SHARE

Nga Giancarlo Cinini

Ndodheni tashmë në botën e përtejshme, para Maat, që do të gjykojë veprat tuaja në Tokë. Hyjnia egjiptiane e vendos zemrën tuaj në njërën nga pjatat e peshores së tij, dhe në anën tjetër një pendë: nëse zemra juaj është më e lehtë, do të çoheni të qëndroni në fushat e mrrekullueshme dhe të bekuara.

Kur ishit gjallë, frika nga ky gjykim suprem, do t’ju ketë penguar ndoshta të vidhnit grurin e faraonit, apo të mashtroni një nga klientët tuaj. Në historinë e njerëzimit, Zotat e gjithëfuqishëm dhe moralizues si Maat, që gjykojnë dhe japin dënime, lidhen me shfaqjen e shoqërive komplekse, të mëdha dhe të strukturuara, ku kontrolli social, pak a shumë i ndërsjelltë në grupe të vogla, bëhet më i vështirë në mungesë të një autoriteti suprem. Një Zot i fuqishëm që i sheh dhe gjykon të gjithë, dhe që në fund dënon.

Kur lindi Zoti i plotfuqishëm?

Në përgjithësi, besohet që këto kulte moralizuese, si ai i Maat ose Ahura Mazda, i paraprinë evolucionit të shoqërisë drejt organizatave më të mëdha dhe më të ndërlikuara, si Egjipti i faraonëve apo Persia e Akamenidëve. Por, a ka ndodhur vërtetë kështu?

Sipas një grupi ndërkombëtar kërkimor, të udhëhequr nga Universiteti i Oksfordit, mund të ketë ndodhur pikërisht e kundërta: fetë moralizuese, kanë lindur vetëm pas shfaqjes së shoqërive komplekse, pra do të ishin pasojë e tyre.

Këtë e sugjerojnë dhe shkruajnë studiuesit, në një artikull të botuar në revistën “Nature”, rezultatet e një hulumtimi të kryer mbi një baze të madhe të dhënash, që grupon të dhëna për 414 besime fetare, në 30 zona të ndryshme të botës për një periudhë 10 mijë vjeçare, nga epoka neolitike deri në epokën industriale .

Historianët zgjodhën 51 variabla, duke përfshirë për shembull administrimin, praninë e teksteve të shenjta, zhvillimin e metalurgjisë apo ujitjes, për të përcaktuar shkallën e kompleksitetit të një shoqërie, nga fiset egalitare tek perandoritë e mëdha.

Dikush atje lart të shikon

Sipas asaj që rezultoi nga kërkimi mbi Seshat (baza e të dhënave, e quajtur kështu me emrin e Perëndeshës egjiptiane të shkrimit dhe aritmetikës), fetë moralizuese u shfaqën në shoqëritë tashmë komplekse, mesatarisht 100 vjet pasi popullsia arriti në 1 milionë banorë, dhe 400 vjet pas lindjesn së praktikës së shkrimit. Për shembull, si në Egjipt ku adhurimi i Zotit të Diellit, Amon Ra, krijues dhe gjyqtar, nisi në vitin 2700 Para Erës Sonë, rreth 500 vjet pas lindjes së hieroglifeve më të vjetra.

Në shoqëritë më të vogla, si fiset e Iliniuek në Ilinois të SHBA-së, shpjegojnë studiuesit, Zotat nuk janë të interesuar mbi atë që bëjnë njerëzit me njëri-tjetrin, por kërkojnë respekt për veten dhe rendin kozmik. Dhe priftërinjtë u bëjnë oferta dhe sakrifica Zotave, për t’i mashtruar apo kërkuar favore, si për shembull që të bjerë shi.

Por, ndërsa shoqëritë bëhen më komplekse, me një popullsi më të madhe, infrastrukturë, dhe hierarki sociale, para, shkrim, dhe sigurisht një autoritet politik, shfaqen gjyqtarët e mëdhenj hyjnorë. Për shembull, në Indi për të garantuar rendin, duhej një forcë mbinatyrore, Karma.

Në perandorinë Akaemenide, ekzistonte zoti i plotfuqishëm Ahura Mazda, në kulturat keltike kishte Zota që ndëshkonin njerëzit për marrëveshjet e shkelura.

Dhe në Egjipt, ai që gjykonte ishte Maat, e vërteta, rendi dhe drejtësia, që peshon zemrat e njerëzve në peshoren e tij. Sipas autorëve të studimit, fetë moralizuese do të parapriheshin nga një fazë e konsolidimit të ritualeve doktrinare, “festa të urdhëruara”, të cilat ndihmuan në krijimin e një sfondi të përbashkët, dhe për këtë arsye ndihmuan në krijimin e komuniteteve shumë të mëdha. Format e para të hierarkive priftërore, do të lindnin paralelisht me zgjerimin e shoqërive.

Historia e madhe me Seshat

Studimi, është rezultat i një qasjeje të re sasiore, ndaj studimit të historisë botërore, të mundësuar pikërisht nga baza e të dhënave Seshat, që për gati 10 vite ka mbledhur informacione  multidisiplinare mbi historinë, arkeologjinë dhe antropologjinë.

Dhe tani është gati të provojë një listë e gjatë teorish, mbi historinë botërore . Dhe ndoshta për t’i përgjigjur disa pyetjeve, në lidhje me të ardhmen e njerëzimit: ”A mund të zëvendësohen thjesht Zotat moralizues, nga forma të tjera të mbikëqyrjes ?”.

GalileoNet – Bota.al