tim të varfër sa vdekja
Lulëzon përditë
Industria e varreve.
Dhe gratë gjithmonë veç shtatzëna
Për lëndë të parë të hakmarrjeve.

Në truallin tim të moçëm sa ajri
Kemi njëzet shekuj
Që kërkojmë Shtëpinë e Fatit.
Dhe ndoshta kjo na bëri të hidhur
Sa gusha e gjarpërit.

Megjithatë në vendin tim
Ku s’ka suflerë dhe spektatorë,
Ka nje vend të perëndishëm
Ka një Mekë
Që quhet Vlorë…

 

– Asaj- 

O moj çmendje e bekuar, thikë e ëmbël, pa harrim,
Nëpër borën dy pëllëmbë…në një natë të Jugut tim,
Qysh i mbushe trupat tanë plot e plot me ura zjarri
Dhe na shtrive lakuriq mbi çarçafët prej acari.

Si skulptor-e – turpëruar bora merrte masën tënde,
Shkrinte nëpër kofshë e ije, nëpër vithet gjysma hëne,
Po për ne ajo s’qe borë, qe sheqer që hidhte zoti,
Të qet’sonte përrenj gjaku të tërbuar atij moti.

Shkriu bora me rënkime gjersa doli toka poshtë,
Përmbi kryq të trupit tënd unë Krishti pa një gozhdë,
Krisht i moshës njëzet vjeç, me një Bibël kuturu,
Ngjisja malet e Sinait, – ata ishin gjinjtë e tu.

O moj çmendje e bekuar, bëhu prapë e gjallë për mua,
Po bie borë prej njëzet vjetësh, më ka hyrë gjer në thua,
Më kanë mbetur ca kongjij nëpër prush të burrërisë,
Një përrua gjaku qan tek një breg i dashurisë…

 

Në Zemër Bie Shi

Ne male bie shi, ne fusha ka mjegull,
Ti pret agimin ne kembe, tek dritarja.
Ku do te shkosh sot, me ke do te pish kafene(?)
O zot, sa e gjate eshte dita perpara…
Qe tani je i lodhur, por te harrosh ke ngè,
Do ta gjesh edhe per sot nje genjeshter te re.
Ne koridor kepucet jane te ftohta, te presin,
Dy arkivole te zinj qe hypin e zbresin(!)
Ne zemer bie shi, ne tru ke mjergull,
Mjaf de! nisu!
-Te nisem?….-Ne rregull!…

 Petrit Ruka