SHARE

– VEGIMI

Do shkojnë vitet me të shpejtë
Po do më shfaqet ky vegim:
Ajo – e heshtur dhe e zbehtë,
Ai-i zhytur në trishtim.

Dhe rrinin, rrinin të harruar,
Sikur nga bota ishin ndarë.
Ajo – me flokë të lëshuar,
Ai- me pamjen aq të vrarë.

Po njëri-tjetrit asaj ore
I ndiznin zjarrin e pasosur,
Ajo – me pamjen engjëllore,
Ai – me zemrën e vrerosur.

Do shkojnë vitet me të shpejtë
Po do më shfaqet ky vegim:
Ajo – e heshtur dhe e zbehtë. ‘
Ai – i mbytur në trishtim.

 

“Nocturne”

Tani, kur tërë bota fle,
O shpirti im, përse rri zgjuar?
Ç’të ngre kështu në shtrat sa bie.
Sikur me gjemba është shtruar?

Më dhembin plagët, plagët, bre!
Që ditëpërditë janë shtuar,
Për këtë popull që po fle
Kështu, verbuar e shurdhuar

 

DËBORË

I huaj në vend të huaj,
As vetë s ‘di pse vuaj
Në mendje çfarë s’bluaj!

Dëborë bje, dëborë bje,
Si në qytetin tim,
Po s’di përse në shpirt me shtje
Kaq tepër dëshperim.

Dëborë bje dhe era ngreh
Shtëllunga fluturim.
E shoh me nge si dikur, dje,
Dhe ndjej kaq mallengjim.

Dëbore bje dhe gjithcka fle
Si n’ ëndërr pa mbarim,
Po zemra rreh si ergjele
Që rend e s’gjen shpëtim.

 

ECI RRUGËS ÇALË-ÇALË

Eci rruges çalë- çalë,
Nën sqetull- çanten me poezi,
Kërkoj dikë të flas një fjalë,
Kërkoj, si Diogjeni, një njeri.

S’e gjej e kthehem çalë- çalë
Të hy në qypin tim – shtëpi,
Atje do mund të flas një fjalë
Me ty e ëmbla poezi.

Petraq Kolevica