SHARE

Shkruan: Qëndrim Badalli

Debati rreth zgidhjes Kosovë-Serbi rëndom si për temat tjera politike në vend ka filluar dhe po vazhdon gabim. Në debatet për cështjet madhore sic është faza përfundimtare e dialogut duhet ta kuptojmë se cdo ide mund të diskutohet, të hidhet poshtë apo të dërgohet përpara përmes argumetimit racional e logjik dhe jo debatit të mbetet në qarkun ekspluziv të politikës dhe të përcillet me fyerje sharje dhe përcaktimin  e ‘tradhëtarit’ dhe të ‘patriotit’. <Vdekja e subjektit>  i shërben objektivitetit. Idetë duhet të diskutohet të shkëputura nga subjekti i vecantë, sepse ajo, pra ideja, është politikisht e dobishme apo e padobishme vetëm në raport me rrethanat e përgjithshme socio-politike, synimet dhe trendin e një shoqërie dhe jo me subjektin që hedh atë, prandaj <ideja e korigjimit të kufijve> dhe jo <ideja e presidentit>.

“Domosdoshmëria” për një marrëveshje

Qëndrimet se Kosovës nuk i duhet domosdoshmërisht një marrëveshje me Serbinë dhe se si opsion duhet të mbetet dhe ruajtja e status-kohës janë të paqëndrueshme.  Kosova me një konflikt të ngrirë rrëzikon në dy anë: Në prespektivën perendimore të saj dhe në funksionalitetin e brendshëm shtetëror.  Pa një pajtim me Beogradin, Kosova mbetë pa OKB pa NATO dhe pa BE meqë integrimi në këto organizata politike-ushtarake kërkon mbi të gjitha fqinjësin e mirë, siguri dhe stabilitet si dhe mbylljen e të gjitha kontesteve fqinjësore. Në anën tjetër, pa pajtimin me Beogradin, veriu mbetet ‘toka e premtuar’ e krimit dhe kontrabandës, e vrasjeve së politikanëve, e djegjes së doganave, e arrestimit të zyrtarëve, përgjithësisht e pasigurisë dhe tensioneve. Një Kosovë që lëngon nga brenda vazhdimisht në një pjesë të territorit dhe një Kosovë e izoluar nga integrim euroatlantik do t’i ngjasonte herë Bosnjës herë Palestinës por kurrë Kroacisë. Me një pajtim me Beogradin, Kosova do ta siguronte hapjen e prespektivës për integrim, njohjen e plotë ndërkombëtare si dhe do rriste funksionalitetin e sigurinë e vendit.

Arritja e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë përvec interesit të të dyja shteteve është në interes edhe të forcave perendimore, vecmas atyre amerikane. Edhe pse me vështersi, perëndimi ka mposhtur Rusinë në Ballkanin Perendimor në dy- tri vitet e fundit. Dështimi i grushtshtetit në tentativ në Mal të Zi si dhe integrimi në NATO,  rrëzimi i Gruevskit në Maqedoni si dhe arritja e marrëveshjes për emrin me Greqinë janë dy storie suksesi në përpjekje për stabilitet dhe funksionalitet të Ballkanit Perendimor. Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet parë në këtë linjë, pra në linjën e forcimit të stabilitetit  si dhe në rreshtimin me forcat perendimore në këtë rajon. Në këtë kontekst, domosdoshmëria për marrëveshje nuk është vetëm një kërkesë nga brenda por edhe një kërkesë gjeopolitike perendimore.

Ruatja e status-kohës kur e njejta nuk është në favorin tënd nuk është politikë e menqur sepse gjithmon kur mirëmbahet status-koha pala që angazhohet për të presupozon se konstelacionet politike janë statike dhe nuk përmbysin rrethanat, por pikërisht këtu ështe gabimi. Jeta politike nuk është një e dhënë e përhershme por përmban një dinamizën konstatant. Sfera perendimore në dy-tri vitet e fundit ka pësuar ndryshime drastike duke krijuar konfuzion, aleanca dhe tendenca të reja. Lëkundja e Bashkimit Europian, një rikthim i influencës ruse gjithandej si dhe një ShBA më shumë të kthyer nga vetja, nuk kanë qenë një gjendje faktike politike në vitet 2000 dhe kjo do të thotë shumë për Kosovën.  Për sa kohë, trendi i gjeopolitikës nuk po shkon në drejtimin më të mirë të miqëve tanë, për sa kohë fati i vendeve të vogla është pashmangshmërisht i lidhur me balancin e forcave ndërkombëtare, dhe për sa kohë Kosova ka problem faktik me shtetësinë dhe funksionimin nga brenda, angazhimi për ruajtjen e status-kohës është absurditet.

Gabimi Qosiq

Në debatin për “Korigjim të kufijve”  është lakuar edhe emri i babait të nacionalizmit serb Dobrica Qosiq. Konsideroj se krahasimi që i është bërë ideve të Qosiq me idetë e sotme rreth kufijëve është plotësisht i paqëndrueshëm. Ideja e tij dhe ideja e sotme për korigjim kufijësh kanë tri dallime substanciale: E para, konteksti politik është i ndryshueshëm. Ideja e tij ka mbetur si deklaratë në letër dhe nuk është shqyrtuar nga asnjë qendër vendimarrëse si e tillë ka qenë e parëndësishme. E dyta, Qosiq ka kërkuar pjesën qëndrore dhe atë veriore të Kosovës përderisa sot kemi një ide për shkëmbim të vetëm tri komunave të vogla apo disa fshatra në veri. E treta, Qosiq ka folur për ndarje dhe jo për shkëmbim. Ndarja nga shkëmbimi janë të dallueshme aq sa ngjyra e zezë me të bardhën, por që këto koncepte të konceptohen si të dallueshme nevoitet që gjykimet të bëhen me koka të ftohta dhe mendje të mprehta, ky është kusht i rëndësishëm për zanatin e politikës.

Rëndësia “speciale”e Serbisë

Procesi i pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë jo rastësisht ka marrë kaq shumë kohë me kaq pak rezultate, me gjasë ky është procesi më i rëndë për të trija palët e inolvuara në proces: Kosovën, Serbinë dhe Bashkimin Europian. Në debatet televizive në vend ke gjasa shumë të mëdha të dëgjosh intelektualët e vetëshpallur se përse Kosova nuk është e varur nga Serbia, apo se Ne duhet ta injorojmë faktin e ekzistencës së Serbisë në proces. Këtu është një gabim i madh. Në clirimin dhe në pavarësimin e vendit, Kosova dhe ndërkombëtarët kanë pasur mundësi për vendim të njëanshëm dhe këtë e kanë bërë përmes dy konferencave ndërkombëtare, në Rambuje dhe në Vjenë. Në këtë rast të tretë, vendim të njëanshëm s’mund të ketë. Përse? Sepse ti mund ta rrahësh tjetrin pa pajtimin e tij, ti mund të ndahesh nga tjetri pa pajtimin e tij, por ti s’mund të pajtohesh me tjetrin pa pajtimin e tij.  Për fat të keq, as pala e tretë në proces s’mund të pajtojë pa pajtimin e tij. Këtu qëndron rëndësi “speciale” e Serbisë në këtë proces. Si asnjëherë më parë në raportet tona, pavarësisht nga ndihma e ndërkombëtarevë, kësaj rradhe s’mund të ketë “deal” apo cështje të përfunduar pa një klithmë nga Beogradi sepse kushte për vendim të njëanshëm nuk ka për shkak të natyrës së procesit.

Politika zhvillohet në gjakftohtësi dhe me sens të lartë të objektivitetit, që do të thotë se ne duhet të njohim edhe përparësin e palës kundërshtare dhe të vazhdojmë tutje duke u pregaditur për kompromis, sepse të jesh me rëndësi në një proces do të thotë të mos dalësh duarbosh. Celsi i marrëveshjes gjendet tek aftësia jonë fillimisht për ta bindur veten se duhet paguar kosto si dhe tek gjetja e kostos sa më të vogël.  Nënvlerësimi dhe mohimi i kundërshtarit është recetë e mirë për dështim. Kush dëshiron dështimin?

Mes autonomis serbe dhe korigjimit të kufijve

Se Serbia do përfitojë dicka nga ky proces në mënyrë që të ketë pajtim, kjo tashmë është e ditur madje dhe e pranuar nga një numër i  të arsyeshmëve në vend si dhe nga pala e tretë e ndërmjetësimit.  Serbia është një trup që ka një krah jashtë tij: Republika Serbska në Bosnje Hercegovinë. Por Serbia me një krah nuk fluturon shumë, ajo e dëshiron edhe një krah tjetër në Kosovë, në mënyrë që të bëhet me dy krahë dhe të fluturojë lartë mbi Ballkanin Perendimor- në sensin e dominimit.

Në Bruksel dhe tek deputetët e mirëinformuar rreth këtij procesi sillen disa versione; dikush flet për model të dy Gjermanive, dikush për modelin e Italisë Veriore, të tjerët për sovranitet të dyfisht, etj. Bosnja Hercegovina ka qenë fati jonë në luftë sepse ka shërbyer si model i gjenocidit të Serbisë dhe i potencialitetit të saj, ajo ka kthyer vëmendjen në këtë pjesë. Sërisht Bosnja Hercegovina duhet të jetë një fat për ne dhe të shërbej si model për potencialin e Serbisë për shkatrrim shtetëror nëse i jepet një republikë brenda një shteti. E qartë se Europa është e mësuar me funksionimin e shteteve me kantone, mirëpo shumë shpesh më e rendësishme se ideja është konteksti ku provohet të jetësohet ajo. Ballkani Perendimor nuk ka potencial as shoqëror as strukturor që të ketë funksionim të plotë me sistem kantonesh. Refuzimi i projekteve për autonomi  të Serbisë nuk është refuzim i multietnicitetit si vlerë perendimore. Askush nuk e ka refuzuar dhe nuk po e refuzon shteti multietnik, shoqërinë e hapur dhe të lirë të dizajnuar nga Pakoja e Ahtisarit, por forma të ndryshme për autonomi për Serbinë brenda Kosovës do ta sjellin kapitullim e shtetit me një sistem unik juridiko-politik, si të tilla, këto modele autonomish duhet të jenë të papranueshme.

“Korigjimi i kufijve” nuk është lojë fjalësh sic pretendohet të jetë. Ajo është aq kruciale sa në brendësin e saj fshihet edhe fati i marrëveshjes potenciale mes Kosoves dhe Serbisë. Dallimi mes “shkëmbimit të territoreve” dhe mes “korigjimit të kufijve” është në presupozimin e fijalis. Kur themi ‘të shkëmbejmë territore’ presupozohet se paraprakisht kemi kufij të mirëcaktuar dhe të vendosur me drejtësi. Shkëmbimi po ndodh nga komoditeti prandaj është i palejueshëm për shkak të rrezikshmërisë që mban. Kur themi ‘të korigjojmë kufijt” presupozohet se paraprakisht ka ndodhur një gabim i cili duhet përmirsuar. Ndryshe, si mund të ketë korigjim që nuk nënkupton paraprakisht një gabim? Qëllimi i kalimit nga <shkëmbimi në korigjim> është neutralizimi i pengesës më të madhe që ka për momentin marrëveshja: Krijimin e precedantit. Nëse Kosova dhe Serbia neutralizojnë “precedantin” para Europës, marrëveshja duket afër.
Korigjimi i kufjive duhet të shqyrtohet seriozisht, madje edhe të pranohet, jo si zgjidhje ideale, por si <e keqja më e vogel>  vetëm dhe vetëm nëse plotësohen tri kushte së bashku: A) Për sa kohë Kosovës i ofrohen projekte për autonomi të Serbisë brenda Kosovës. B) Nëse Trepca dhe Ujmani mbesin nën menaxhimin e Kosovës si dhe në shkëmbim të Leposaviqit, Zvecanit dhe Zubin Potokut merret pjesa më e madhe e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. C) Në këtë proces të kemi përkrahje të Perendimit, vecmas të ShBA-së dhe NATOS si garantuese të marrëveshjes.

Mes Uashingtonit dhe Europës

Për Kosovën, perendimi duhet të jetë një, në sensin që cdo shtet mik në këtë hemisferë ka një rëndësi të madhe për ne. Problemi i madh i Europës jo vetëm në raport me Kosovën por edhe vendet tjera të rajonit si dhe në funksionimit të brendshëm të saj ka qenë dhe vazhdon të mbetet demokracia konsensuale, e cila vazhdimisht pamundëson një fleksibilitet në veprim.

Bashkimi Europian sot është në një coroditje meqë nuk ka arritur ta merr veten nga lëkundjet e viteve të fundit. Zgjerimi i saj nuk duket të jetë prioritet por vetëm një riorganizim i brendshëm i saj si dhe ruajtja e sigurisë dhe stabilitetit në raport me Ballkanin Perendimor. Kjo gjendje dhe këto synime në prespektiv zbehin shpresat se BE do të marrë rolin vendimtar në procesin e pajtimit Kosovë-Serbi.

Europa pa asnjë dyshim është një qendër e rëndësishme dhe e ardhmja e Kosovës por në raportet tona historike shumë shtetet të rëndësishme europiane nuk kanë qenë vendimtare në clirimin dhe pavarësimin e vendit, secila për arsye të ndryshme. Gjermania në fillim ka qenë kundër ndërhyrjes ushtarake në Kosovë ndërsa roli i Francës ka qenë kontravers para dhe gjatë bombardimeve. Edhe pavarësia e vendit nuk është realizuara nën patronatin e qendrave europiane. Për Kosovën, kruciale, gjithmonë dhe në gjithcka, kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marrëveshje mund edhe të mos ketë fare edhe për një kohë të gjatë, por askush, as në rrafshin politik as në atë intelektual, nuk mund ta mohojë se marrëveshja është më e mirë se konflikti, se paqja më e mirë se lufta,  se funksionaliteti më i mirë se kaosi, se pajtimi më i mirë se inatet, dhe se e ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara.  Dhe, në fund, së vendimi në kohë është më i mirë se ai i vonuar. Duhet insistuar dhe përpjekur për marrëveshje, edhe nëse nuk arrihet, le të mbetet në <lapidarian e kohës> vullneti jonë për vlera të larta politike dhe në të njejtën kohë edhe për ato njerëzore./filozofia.al