SHARE

HIJA IME

Me hijen time ik në rrugë,
Ajo e sheshtë gjithë aq e zezë.
E di saktësisht se ç’mendoj unë,
Pjerrtas më sheh si një të mjerë.

Unë hijen time nuk e njoh,
S’ia di mirësitë e as tradhëtitë,
Nuk di as kur do më lëshojë,
Kur do të më ngarkojë në shpinë.

Një Zot i madh hija më duket
Tek pret me shpirtin tim të ngjallet,
Por pritja është e pafundme,
Me kohë ma morën shpirtin hallet.

Dhe lanë në zgavrën e kraharorit,
Veç mosbesimin dhe egërsinë.
Nga hija ime për fat të keq,
Sot diktatori mund të lindë.

 

Tej Bukurisë

Mbas mjegullës, detit, maleve, fushave,
pas katedraleve ar e shkëlqim,
është vendi im, i vogli fare
i shtrirë, më këmbë, foshnjë dhe trim

I vogli fare me qiej të kaltër
lumenj kokëfortë, detra si loti
ku njerëzit flenë pa bërë kryqin
dhe zgjohen duke thënë: “Dhëntë Zoti…”

Askush atje s’di çfarë vjen nesër
ku do të prehet: në shtrat a varr?
Dhe prapë unë endem kufomë në Londër
Shekspirin shoh me mendjen larg

Në kalendar kryqëzoj ditët
me ankth përgjoj si afron kthimi
Të bëhem prapë njeri atje
ku dihet fjetja, po s’dihet zgjimi

Mbas mjegullës, mrekullisë, magjisë
është vendi im i vogël fare
Si diamant që pret floririn
për ta magjepsur botën e madhe

 

Teodor Keko