SHARE

Dredhesh, përdredhesh,
Mbi laring përpëlitesh,
Si kokë gjarpri, në strofkën tënde,
Mes jargësh që zgjaten,
Jargavitesh!
Në llumin e fjalëve, që ti nxjerr,
Sharjet, mallkimet që lëshon,
Ndaj asaj, atij, atyre,
Që ti thjeshtë, veç pse s’i do!

Dredhesh, përdredhesh,
Aty, në zgavrën tënde,
Ku vendin ke e ti qëndron,
Për ushqim ke fjalët e liga,
Thashethemet,
Për mua, ty e atë,
Që thua thjeshtë, veç pse ti s’na do!

Dredhesh, përdredhesh,
Aty, në vendin e sigurtë,
Askush s’të sheh, askush s’të njeh,
Por ti mundësh, pa shqetësim,
Helmin tënd ta përhapësh,
Për mua, ty dhe atë!

Dredhesh, përdredhesh,
Rehat ti je, aty rehat,
Pa e ditur që fjala jote,
Për kokën tënde, ku ti rri,
Mund të jetë, dhe shpatë e mprehtë,
Mund të jetë dhe shpatë e gjatë,
E ti, fare s’lodhësh, veç rrotullohesh,
Mbi laring sa poshtë sa lart,
Se ti këtë, gjithmonë, përherë,
Zanat e pate, e ke zanat!

Dredhesh, përdredhesh,
Aty ti, në zgavrën gojë,
Edhe pse je e bekuar,
Në shumë shije, të notosh,
Shije, ti, sa shumë shije njeh,
Cilëndo ti e provon,
Por mes t’thartës apo t’ëmblës,
Ti veç t’hidhurën preferon!
Se ti veç këtë e do,
Për ne, ju, ata, ato!

Dredhesh, përdredhesh,
Mes dhëmbëve që janë gjysmë të prishur,
Gjysmë të rënë, ashtu të pëlqen,
Se më lehtë, e ke të nxjerrësh,
Vjelljen tënde të gërditshme,
Ndaj atyre, pa arsye,
Që t’i s’i do, që ti urren!

Jeton Musliu