SHARE

Etërit na ikën…
Në ditëvite të ndryshme.
Me vdekje të thjeshta,
si jeta e tyre.

Na ikën…
Cdo ditë e më shumë
ua numërojmë të mirat…
Ku ishim më parë
ne bijtë, ne bijat?!

Tani, që s’i kemi,
ah, dhe një çast t’i kthenim!
Të bëjmë ca rrugë
andej nga Liqeni,
t’iu japim një kafe,
që s’ua dhamë te “Rinia”
dhe tutje më shumë
t’iu bëjë pleqeria…
Rradhëve mos t’i lodhim
në asnjë lloj dyqani,
Mbrëmja mos heshtojë
me sy tek ekrani.
Të nisim udhë bisedash
për botën anembanë,
një gotë, çdo mbrëmje
ta pimë me etërit tanë…

Cfarë s’japim,
t’iu jepnim,
ato, që dot s’ua dhamë!
Të urtëve,
të pafjalëve,
të mirëve,
etërve tanë!

ZHULIANA JORGANXHI