SHARE

Kthim në vite..nostalgji!!!

U mbush hëna edhe këtë herë si përherë.
Kjo mbrëmje erdhi disi çuditshëm,jo si të tjerat.
Diku ulur në njē restorant në bregun e detit.
Unë,vala dhe gota me verën e bardhë rrëshket midis
gishtave të mi.
Kujtimet rrëshkasin nën këtë dritë hëne të zbehtë,
më udhëtojnë në të djeshmen e sotme.
Ky breg më bën të nostalgoj qytetin tim të vogël bregdetar…
Ah! Sa ditë të bukura më vijnë në mëndje.

Ato ditë të pafajësisë fëmijërore, kur shkoja te klubi madh i rrumbullakët si i thoshim ne, atje ku punonte ime më.
Akulloret në kupë ,me reçel qershie nga lartë dhe çokollatat me letrën e verdhë dhe zogun mbi letër, do të ngelen shije tē paperseritëshme për mua.
Gjithashtu akulloret nē oborrin e shkollës te teta Lulja,
kur prisnim nē radhë sa të bēheshin.
Ah! Si harrova arranxhatat?

Kur të ftohta,ashtu siç ishin i pinim me njē frymë,
aq shpejt sa na dilnin lotë nga sytë .
Ah! Ajo kohë e fëmijërisë kur rrinim në dritare
dhe shikonim detin ,me nëndetset që herë zhyteshin e
herë periskopi lundronte mbi sipërfaqe.
Ah baba! Kur ktheheshe mbrëmjeve nga reparti dhe zhurma e biçikletēs  dhe e hapave tē tu nēpēr shkallët e pallatit,
na bënte të rendnim në divan sikur shikonim TV.
Sa dashuri dhe përkujdesje!

Na tregoje filmat që kishe parë në kinema dhe librat që kishe lexuar..
Pastaj kur u rritëm dhe u bëra vajzë e”madhe”,
mami me Mrikēn mē mēsonin të bëj petë,të qëndis,të bëj shtiza.
Ndërkohë që unë doja të luaja. Nuk harrohen ato vite kur thërrisnim
shoqet nga ballkoni të loznim ose të shkonim në kinema.

Gjithashtu librat në biblotekën e shkollës ose të qytetit.
Nostalgoj ato libra, “Aventurat e çipolinos,; “Karolina në hënë,,
“Vajza orkidë,,dhe fantasiko- shkencorët e Jule Verne ..
Gjithashtu kur trokisnim ose na trokisnin shoqet për të ndërruar fustanin ,apo sandalet me njëra -tjetrën. Kur shkonim te rrobaqepësia e Dhespullës të zgjidhnim copë për fustan. Na dukej vetja sikur kishim shkuar nē atelie dhe zgjidhnim më të bukurën.
Hahaha! Tani më vjen edhe të qesh kur flisnim me shoqet
për djalin që na pëlqente. Kjo është vërtetë për të qeshur por njëkohësisht idilike.

Mendonim se ishim të dashuruara me një shikim pa asnjë fjalë.
Sa kohē e dlirë e pa djallezuar sikurse edhe ne.
Një fjango e bardhë mes flokëve të verdhë ishte luksi jonë.
Nuk harroj të dielave kur pastronim pallatin dhe muzika
e radios dëgjohej deri jashtë. Muzikë sipas kërkesave të dëgjuesve, përshëndjet nga autoparlanti. Kur çonim tepsitë
me pastiço në furrë te xhaxhi Novruzi.
Kur ishim në shkollë dhe profesore Elsa edhe pse shumë e rreptë në lëndën e kimisë na përkdhelte sepse ishim nxënës të mirë.
Dhe nē matematikë që nuk e kisha shumë për zemër,
professor Jorgua më fliste që të kushtoja më tepër vëmēndje.

Aq shumë sa edhe sot më kujtohet përmëndësh teorema e
Pitagorës mbi trekëndêshin këndrejtë ,ligji I Arkimedit për
pluskimin e trupave dhe ligjet e fizikës ,të Omit për qarkun e plotë dhe gjysëm.
Ligjet e Njutonit mbi trupat dhe veprimet e forcave të jashtme mbi ta.
Sa libra të ndaluar lexonim fshehur.. “Gjeniu,, i Teodor Drajzer,
“Botë e rreme,, e Dhurata Bozdos e shumë tjerë që nuk më kujtohen. …
Sa kohë e thjeshtë, dhe e bukur me televizor bardhë e zi,
pa telefona nëpër duar,por të luajmē me topa djegës.
Të vizatojmë me shkumës rovija dhe të luajmë cingla.
Ajo jetë aq e thjeshtë dhe e bukur,kur gjitonin e kishe vëlla..

Kur me një palë këpucë kalonim dy dimra…
Kjo ishim ne të gjithë unë ,ti ,Albana, Natasha ,Vjollca, Dhurata, Artani, Arjani etj,etj.
Ishte kjo botë e moshës së pafajshme, që kur shikonim
Arben Imamin ëndërronim bashkëshortin të ngjante me të.
Dhe njē këngë e festivalit na bënte të ndiheshim të dashuruar,
duke mos ditur ç’farë ishte në të vërtetë dashuria…..
Ndërruan kohët por jo ne..
Pyes veten:

– Sa shpejt u rrita…??
Po plakem baba … Por brenda vazhdoj të jem ajo vajzë me atë botë kujtimesh,
që mendoja se isha në shpirt rebele .Ato ishin vetëm iluzione,
kam qënë dhe vazhdoj të jem e njëjtë ,
thjeshtë kam vitet mbi supe ..
Natën e mirë vogëlushe !!!!

 Silvana Dhori Xhelaj