SHARE

Naim Frashëri

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Naimnë kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qarë!

Vdiq Naimi, gjithë thonë,
qani turq, qani kaurë!
Bilbil’ i gjuhësë tonë
s’do të dëgjohet më kurrë!

Vdiq Naimi, që këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, që lëvdoi
dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç’të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s’ka të tjerë.

Vdiq Naimi! Vdekj’ e shkretë,
pse more të tillë burrë?
I ndritë shpirti për jetë,
mos i vdektë nami kurrë!

 

Kopshti i dashurisë

O pëllumb’ i shkruar,
do t’të marr në duar
dhe duke kënduar
gjetkë do t’të shpie:

Në një vend t’uruar
dhe të lulëzuar,
në uj’të kulluar
edhe nën hie;

Afër tek një lumë
ku ka lule shumë,
të biem në gjumë,
hena të na ndrijë;

Yjtë të shikojnë,
zogjtë të këndojnë
edhe të na zgjojnë
dita kur të vijë.

Pa ngrën’ e pa pirë
s’mbetemi, moj mirë,
se u’ndaj të gdhirë
dërgoj e na sjellin:

Qumështë të dhirë
dhe djathë të mirë
pa uj’ e pa hirrë,
dhe rrush kur të vjelin;

Ngjalë nga Janina,
mjaltë nga Kanina,
verë nga Voshtina
ujë nga Sopoti;

Mollë nga Horia,
mish nga dhënt’ e mia,
desh nga Labëria,
na e faltë Zoti.

– Andon Z. Çajupi