SHARE

Filozofi i njohur francez Alain Badio, në veprën e tij “Sarkozy C’gjëkafshe është” ka shaplosur mendimin e tij të artikuluar mbi disa koncepte politike të cilat mbizotrojnë në sferën sociale dhe politike të perëndimit. Përmes Sarkozys dhe ndonjëherë edhe drejtpërsëdrejti për të ai i shtjellon pikpamjet e tij të cilat për interesimin tonë, i kemi përmbledhur dy më kryesoret dhe i kemi dekontekstualizuar për sa kohë nuk ndryshojnë në substancë dhe këtë e kemi bërë për dy qëllime: Së pari që ta <zgjerojmë kritikën> përtej një njeriu dhe një shteti dhe së dyti për ta <skanuar trajektoren e politikbërjes> në perendim, e cila duket se mbahet mbi të njejtat leva gjithkund.

Badio fillon me një kritikë bërë demokracisë në së paku dy cështje: E para në sistemin e saj numerik dhe së dyti në tjetërsimin e saj rrënjësor që ka pësuar në kohë. Në pikën e formalizimit numerik, Badio thotë: “Nëse numri, i vetëm, kërkon që ne t’i shpallim meritën (fituesit), kjo do të thotë se demokracia është qartazi indiferente ndaj cdo përmbajtjeje.” Këtu Badio kundërshton hapur atë që quhet regjim i numrit pavarësisht nga c’realizon ajo. Në pikën e tjetërsimit rrënjësor të demokracisë ai thotë se demokracia është larguar nga forma e saj e vërtete e cila është <barazia përpara idesë politike> dhe ka devijuar në kapitalo-parlamentarizëm. Këtu Badio takohet me filozofin gjerman Jurgen Habermas me një dallim në nuanca; Habermas krizën e demokracisë e shihte në pushtimin e sferës publike, vecmas asaj mediale nga oligarkia ndërkombëtare teksa Badio vë theksin më shumë në korruptimin direkt të liderëve shtetëror nga po të njejtit.

Në bindjen time, në kritkën e Badios bërë regjimit të numrit të zhveshur nga përmbajtja e asaj se cfarë ofron, qëndron një domosdoshmëri politike; ngritja e një politike emancipimi që ndërtohet mbi ‘kushtet e domosdoshme’ të qytetarëve dhe që që kjo politikë të qëndrojë përtej rregullave të lojës, në mënyrë që Njeriu dhe Thymosi Popullor të jenë mbi byrokracinë dhe letrën.

Punëtorët dhe Problemi i Imigrimit
Një nga pikat kryesore të politikëbërjes së sotme është rivendosja e shënjyesit “punëtor” në ligjërimin e politikës.  Ai thotë se kësaj rradhe ky koncept merr një përmbajtje dhe përdorim tjetër: “Kësaj rradhe jo sipas linjës së shek 19 ajo e epokës komuniste as sipas linjës së dytë të shek 20 të hipotezës komuniste por sipas një linëje të tretë: “Punëtor” si emer gjenerik i gjithckaje që mund t’i hiqet në formë të organizuar hegjemonisë së realizuar prej kapitalit financiar dhe shërbëtorëve të tij.”  Këtu shohim se Badio prespupozon objektifikimin dhe instrumentalizimin e punëtorit nga politika nën thundrën kapitaliste. Ne njohim programe të ndryshme sociale për ‘përmirësimin e kushteve’ të punëtorit gjatë fushatave zgjedhore. Nga ai, mbi të dhe për të qëndron dhe zhvillohet një ligjërim i tërë politik.  Filozofi francez Michel Foucault do të thoshte: Kjo është biopolitika.

“Problemin e Imigrimit” Badio e quan si pikën më të rëndësishme të politikës së sotme. Para se të kalojmë në thelb të problemit të imigrimit duhet shpjeguar dy situata pa të cilat është i pamundur kuptimi i këtij problemi. Së pari, A egziston vetëm një botë? Dhe së dyti C’është identiteti?

Badio mendon se teza e egzistencës së një njësie demokratike e realizuar prej tregut dhe ‘bashkësisë ndërkombëtare’ është tërësisht e rreme. Me vet faktin se në shtypin perendimor si dhe në ligjërimin politik e kemi prezent problemin e imigrimit, kjo është një provë e gjallë e <të huajve> në mesin tonë, kjo është një provë e gjallë së nuk ekziston vetëm një botë.  Sa i takon identitetit, Badio thotë se në njërën anë identiteti është ajo cka dallon nga mbetja (identiteti statik) në anën tjetër identiteti është ajo cka nuk bëhet dallues (identiteti dinamik).  Kur stimulohet ana e universales identitare, <I huaji> kalon në krijim, kur stimulohet ana e së vecantës identitare dhe thirret në “integrim” atëherë <I huaji> kalon në veprime reaksionare dhe konservatore sepse këtu kërkohet korruptimi i vetes nga tjetri.

Në gjithë shtjellimin e tij mbi imigrimin Badio kundështon hapur dhe fort atë që ai e quan ‘intergim persekutues’ i cili përmblidhet në një varg kërkesash socio-juridike të dhëna nga shteti dhe që nuk vë në theks virtualitetet universale të identiteteve. Nga kjo kërkesë lind edhe një definicion mbi politikën < politika është operatori për konsolidimin e universalit që ndodhet në identitet>.  Që ta bëjmë më të qartë, ne ua shprehim me zhargonin e politikës së Brukselit: “Ne vërtetë kemi dallime etnike dhe kulturore por theksin duhet ta vëmë tek e përbashkëta jonë e cila është më e madhe: ne parasegjithash jemi njerëz.”

Sfondi që dominon gjatë gjithë artikulimit politik të Badios karakterizohet nga ekzistimi i një rendi patologjik që mirëmbahet nga forca dhe nga kostelacione rrënjësisht të brishta socio-ekonomike. Në të kundërtën e ligjërimit liberal për njeriun si të lirë, Badio thotë se në këtë botë nuk ekzistojnë lirshëm subjektet njerëzore. Ata janë të izoluar dhe përjashtuar. Dikur nga një perde e hekurt politike dhe ideologjike, referuar Murit të Berlinit, sot nga muret që ndajnë kënaqësit e të pasurve dhe dëshirat e të varfërve.

Pabarazi pa pushim në rritje, dëshpërim nihilist i fraksioneve të tëra të të rinjëve, servilizëm shumë i gjërë i intelektualëve, shpërbërja e plotë e pushtetit politik në shërbim të mirash, këto Badio i rëndit si karakteristika momentale të cilat jo vetëm pamundësojnë fitoren e ndonjë hipoteze të re komuniste por i vënë në pikpyetje edhe kushtet e ekzistencës së saj.