SHARE

– KLITHMA IME

Unë do të vdes,
me kot lutesh të zgjohem nën këtë hark të kuq të perëndimit
ku pisha digjen,
e kotë t’i ngjallesh akrepat e mugët të ndjenjes në këtë orë.
Sepse kam rënë, kam rënë prej kohësh,
E madhe, me zhurmë, e vrarë kam rënë,
me një plagë të kuqe që e shihja vetëm unë.
Oh, me zhurmë, me shumë zhurmë kam rënë,
e pakallur kam rënë,
mbi këtë tokë kam rënë.

Dhe askush s’e pa ku ra ulërima ime,
askush s’e degjoi,
askush nuk e di ku endet tani ajo,
ku ulërin ulurima ime.
Të kam pranë rini e freskët,
tendencioze, plot muskuj.
E shoh dorën tënde të zgjatur përmbi trupin tim,
dorën tënde të fortë, dorën tënde të lutur,
dhe buzët e tua shpirtndjellëse i prek e i dëgjoj me zemër.
Por..unë kam rënë, unë po shuhem ngadalë,
nën peshën e trupit tim që po ftohet
të gjakut tim që po ngrin në deje,
ndërsa klithma ime shtegëton,
dhe vetem për të bëhem merak unë,
ndërsa vdes.
Ju a e dëgjoni?

Mimoza Ahmeti