SHARE

E dashur Sadije

….Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”! Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur. Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo? Po njeriu është edhe rrufjan­hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithënjë të vërtetën. Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirësisht, i kam nuhatur. E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë. Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon.

E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët? S’di ç’të them. Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj. Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar. Në Durrës nuk kam shkuar për të pyetur atë shokun tim, se ç’bëri me syzet që kam porositur për ty. E kam marrë ca herë në telefon, po ka qënë me leje dhe nuk më ka dalë. Kam filluar të bëj një jetë më normale, më realiste. Për librin tim me tregime kam pyetur në ndërmarrje të botimeve e më kanë thënë se së shpejti duhet të dalë në qarkullim.

Më nxori mjaft telashe ky libër. Sipas numrit ky është libri i katërt që botoj, po më i vështiri dhe më i ngatërruari. Ky i pesti me vjersha që po pregatit s’besoj të ketë fatin e tregimeve. Në vjersha jam në terrenin tim dhe di të orientohem, megjithëse një zvaranik më tha se shumë vjersha duhet t’i heq. Lexova një libër nga Dostojevski dhe më ka lënë pa gjumë me tipat dhe figurat e tij të tmerrshme. Një burrë tërë natën mendon para qivurit të gruas së tij, që ka vrarë vehten. Cilat kanë qënë arësyet që gruaja e tij vrau vehten? Rreth kësaj shkruhet tregimi. Ka një moment të hatashëm. Burrin e ka ftuar një njeri në duel (përpara se ky të martohej). Ai refuzon, nuk pranon të bëjë duel. Të gjithë e quajnë frikacak. Pas shumë situatash gruaja e çdashuron atë.

Ai është shtrirë e fle. Ajo merr revolen dhe ia vë në tëmbth tytën e hekurt. Ai hap sytë, e shikon me gjakftohtësi tytën dhe i mbyll prapë. Gruaja tronditet. Përherë të parë kupton se ky nuk është frikacak. Po si është e mundur që refuzoi duelin? “Të refuzosh duelin – tha ai – kërkon më shumë burrëri!” Me të vërtetë është tregim i fortë. Gjynah që ti nuk e lexon dot. E kështu, moj e dashur, mjaft griva, po e mbyll letrën.

Të puth, Dritëro 19.8.1964
(Fragment i një prej letrave, pjesë e librit “Dashuri në moshën e Krishtit”